Ëngjëll Musai: Kodi Procedurës Penale, drejtësia, policia dhe gjyqet partizane

600
Ëngjëll Musai, drejtor i gazetës “Telegraf”
Ngjarja e fundit në “Rrugën e Kombit”, revolta qytetare dhe djegia e sporteleve, që do taksonin automjetet në vendin e quajtur “Tolli” – Kalimash, Kukës u shoqërua me arrestimin e 23 personave. Në bazë të nenit 245/2 të K. Pr. Penale, i cili parashikon se, kur vepra penale është kryer nga dy ose më shumë persona, gjykata disponon me një vendim, seanca gjyqësore duhet të zhvillohet për të 23 të arrestuarit njëkohësisht në mënyrë që gjykata të disponojë me një vendim për të gjithë të arrestuarit. Në këto kushte, gjyqtarja e çështjes Alma Ahmeti bazuar në nenin 28 të Kushtetutës dhe neneve 227 dhe 259 të K. Pr. Penale që rregullojnë vlerësimin dhe caktimin e masës të sigurimit e kërkojnë si domosdoshmëri paraqitjen dhe dëgjimin e personave të ndaluar, për t’i komunikuar shkaqet ndalimit, arrestimit dhe për t’u dhënë mundësi mbrojtjeje. Por një gjykim i tillë, sipas gjyqtares Ahmeti është e pamundur, pasi policia, sipas saj, nuk i merr përsipër transferimin e të arrestuarve drejt Kukësit. Madje policia deklaron edhe tre shkaqet, që sipas saj, e bëjnë të pamundur këtë shoqërim, që sipas tyre ndodh:
1- Komisariati nuk ka mjete të mjaftueshme transporti. Kjo gjë që përbën një turp dhe një skandal, pasi të pretendosh të shkosh në BE dhe nuk ke dy mjete transporti për policinë, kjo vetëm në Shqipëri ndodh. Po mirë, nëse nuk ke mjete, le t’i shoqërojnë ata që i ndaluan apo për ndalim patën mjete dhe për shoqërim nuk paska mjete?!
2- Në ambientet e Komisariatit nuk ka vend, thotë policia. Po çojini në paraburgimin ose në burgun e Lezhës, pse në Tiranë?
3- Policia deklaron në lidhje më të arrestuarit që, duke qenë se këta të fundit janë banorë të rrethit Kukës mund të ketë reagim nga familjarët e tyre, që mbështeten masivisht nga pushteti vendor (Këshilli Bashkiak). 
Po kush e lejon shefin e komisariatit të përcaktojë se ku duhet bërë gjykimi? Atë e ka vendosur ligjvënësi dhe jo policia. Nga ana tjetër, policia hedh akuza të rënda, duke përbaltur pushtetin vendor dhe Këshillin Bashkiak. Ku e gjen këtë të drejtë policia? Nëse ke fakte denoncoi në prokurori. Nga ana tjetër, nëse qytetarët e një zone apo të një vendi përkrahen nga pushteti vendor dhe këshilltarët bashkiakë, atëherë kjo do të thotë se banorët kanë të drejtë dhe se pushteti është i qytetarëve, i mbarë popullit dhe menaxhohet e drejtohet nga të zgjedhurit e vet nëpërmjet pushtetit lokal.
Sigurisht, që po t’i shtojmë veprimeve të policisë edhe orën e arrestimit në mesnatë, atëherë urgjentisht Avokati i Popullit, shoqëria civile, partitë politike, pushteti lokal duhet të nisin denoncimet për fillimin e hetimeve për aksionin e policisë, i ngjashëm me atë të gestapos dhe diktaturës. Gjyqtarja e çështjes ka marrë vetë vendimin për ta gjykuar çështjen në Tiranë dhe për këtë shumë shpejt do të gjykohet dhe do të mbajë përgjegjësi të rëndë ligjore për veprimin e saj të kundërligjshëm. Ajo e di shumë mirë se kërkesën për gjykim në një rreth tjetër për shkaqe madhore duhet t’ia adresojë Gjykatës së Lartë dhe jo Ministrisë së Drejtësisë, KLD apo Qeverisë. Është prokuroria ajo që duhet të kërkojë ndryshimin e argumentuar të gjykimit dhe jo gjyqtarja e çështjes. Por ky procedim nxjerr në pah edhe falsitetin e vettingut shqiptar dhe ndryshimet e K. Pr. Penale, i cili dikur i jepte mundësinë e gjykimit individual ose me grupe të çështjeve më numër të lartë pjesëmarrësish, sikurse ndodh në rastet e manifestimeve, revoltave, grevave masive, protestave etj. Po ndryshimet e fundit të K. Pr. Penale treguan se sa naiv ishin ata që projektuan këto ndryshime. E vetmja gjë që i ka mbetur kësaj drejtësie – shtet është të na rikthejnë gjyqet famëkeqe në kinema, në sallat e pallatit të sportit, stadium apo gjyqet partizane dhe ato kooperativiste në male dhe fusha. Flitet se pagesa për dëmin e shkaktuar do paguhet nga taksapaguesit. E përse duhet t’i paguajnë qytetarët, kur është detyrim i kompanive private të sigurohen përpara se të fillojnë aktivitetin dhe t’ua paguajnë kompanitë e sigurimeve. Nëse shteti vendos t’i paguajë dëmet, një ditë ata që do firmosin këto zhdëmtime, por edhe ata që caktuan gjykimin në kundërshtim me K. Pr. P, shpejt apo vonë, do të shkojnë atje, ku sot janë 23 të arrestuarit e mesnatës së 1 prillit 2018.
Sigal