Ëngjëll Musai: Kolegji, gracka e Ramës për të fundosur Bashën

570
Ëngjëll Musai
Drejtor i “Telegraf”
Dita e djeshme ishte afati i fundit për marrëveshjen e madhe dhe të shumëpritur mes pozitës dhe opozitës. Pikërisht për të anashkaluar faktin se, cila nga partitë e mëdha do të merrte iniciativën e thirrjes së tryezës u gjend një modalitet, ku iniciativën do t’ia linin partive të vogla aleate dhe, në këtë mënyrë, imazhi i Ramës dhe Bashës shpëtonte disi nga kritikët e të dyja palëve. Tryeza e mbledhur dje në mbrëmje do të diskutonte vetëm mbi bazën e paketës “McAllister Plus”, e cila ishte një ndërthurje mes paketës së ofruar nga gjermani McAllister dhe shtesave të bëra nga Nën/ndihmës sekretari amerikan Hoyt Yee. Kjo paketë do ishte e padiskutueshme në zbatim dhe do kalonte sipas bisedimeve paraprake mes PD-PS dhe amerikanit Hoyt YEE, si paketë bllok dhe askush nuk kishte të drejtën të ndryshonte qoftë edhe një pikë të veçantë. E vetmja pikë që do bënte përjashtim ishte pika pesë, pasi Presidenti i Republikës u zgjodh dhe kjo pikë konsiderohet një marrëveshje e pranuar. Megjithëse partitë e grupimit të pozitës dhe opozitës u mblodhën, përsëri nuk u arrit asnjë marrëveshje sepse Rama i kërkoi Bashës takim kokë më kokë për të diskutuar ndoshta një zgjidhje të butë në plan të parë, por që me sa duket e ka “helmin” brenda. E theksoj se kjo situatë dhe kjo marrëveshje e fshehtë tet a-tet mes Ramës dhe Bashës ka brenda elemente të pa sinqeritetit politik, moral dhe etik. Pse e them një gjë të tillë? Rama ndoshta i kërkon Bashës që fatin, përgjegjësinë dhe kusuret t’i marë Kolegji Zgjedhor, i cili sot me dy trupa të ndryshme gjykuese do të vendosë ligjshmërinë ose paligjshmërine e regjistrimit të emrave të subjekteve elektorale. Pikërisht këtu qëndron edhe “pabesia “ e Ramës, i cili edhe në këto çaste delikate do të kërkojë të mos humbasë “kauzën” e vetingut për të cilën edhe vetë është i ndërgjegjshëm, se është një show i sajuar prej tij, pasi ai është njeriu që ka uzurpuar, dhunuar dhe përçmuar gjyqësorin. Është personi që ka sjellë në strukturat drejtuese të partisë, kryesi, asamble, deputetë, bashki e kudo ish drejtuesit më të lartë të prokurorisë, gjyqësorit dhe KLD-së militantët që i shërbenin në fshehtësi. Por deklarata e opozitës, se ne do e votojmë Vetingun, ia rrëzon të gjithë alibinë, se opozita nuk e do ligjin. Në këto rrethana, për të ruajtur këtë kauzë, të cilën ai e shiti shtrenjtë gjatë këtyre muajve Rama dje mbrëma ngriti grackën që do e fundoste PD dhe vetë Bashën. Sipas strategjisë politike të Ramës, do i kërkohet Bashës që të dyja palët të mos ndihen deri sot, sa të japin vendimin Kolegjet Zgjedhore. Kolegjet do “udhëzohen” ta quajnë të kundërligjshme regjistrimin e të majtës dhe aleatëve të saj dhe në këtë mënyrë hyn automatikisht në fuqi paketa “McAllister Plus” që kërkon PD. Në pamje të jashtme kjo duket sikur i shuan përplasjet dhe i jep zgjidhje krizës, por Rama pikërisht këtu ka triumfuar, duke rimarrë atë që PD ia hoqi nga duart, kauzën e Vetingut. Menjëherë pas marrëveshjes Edi Rama do t’i bëjë thirrje elektoratit dhe votuesve që ne na shkatërroi Kolegji Zgjedhor, i cili është i kapur nga PD dhe njerëzit e Berishës etj. Kjo është arsyeja, do të thotë Rama, që Vetingu vazhdon, që unë kisha të drejtë kur deklaroja të bëhej Veting për të larguar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Pikërisht, në këtë gropë të madhe vdekjeprurëse elektorale nuk duhet të bjerë opozita dhe Basha, por të kërkojnë zbatimin e paketës “McAllister Plus”, si e vetmja rrugë për të dalë nga kriza dhe e pranuar tashmë ndërkombëtarisht.
Sigal