Engjëll MUSAI/Matrapazët dhe dopingu trullosin Ministrinë e Kulturës

599
Sigal

Sporti shqiptar, e vetmja krenari e këtij populli me sa duket  po degradon duke zhgënjyer qindra mijëra dashamirës të tij.  Ndoshta qeveria ka menduar që në krye të piramidës së sportit të vendosi një ish- sportist pasi më mirë se kushdo tjetër ai mund të dinte hallet e sportit dhe të riparonte ato gjëra, të cilat deri dje njerëz që s’kishin lidhje me sportin, por vetëm me pushtetin nuk mund t’i kuptonin.  Ndaj në krye të sportit shqiptar u caktua përfaqësuesi i Partisë  Republikane, Dashnor Bajaziti, emërimi i të cilit si zv/ministër, fillimisht u duk një gjetje, por që sot në prag të mbarimit të mandatit qeveritar është zhgënjimi dhe turpi i sportit. Themi se është i tillë, pasi ai jo vetëm që nuk rriti vlerat e tij si sportist, por  tregoi se është drejtues i keq dhe turpi i përfaqësimit të politikanit Republikan. Nëse emërimi i tij sikurse flitet nëpër ambiente të ngushta, nga ai apo njerëz të tjerë, por që duhet verifikuar është bërë për shkak të marrjes në mënyrë  “klandestine” të një numri votash që ndihmuan kreun e partisë të bëhet deputet dhe si i tillë, ai është i paprekshëm . Nëse një gjë e tillë është e vërtetë atëherë, kuptohet se misioni i caktuar nga ministri Aldo Bumçi për të monitoruar zgjedhjet dhe votimet në Federatë  do t’i shkaktojë një kosto shumë të madhe partisë në pushtet nga këto mostra dhe këta batakçinj e matrapazë që ngatërrojnë sportin me politikën, do të japin llogari para atyre, të cilëve i “blenë’’ votat me premtime. Është i papranueshëm fakti që me emërimin e Dash Bajazitit, përfaqësuesi i Partisë Republikane po goditet rëndë Kavaja, djepi i futbollit shqiptar. Emrat e lavdishëm të futbollistëve kavajas dhe tifozeria e tyre e zjarrtë  u goditën në këto katër vite, kur në krye të sportit erdhi njëri që zhgënjeu jo vetëm Kavajën, por gjithë klubet shqiptare. Ndërhyrjet, makinacionet dhe pazaret tregojnë se, duart e nxira nga korrupsioni nuk mund t’i pastrojë uji i kripur i plazhit të Golemit dhe as rëra e Plazhit të Gjeneralit.  Zv/ministri Bajaziti duhet të ndjejë keqardhje për  periudhën gati katër vjeçare që po drejton sportin  dhe është në të mirën e dinjitetit të tij të japë dorëheqje dhe të largohet. Kjo për shumë arsye dhe mbi të gjitha për përgjegjësinë morale apo paaftësinë e tij të ushtrimit të kompetencave, që nga momenti kur me dhjetëra sportistë janë përjashtuar  për përdorim dopingu, duke u hequr edhe medaljet. Sa turp dhe sa fyerje për mijëra e miliona shqiptarë kudo në botë. Por këtë turp duhet ta ndjejë më shumë se kurrë vetë ministri dhe zv/ministri i Sporteve.  Po ju citojmë ligjin, i cili fjalë për fjalë thotë : “Veprimtarinë kundër dopingut në Republikën e Shqipërisë e drejton Komisioni  Kombëtar Antidoping dhe i Etikës Sportive, që është një strukturë këshillimore e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” .  E pra, mjafton kjo, që ju zotërinj të nderuar të kishit marrë xhaketat që keni varur në atë ministri dhe të iknit nga sytë –këmbët. Po ju s’keni turp dhe për këtë do të merrni një mësim jo të vogël me votën popullore të Qershorit 2013, nëse Kryeministri nuk ndërhyn sa më shpejt të jetë e mundur. E nëse për të gjitha këto që thamë më sipër, mund të justifikohen, për futbollin, për padrejtësitë në gjykime, për dhunën, për shitjet-blerjet e ndeshjeve e shumë të tjera nuk ka justifikim. Si mundet që Shqipëria të jetë në listën e zezë të trukimeve të ndeshjeve nga  FIFA dhe UEFA dhe zv/ministri rri e kapardiset.  Fakti që drejtuesi më i lartë i Sportit nuk është në gjendje të bëjë edhe më minimalen për atë që ka pasur dikur pasion,  tregon dështimin e këtij dikasteri dhe zhvlerësim për ata që besuan tek ky individ.  Në ditët në vijim ne do t’ju njohim me faktet tronditëse të kësaj ministrie dhe Dashnor Bajazitit në procesin e monitorimit të zgjedhjeve, fondeve të shpërndara dhe atyre të djegura, në sport, trashëgiminë kulturore, ato të 100-vjetorit të Pavarësisë, koncerteve, këngëve të vjedhura  serbe, të drejtën e autorit e shumë e shumë të tjera. Po i kujtojmë drejtuesve të paaftë të këtij institucioni dhe zv/ministrit Bajaziti, se puna e tij duhej të ishte e bazuar vetëm në ligj dhe jo në qokat e tij personale. Në ligjin  për sportin  kapitulli “Shteti dhe Sporti”, Neni 8 thuhet : “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (e ka fjalën për Aldo Bumçin) harton dhe zbaton politikën shtetërore në fushën e sportit, plotëson dhe përmirëson kuadrin ligjor të sportit, administron fondet buxhetore për sportin dhe kontrollon përdorimin e tyre nga  organizatat sportive, bashkëpunon me to për zhvillimin e sportit në Republikën e Shqipërisë, duke respektuar pavarësinë e funksionimit të tyre, administron objektet  sportive publike, që ka në juridiksion dhe financon ndërtimin dhe mirëmbajtjen e mjediseve sportive”. Lexoje zoti Bajaziti se, mbase nuk ju ka rënë rasti ta shikoni dhe të kuptoni se edhe në sport gjithçka bazohet në ligj dhe jo në interesa personale. Deri më 23 Qershor 2013, Juve dhe ministrit Bumçi do t’u bëjmë prezente të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore që normojnë punën dhe aktivitetin e këtij institucioni, përkrahë atyre se çfarë është arritur nga programi qeveritar dhe realiteti shqiptar. Po e mbyllim me një fabul të të mirënjohurit Ali Bregu :

Ministrit dhe zv/ministrit të Sporteve

Ju, besnikë të partive,

Kush me vlera, kush pa vlera,

I kthyet mjediset sportive

Në disko e kafenera.