Engjëll MUSAI/ Minutat që morën peng shtetin

539
Sigal

I gjithë aktiviteti i burgjeve dhe funksionimi i tij kryhet mbi baza ligjore detyrimet e së cilës janë të përcaktuara në ligjin Nr.8328, datë 16.4.1998  PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË  PARABURGOSURVE  i ndryshuar  (Ndryshuar me ligjin nr.10 087, datë 26.2.2009). Në bazë  dhe mbështetje të ligjit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve miraton Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve  dhe në zbatim të saj, çdo institucion ka rregulloren e brendshme, të dalë mbi bazë të rregullores së burgjeve, që përcakton organizimin, disiplinën e brendshme dhe kërkesat e trajtimit në kushtet e institucionit. Rregullorja e brendshme përgatitet nga një komision i caktuar dhe i kryesuar nga drejtori i institucionit dhe miratohet nga ministri i Drejtësisë (Neni 18 i Ligjit). Ndërsa aktiviteti i Policisë Burgjeve përveçse ligjit për  të “Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve”  ka referencë ligjin për “Policinë e Burgjeve” dhe pikërisht në Nenin 3 pika 1 të tij është përcaktuar fare qartë se, “Misioni i Policisë së Burgjeve është ruajtja e rendit dhe e sigurisë në IEVP gjatë transferimeve e shoqërimeve të të dënuarve ose të paraburgosurve në gjykata e institucione të tjera, në përputhje me ligjin, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut. Pra, e bëmë të gjithë këtë analizë për të përcaktuar detyrat e punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe administratës së burgut apo Institucionit të  Riedukimit. Por në punën e përditshme misioni i  Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është që të pranojë të burgosur , t’i sigurojë jetën e tyre, t’u ruajë jetën dhe sigurinë si nga goditjet e jashtme ashtu edhe dhe të brendshme. Themi sigurinë e jashtme nga goditjet me armë apo snajper, por edhe të brendshme nga sheret dhe hasmëritë e reja dhe të vjetra.  Gjithashtu, Policia e Burgjeve ka për detyrë edhe zmbrapsjen e çdo tendence arratisjeje nga brenda -jashtë apo të çdo sulmi nga jashtë -brenda. E të gjitha këto realizohen në bazë të planit të përbashkët midis Drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Kjo marrëveshje shtrihet deri në qarqet midis Burgut, Institucionit të Riedukimit dhe Paraburgimit me Drejtorinë e Policisë së Qarkut dhe Komisariatin e Policisë. Nëse këto marrëveshje  dhe kjo rregullore do të zbatohet dhe  do të funksiononin, atëherë, nuk ka asnjë shans që cilido element kriminel dhe bandit sado i “rëndësishëm” apo “VIP’ të konsiderohet  apo trajtohet nga dikush, nuk mund të gëzojë dot lirinë. Sistemi i rrethimit të brendshëm është i tillë që mund të marrësh peng një punonjës policie, por kurrë nuk arratisesh nëse nuk futen në mbështetje policët e regjimit të jashtëm dhe oficeri i rojës me ndihmësin e tij. Rasti i fundit në Drenovë ka treguar se, një pjesë e mirë e punonjësve të policisë që nga Shefi i Regjimit të Brendshëm, përgjegjësit e turnit të  brendshëm që mbajnë  çelësat nga jashtë hekurave të korridorit (e dinë ata që e njohin planimetrinë e organizimit të një burgu ), Shefi i Policisë, oficeri dhe ndihmësi i tij, përgjegjësi dhe polici i kamerave (këta të fundit nuk qëndrojnë në detyrë në 90% të kohës).  Çarja e rrethimit nuk ka asnjë justifikim, pavarësisht analizës se si hynë armët në burg. Nuk është rasti i parë që futen armë, kemi parasysh, Burrelin dhe Tepelenën. Por ajo që ngelet e pafalshme është se kontrolli javor brenda regjimit ose nuk është bërë ose ka fshehur armët me ndërgjegje. Në këtë kuadër, duhet të analizohet se kush i ka kryer kontrollet në dhomat, të cilat kishin armë dhe çfarë është shkruar në Raportin e Kontrollit. Regjimi i jashtëm është i tillë që në tre vendroje, i pari mbron të dytin si dhe i treti mbron të dytin dhe kështu me radhë, krijohet zinxhiri për të mbrojtur dhe mbështetur njëri -tjetrin. Po grupet e gatshme, ku janë dhe çfarë bënë? Do ishte e keqja më e vogël paaftësia dhe mungesa e gatishmërisë në të cilin shteti u mor peng, sesa pagesat dhe qëndrimet për motive politike. Koha për reforma është e domosdoshme dhe goditja duhet të jetë selektive dhe jo masive me qëllim në vetvete, pasi një i burgosur kur del nga një burg i vogël do jetë përsëri në “një burg”, por këtë radhë disi më i madh. Çarja e Post-Bllokut të policisë në Pogradec është një tjetër alarm, por këtë radhë për Ministrinë e Brendshme, e cila nuk mund të mbështetet vetëm tek Forcat Speciale, pasi edhe policët dhe grupet e gatshme në qarqe, paguhen për të vendosur rendin dhe sigurinë në qytetin dhe zonën e tyre.