Engjëll Musai/ Kur të mbyll derën dhe perëndimi

57
Shqipërisë t’i ndërpritet antarësimi në BE për shkak të korrupsionit. Kjo është deklarata më e ashpër dhe e drejtpërdrejtë që europiano-perëndimorët i kanë bërë Tiranës zyrtare në këto 25 vite. Të mos harrojmë që kjo “bombë” vjen nga dy grupime të fuqishme, sikurse janë të djathtët francezë dhe italianë. Kjo deklaratë e pritur, por e bërë publike dhe e thënë troç vjen 1 ditë përpara se Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian të marrë në shqyrtim raport-progresin e Knut Fleckenstein për Shqipërinë. Këto dy grupime kanë paraqitur kërkesat e tyre në formë amendamentesh. Ky alarm i dhënë nga dy grupimet më me potencë në Europë nuk mund të anashkalohet, por kërkojnë vlerësim dhe përgjegjësi nga ana e qeverisë aq më tepër që dekriminalizimi po shikohet si një slogan, ndërkohë që ai duhet të jetë një motiv që t’i themi njëherë e mirë ndal maskaradës dhe babëzisë që grupet e krimit ordiner dhe ata të organizuar po ushtrojnë mbi politikën dhe pasuritë kombëtare të vendit. Madje kjo situatë e krimit dhe korrupsionit ka marrë përmasa të tilla, saqë edhe vetë qytetarët po mendojnë dhe po aludojnë mbi vlerat dhe antivlerat e kësaj “DEMOKRACIE”. Aq e vërtetë është kjo saqë njerëzit kanë filluar t’i referohen kohës së diktaturës duke ngritur vlerat e saj në krahasim më këtë të sotmen. Pikërisht kjo ishte arsyeja që Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, në takimin e Mynihut, në Shkurt 2014, në lidhje me korrupsionin me të cilin po përballen vendet e Europës Juglindore e Qendrore theksoi “Fakti është që vërejmë një prirje shqetësuese në shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore si dhe në Ballkan. Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarkike, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”, mbyll analizën e tij Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. Pikërisht këto ishin arsyet që më 17 Dhjetor 2013, Këshilli i Europës shtyu me 6 muaj statusin e vendit kandidat. Dhënia e statusit më 24 Qershor 2014 la në fuqi 5 pikat kryesore të cilat z. Stefan Fyle, në atë kohë, i cilësojë tejet të rëndsishme dhe se me to nuk do bëhet më kompromis për çfardolloj shkaku dhe arsyeje. Kjo duhet të jetë e qartë për politikën e Tiranës zyrtare. Pesë pikat ishin: Reforma Administrative, Korrupsioni, Krimi, Pavarësia e Gjyqësorit, të drejtat dhe liritë e njeriut, pronës, trajtimi i romëve etj. Nga të gjitha këto në një kohë rekord dhe për interesa tërësisht personale, politike dhe klienteliste qeverisja e Rilindjes realizoi vetëm Reformën Administrative, ku do caktohen 61 bejlerët dhe agallarët e rinj të pushtetit vendor shqiptar. Por çfarë thotë amendamenti i “Lega Nord” për Shqipërinë? “E kërkojmë këtë qënndim ndaj Shqipërisë duke pasur parasysh dobësitë e vazhdueshme të gjyqësorit, korrupsionin në shkallë të lartë, prezencën e fortë të krimit të organizuar, mungesën e mbrojtjes së minoriteteve, diskriminimin kryesisht të grave, mungesën e transparencës në financimin e medias, duke konsideruar rritjen e papunësisë dhe çështjet që lidhen me kushtet e tregut të punës”, thuhet në këtë amendament. Këto janë probleme dhe shqetësime të cilat shqiptarët i diskutojnë çdo ditë dhe po i pasqyrojnë në media dhe shtypin e lirë. Në të njëjtën linjë dhe për të njëjtat arsye edhe grupimi i djathtë “Fronti Nacional” në Francë mendon që Shqipëria të reformohet jashtë BE-së, të paktën edhe për 5 vjet. Kjo situatë bëhet edhe më e rëndë dhe e qëllimshme nga vetë politikanët të cilve u intereson debati, konflikti dhe grabitja e pasurisë kombëtare. Dhe për t’i lidhur duart Drejtësisë dhe Prokurorisë ata sulmojnë papushim organin e akuzës. Pikërisht këto këshilla pat dhënë për politikën shqiptare më 31 Janar 2014 edhe ish -Drejtori për Europën Juglindore në Departamentin amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, i cili kërkoi që Qeveria dhe Opozita në Shqipëri të bashkëpunojnë pasi të bashkuar, qeveria me opozitën kanë shansin që të punojë intensivisht për çështjet që kanë të bëjnë me shtetin ligjor. Ndërsa në lidhje me korrupsionin në vendin tonë, ai tha: “Të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që, ata që kanë pushtetin sot të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë. Të luftosh korrupsionin dhe të konsolidosh shtetin ligjor duhet bërë përmes ngritjes së akuzave nga prokurorët, nëse ka nevojë për ngritje akuzash. Nuk duhet bërë fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve”. Sot pas 1 viti e gjysëm ne jemi në pozita edhe më të këqia dhe se situata në vend është rënduar për shkakt të klientelizmit, krimit shtetëror dhe korrupsionit të ministrave dhe pushteraëve të Rilindjes, të cilët shkelën mbi besimin e 1 milion shqiptarëve.