Engjëll MUSAI/ Meta, opozita dhe administratorët e ‘Rilindjes’

542
Dimri që po troket në derë ka nisur me viktimat e para dhe shkaktarë nuk janë përmbytjet, por vetekzekutimi. Ndoshta kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe fatkeqësive që kanë mbërthyer vendin tonë. Çdo qeverisje bën reforma, të cilat diku të qeta dhe diku me dhimbje pranohen nga qytetarët, pasi qëllimi final mendohet se është dalja e shpejtë nga varfëria. Po nëse reformat e ndërmarra nga qeveria kanë si qëllim ndëshkimin e qytetarëve dhe shtresave në nevojë, atëherë këto reforma nuk kanë më qëllimin njerëzor dhe demokratik, por anojnë nga diktaturat e fshehta, të cilat bëjnë që ekzekutimi shtetëror të zëvendësohet me vetëvrasjet apo vetvarjet dhe internimi ja lë vendin emigrimit. Një situatë e tillë është krijuar edhe në Shqipëri, ku kriza tashmë është ulur këmbëkryq dhe reformat janë zëvendësuar nga show mediatik i pehlivanëve që përfaqësimin e socialistëve në administratën shtetërore menjëherë pas zgjedhjeve ja lanë ‘Rilindjes’, e cila në vetvete nuk është gjë tjetër, veçse “administruese” e ish- 1 milion votuesve. Shqiptaret votuan më 23 qershor 2013, për një jetë më të mirë duke ndëshkuar qeverisjen e djathtë me shpresën se ‘Rilindja’do të sillte lumturinë e plotë. Ndaj t’i besosh vetvetes, të reagosh me energji ndaj tatëpjetave të jetës dhe të bësh zgjidhje të mençur kërkohet që dora që hedh votën në kuti të orientohet nga mëndja e ftohtë. Kështu bënë edhe shqiptarët kur dëgjonin dhe besonin premtimet e ‘Rilindjes’ për taksa të ulëta,për 300 mijë vende pune, për legalizime falas, për meritokraci, për largimin e kriminelëve nga administrata, për rritje të pagave, pensioneve, asistencës e plotë e plotë të tjera. Madje, këto premtime bënë që edhe LSI të pranojë ofertën e “Rilindasve” për një qeveri që do nxjerri vendin nga kriza, ku e kishte zhytur qeverisja e mëparshme. Madje Liderët e së Majtës Rama dhe Meta nënshkruan një marrëveshje e cila do të jetë afatgjatë, u tha në atë kohë dhe se detyra kryesore e saj është mirëqenia e Shqiptarëve pa dallim feje, ideje por edhe krahine. Madje kjo e fundit mori shumë vlera, aq sa ja kaloj edhe vargjeve të këngës së realizmit socialist se: “Se unë jam nga e gjithë Shqipëria” . U tha se nuk do ketë më përmbytje, por ato vazhdojnë. U tha se do jemi me ju në raste fatkeqësish, por për ironi të fatit askush nuk u gjend pranë të përmbyturve, u tha se do luftojmë krimin, por krimi po bën kërdinë me tritol,me armë dhe me grabitje mafioze të makinave të blinduara, të bankave. U tha se do respektojmë çdo këshillë të miqve ndërkombëtarë, por ata përbuzen kur kritikojnë qeverisjen dhe citohen pafundësisht kur janë në mbështetje të qeverisjes dhe mbrojtjes së rendit dhe sigurisë nga protestat e dhunshme. 
– U kritikua qeverisja për koncesionet dhe u tha se do të zhbëhen sapo të vijmë në pushtet. Por Rilindja dha me koncesione spitalet, gjakun dhe jetën e qytetarëve. 
– U tha se borxhi po na mbyt, por u morën borxhe për dy vjet, aq sa mori për 8 vjet qeveria e mëparshme. 
– U tha se pushtetarët kanë blerë makina të shtrenjta,por kjo qeverisje i zëvendësoj me makina ëndrrash, gjithë ekipin qeveritarë.
– U deklarua se, diplomacia do të ketë në përbërjen e saj, elitën dhe ajkën e intelektualëve,por ambasadat u rimbushën me militantë, mediokër dhe familjarë të ministrave dhe deputetëve të ‘Rilindjes’. – U tha se, qeveritarët e djathtë po bëhen të bezdisshëm në ekrane dhe media, por ‘Rilindja’ e pushtoj ,poshtëroi dhe e ‘përdhunoj’ median nga mëngjesi në mbrëmje. 
– U tha se, qeveritarët mbetën jashtë shtetit, por këta të tanishmit po i bien rreth e qark botës. 
-Me mendimin dhe idenë se po bëjmë shtet, ju vu litari në fyt bizneseve dhe qytetarëve, madje edhe atyre shtetasve që nuk ua vuri shteti litarin, ja vunë vet vetes në burgje dhe pemët rreth shtëpive. 
– Qeveria ka halle dhe probleme me korrupsionin e brendshëm por ajo ka kenaqësinë të jete krenare sepse u “dha zgjidhje ” krizave botërore, pjesëmarrjes së grave në qeverisje, deaktivizimit të lëndëve kimike,refugjatëve,integrimit etj. 
– Politika shqiptare, vërtetë ka probleme dhe e pëçarë brenda për brenda, por ne kemi mundësinë ,aftësinë dhe hipokrizine që të kërkojmë paqe mes shqiptarëve në Maqedoni, Kosovë, Malin e ZI, madje edhe në mbledhjet e përbashkëta të qeverisë do i rinisim, se për shkak të axhendës ndërkombëtare u harruan. 
– Ne mendojmë për gjeneratën e së ardhmes dhe harrojmë që votën dhe mandatin e kemi katër-vjeçar dhe në shërbim të qytetarëve të sotëm dhe jo të atyre që do vijnë pas 50 vjetësh. Ne kemi ministra që merren me drejtësinë dhe për gjithçka i pyesim, por vetëm për drejtësinë nuk i marrim mendime. Madje, i pyesim edhe për kaldajat e të burgosurve dhe se kujt duhet t’ia japin tenderin…. 
-Ne e duam lirinë dhe shtypin e lirë, sepse ato përfaqësojnë idealet e Dhjetorit ’90, por ligjin e bëjmë që gazetarët të paktën të provojnë një trevjeçar burgun,me përjashtim të disa pseudoanalistëve. Ne duam shtet ligjor,ndaj dhe deputetët i pajisim me dy revole si Isa Buletini para 100 vjetësh. 
– Ne marrim në parlament deputetë që e njohin mirë krimin,prostitucionin,dhunën,drogën madje edhe skafet e refugjatëve. Ndaj për këto dhe shumë të tjera koalicioni mes ‘Rilindjes’ dhe LSI ka krijuar hendeqe të mëdha, gjë që është kuptuar, jo vetëm nga dy liderët protagonistë, por edhe elektorati i tyre. Meta është shquar për besnikëri dhe burrëri në marrëveshje. Por kjo kërkon që edhe partneri të jetë fisnik. Meta ka sakrifikuar personalisht per Ramën në 2005 , në 2007, në 2013, e cila ishte sikurse thotë populli e treta e vërteta. Po për Metën, a ka sakrifikuar me të njëjtën monedhë edhe bashkëkryetari i koalicionit? Sigurisht që jo. Ndaj Meta nuk ka pse pret që ministrat e tij të katandisen si ata të ‘Rilindjes’ në sy të elektoratit, por t’i japë zgjidhje ngërçit të krijuar, pasi shqiptarët nuk mund ta kapërdijnë këtë situatë. Manovrat dhe tërheqja e vëmendjes nga hallet e mëdha me të ashtuquajturit bunkerë, është fyese për vetë të përndjekurit politikë, të cilëve “Bunkeri” pranë Ministrisë së Brendshme u ngjan si një arkivol, sipër të cilit ‘Rilindja’ ka vendosur disa lule me ngjyrë të kuqe. Opozita duhet të zgjohet dhe të bindë qytetarët se nesër në pushtet nuk do të përsërisë gabimet e mëparshme dhe këto që po bën qeverisja e majtë. Tu tregojë shqiptarëve se do të jetë shërbëtore e devotshme e së ardhmes së vendit dhe unitetit të kombit shqiptar… Thuhet se opozita është pasqyra e qeverisjes së nesërme. Nëse kemi opozitë të dhunshme sot po kaq të dhunshme do të kemi edhe qeverisjen nesër … Dhe koha na tregoi të vërtetën e dhimbshme….
Sigal