Engjell Musai: Lamtumirë Koli ,miku i të gjithë shqiptarëve!

607
Sigal

*Drejtor i Gazetes TELEGRAF

Shumë rrallë mund të të ndodhë në pluralizëm, kur bindjet politike janë të ndara, që vdekja e një njeriu të bashkojë kaq shumë njerëz. Që secili prej tyre të harrojë përkatësinë partiake dhe të mbulojë lotët me duar që të mos i duket  skuqja  e syve. Por kjo ndodhi dje, me politikanin, gazetarin, vëllain dhe mikun e të gjithë shqiptarëve, deputetin Sokol Olldashi. Në historikun e pluralizmit shqiptar, jeta e liderëve të politikës ka dëshmuar se ata kanë punuar shumë për t’i tërhequr qytetarët nëpër parti të ndryshme, duke i ndarë ata nëpër kampe të Majtë e të Djathtë. Ndërsa vdekja e Olldashit dëshmoi se ai ka punuar kurdoherë për t’i bashkuar shqiptarët duke shërbyer si çengel shprese për aspiratat dhe ëndrrat e tyre. Në punën e tij të përditshme rezultative, numërohet suksese reale, si gjatë kohës kur ishte ministër i Brendshëm apo i Transporteve, ashtu edhe në detyrat e tjera që ka kryer brenda një periudhe kohore të shkurtër.  Gazeta “Telegraf” gjatë kësaj periudhe ka bashkëpunuar vazhdimisht me këtë reformator të politikës, duke publikuar në faqet e  veta, projektet dhe rezultatet pozitive të punës së tij.  Në këtë bashkëpunim të ndërsjellë, ne krenoheshim me të. Dhe asnjëherë nuk e kishim menduar se do të vinte një ditë që të derdhnim kaq shumë lot për të, sepse ishim mësuar që Olldashi bënte pjesë tek njerëzit që na shtonte gjithmonë optimizmin. Megjithëse ai vetë ka kaluar vuajtje të rënda qysh në moshën 2-vjeçare të fëmijërisë, përsëri, e gjithë qenia e tij reflektonte besim tek jeta.  Duke qenë nipi i një figure politike të njohur, Olldashi e kuptoi qartazi se sa e tmerrshme ishte gijotina e politikës së mbrapshtë. Prandaj, ai kur u rrit u bë një reformator i zhvillimeve të ardhshme, si edhe një qiri drite për t’i treguar zyrtarëve rrugën e vërtetë për tek zemrat e njerëzve të thjeshtë.  Ai është lindur më 17 dhjetor 1972 në Durrës, ishte zgjedhur disa herë si deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe më vonë, u zgjodh si Ministër i Punëve Publike dhe Transportit në qeverinë shqiptare. Shkollimin e mesëm e ka kryer në vendlindje ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995-n dhe në vitin 2004, Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave. Por në moshën 41- vjeçare, koha ndali në mes akrepat e orëve dhe në 20 nëntor zemra e tij pushoi së rrahuri. Lamtumirë, miku i të gjithë shqiptarëve, sepse gazeta “Telegraf”, do të mbetet përherë një faqe e hapur për vlerësimin e punës dhe për nderimin e rrugës tënde !