Ëngjëll Musai: Liria e medias dhe e shtypit përballë integritetit rrënues të Arkivit

240

Ëngjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut në artikullin 19-të të saj ka përcaktuar, se liria e fjalës dhe rrjedhimisht edhe liria e shtypit dhe e medias në përgjithësi, është një e drejtë themelore e njeriut. Zbatimi i këtyre parimeve bazë të lirisë së shtypit nga shtetet dhe qeveritë, të cilat e kanë nënshkruar këtë Deklaratë Universale, ka nevojë gjithashtu edhe për gazetarë profesionistë, të cilët e kryejnë punën e tyre duke u bazuar në standardet më të larta etike dhe profesionale të gazetarisë, duke botuar dhe transmetuar në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje, informacione të sakta, të paanshme dhe objektive për trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve dhe problemeve me të cilat përballet shoqëria shqiptare. Media e lirë dhe e pavarur do të duhet të shërbejë si pasqyrë jo vetëm për vetë shoqërinë, por për më tepër edhe për udhëheqësit politikë, drejtuesit e administratës dhe institucioneve publike që kanë humbur lidhjet dhe komunikimin normal me njëri tjetrin, mes institucioneve, si dhe kontaktet me shoqërinë, për interes të së cilës këta drejtues institucionesh janë zgjedhur që t’i mbrojnë dhe t’i përfaqësojnë. E bëmë këtë hyrje- leksion duke marrë shkak nga një deklaratë e një ish-kolegu të medias dhe shtypit, Ardit Bido, por që politika e pozicionoi në postin e Drejtorit të Arkivave të Shtetit. Dje, Drejtori i Arkivave të Shtetit, shprehu pakënaqësinë se, përse gazeta “Telegraf”, i kishte krijuar mundësinë një qytetari dhe një avokati për të shprehur shqetësimet që sipas tyre binin ndesh me aktivitetin ligjor të institucionit që z.Ardit Bido drejton, që nga koha e koalicionit politik të partisë ku ai ishte dikur zëdhënës i marrëdhënieve me shtypin. Sigurisht që kemi shumë për të thënë, në qoftë se do të nisemi nga ato çfarë kanë ndodhur në këtë institucion, një pjesë të mirë të së cilave edhe vetë z. Bido i ka konstatuar dhe për një pjesë edhe ka ndërhyrë me masa administrative. Madje z. Bido e di mirë se çfarë përfaqëson ky institucion dhe se çfarë interesash ofron tek të tretët. Nuk po merrem dhe nuk do ta bëja asnjëherë rolin as të prokurorit, as të gjykatësit, as të ndonjë sociologu të ndëshkuar publikisht, dhe as të parimit se ku është e drejta. Atë e bëjnë institucionet e taksapaguesve që ky popull i paguan nga djersa dhe mundi i tij. Ajo që më bën përshtypje ka të bëjë me faktin që z.Ardit Bido ishte i shqetësuar pse u botua një lajm, pse u publikua një kallëzim penal i bërë zyrtar në prokurori dhe nuk u mor me thelbin, se a ekziston ky shqetësim? A janë shkelur procedurat ligjore? A ka apo jo falsifikim dhe si do të realizohet dhënia e drejtësisë për një rast që është sinonim i dhjetëra dhe qindra rasteve të tilla, të ngjashme dhe abuziviste. Qytetarët këtë duan, madje këtë kërkonin dje edhe shoqatat e pronarëve në letrën e hapur dërguar Parlamentit Evropian dhe komisionerëve përgjegjës për Shqipërinë. Gazetarët, miku dhe ish-kolegu ynë Ardit, u japin zë të pazëshmëve, ekspozojnë padrejtësitë. U japin të gjithë qytetarëve mundësinë për të mësuar të vërtetën për administratën, shoqërinë dhe veprimtarinë qeveritare në përgjithësi si në Shqipëri por edhe kudo në botë. Këtë të drejtë e garanton edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ndaj Ju gabuat rëndë dje z. Ardit! Keni kohë të reflektoni para se të rihapen shumë nga dosjet e atij arkivi që, të shoqëruara më vonë me vendime gjyqësore, konvertohen në miliarda e miliarda lekë pasuri. Misioni që ju kryeni është të zbardhni të vërtetën dhe të luftoni korrupsionin. Misioni jonë si gazetari është të ekspozojmë padrejtësitë, abuzimin nga nëpunësit e pushtetit dhe të mos pushojmë për të kërkuar të vërtetën. Dhe të vërtetën në fund e jep vetëm drejtësia e pavarur. Po e mbyll ish-kolegu ynë Ardit duke ju cituar Uinson Çurçillin, 70 vite më parë, i cili ka thënë se: Shtypi i lirë është roja vigjilente e të gjitha të drejtave të tjera të njeriut, të drejta, të cilat çmohen dhe respektohen nga njerëzimi. Liria e shtypit, është armikja më e rrezikshme e tiranisë”. Mund të të citoj edhe pjesë nga leksionet e udhëheqësve të vendit më demokratik në botë që janë SHBA-të, por, nëse do ketë nevojë do t’ua transmetoj më vonë duke i deshifruar, po të jetë nevoja.