Engjëll MUSAI/ Karvani apo kopeja e ujqërve?!

891
Diktatura dhe diktatorët nuk kanë brirë, por ata bëhen të tillë kur populli hesht dhe kur parimet e demokracisë shkelen, përbuzen, dhunohen, përdhunohen dhe se liria e tyre bëhet e pakufishme duke zëvendësuar jo vetëm lirinë e individit që ke përballë apo anash, por të mbarë shoqërisë. Këta diktatorë në tërësi janë mediokër, me probleme të theksuara nga e kaluara, të prapambetur në arsim, të dështuar në kulturë, sport dhe evenimentet e tjera të jetës dhe shoqërisë. Këto personazhe tentojnë të marrin rolin e liderit, sepse ata që e rrethojnë e quajnë të magjishëm, e quajnë udhëheqës, pavarësisht se mund të jenë udhëhumbës të sigurtë. Dhe këta njerëz për të realizuar qëllimet e tyre mundohen të bëjnë të zezën të bardhë, megjithëse ajo të nxinë më shumë se qymyri, të thonë se do hash me “Lugë Floriri” po tasi prej balte që të vënë përpara është bosh. Këta njerëz deklarojnë se do bëjnë shtet dhe kjo për të mirën e qytetarëve duke ua shtrënguar çdo ditë litarin në fyt për pushtetin e tyre, se që të bësh shtet fjala bie është normale, por nëse shteti i çon qytetarët deri në vetëflijim, atëherë përse më duhet mua ky shtet, kur qëllimi i tij është të zbusë varfërinë dhe të sigurojë jetën dhe jo ta marri atë. Përse duhet shteti për të bërë disa milioner dhe për të çuar në skamje dhe mjerim shumicën e popullsisë. Ja pra, po fole për këto quhesh “qen që leh”, sepse i prishë punë karvanit që po mbushë thasët dhe magazinën me para. 



Dhe njerëzit duhet të heshtin, kundërshtarët politikë të mbyllin gojën (ndoshta këtu kanë të drejtë se ja dinë mirë zullumet njëri-tjetrit), ekspertët të mos u mbushin mendjen mediokërve të administratës, media jo e jo nuk duhet të denoncojë. Dhe nëse ndodh e kundërta i prishet punë “Karvanit”, që nuk paska të ngopur. Të gjithë e donin reformën në OSSHE, në lidhje me pagesat dhe se duhej thënë stop vjedhjes së saj, të ujit, të taksave etj. Por kjo nuk e justifikon faktin se ti duhet të kalosh në ekstremin tjetër dhe i burgosë, sepse qytetarët nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë, se janë pa punë, se po ikin të punojnë jashtë shtetit dhe ti si “Lid-err” i thua ndërkombëtarëve se këtu ka punë, por mungojnë specialistët. Dhe Europa t’i kthen mbrapsht, megjithëse ata kanë shitur shtëpi e katandi dhe nuk kanë ku të mbyten me ardhjen në Shqipëri. Nga ana tjetër, ti i falë 600 milionë euro kompanisë më të poshtër koncesionarë që ishte CEZ, të cilën na e solli peshqesh PD-ja para fushatës elektorale dhe e largojë ‘Rilindja’ me thasët e mbushur si mos më mirë. E po fole, ti etiketohesh si qen që leh, sepse po na tremb karvanin që nuk ka të ndalur në skandalet dhe marrëzitë e veta. 

Po faturat afrofe, pse i harrove? Apo këto i hanë fakir-fukarenjtë. Shqiptarët duhet të mos flasin as për bankat që vidhen, as për të vetmin aeroport që kemi kur shpartallohet dhe grabiten paratë, madje nuk duhet të flasim as bankierët dhe rojet e Bankës së Shtetit vjedhin bankën që e kanë për detyrë ta ruajnë. Dhe po fole, bën gabim se “Kar-vani” na trembet dhe na prishet imazhi i vendit. Bankat e nivelit dytë marrin para të vjetruara që janë në duart e qytetarëve, të cilat siç flitet nën zë janë nga ato që janë vjedhur në kohën e Fullanit, por me 20% të vlerës më pakë, a thua se paratë i prodhuan shqiptarët dhe jo Banka. Dhe përsëri nuk duhet të flasësh se konsiderohesh si prishës i rendit dhe qetësisë së Karvanit. Kemi plot 25 vjet që prona vidhet, grabitet, legalizohet, hipotekat janë kthyer një vend që konsumojnë vetëm letra fallco dhe korrektorë të bardhë për prishje emrash, por ne prapë nuk duhet të flasim se i prishim drejtimin karvanit. Por këta zaptues të pronave po i japin tokat e zaptuara para dhe pas legalizimit me përqindje tek ndërtuesit e pallateve dhe kanë siguruar shtëpi, lokale dhe shesin edhe apartamentet që i dalin tepër. Me lekët e shitjes blejnë vendet e punës në Dogana, Tatime, Polici, Ambasada dhe kudo. Dhe ne përsëri nuk duhet të flasim sepse konsiderohesh nga udhëhumbësi si qen që leh dhe nuk lejon karvanin të ecë përpara. Bilanci drithërues i këtij çerekshekulli, edhe më optimistët i ka kthyer në shpresë thyer, duke marrë arratinë! 

Gjuha e politikës shigjeton ata që i kanë mashtruar dhe jo ata që e kanë e shkaktuar! Me gjithë deformimin e dallaveret, trafikun e votës së zgjedhësit, rezulton bilanci më drithërues: Me vdekjen, të vrarët, me dhe pa kallash, por shumica me Kollare-Kolltuk-Karriget e gati, 11 mijë viktimave shqiptarëve, e cila përbën një dramë! E përsëri karvani nuk duhet shqetësuar. Liderin aktualë të “Rilindjes” shqiptarët nëpërmjet votës plebishitare e sollën në krye që të udhëheqë më mirë dhe në mënyrë të barabartë. Udhëhumbësit ju dha besimi që të ndërtonim atë që nuk kishim dhe jo të na prishte edhe atë të mirë që kishim. U shkatërrua bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku në vend të pllakave si vlerë historike u shtrua nga bashkia e majtë e Ramës asfalti elektoral. Sikur të mos mjaftonte kjo qeveria e djathtë e Partisë Demokratike vajti dhe vendosi bustin e tradhtarit të kombit Ahmet Zogu për të treguar se tradhtarët serbë janë të pavdekshëm, ndërkohë që Heroi Kombëtar i pavarësisë së vendit, Ismail Qemali vazhdon të jetë i fshehur diku në një nga skutat e këtij bulevardi. Dhe në vend të vendosnin emrin e Ismail Qemalit vendosën atë të tradhtarit, që iku me florinjtë me vete. Por edhe për bulevardin nuk duhet të flasim, pavarësisht se po zaptohet i tëri sikurse sheshi “Nënë Tereza”. Se po folëm, karvanit nuk i del bulevardi dhe na prishet drejtimi. Lideri na tregon botën në perëndim, të cilën ai dikur nuk kishte shanse ta shikonte sepse ato ishin mbi tokë dhe jo poshtë urave të qyteteve. Në perëndim gjithçka tradicionale ruhet me fanatizëm, madje edhe modernia kur bëhet imiton në fragmente të veçanta traditën dhe Harku i Triumfit në pjesën moderne të Parisit është një imitim i tillë. 

Ndërsa këtu prishen kinematë, sheshet, kishat, xhamitë, tregjet, varret, stadiumet, fushat e sportit, lulishtet e kryeqytetit, spitali ushtarak, ndërtesat e kulturës dhe trashëgimisë së artit ushtarak kthehen në seli partie, në vend të mbjelljes së ullinjve tradicionalë harxhohen miliona euro për të blerë palma në Kinë. Kjo marrëzi, ku më shumë e ku më pak ka ndodhur dje nën drejtimin e Partisë Demokratike dhe vazhdon edhe sot me “Rilindasit”. Kam parasysh Klubin “Partzani”, Kompleksin Dinamo, Liqenin, shtëpitë muze, lapidarët e heronjve të LANÇ, kinema 17 Nëntori, Republika, etj., etj. Dhe përsëri nuk duhet të flasësh, sepse i prishet terezia, por edhe gjumi atyre që po ecin dhe formojnë karvanin. Si mund t’i thuhet të huajve që ejani dhe investoni, kur ke 6 muaj që nën pretekstin e ndeshjeve të kombëtares bllokove sheshin “Nënë Tereza” dhe e ke kthyer në mejhane dhe qoftexhinj vendin elitë të këtij kombi? Aty janë 3 universitetet me të rëndësishme të vendit, Politekniku i Tiranës dhe ai i Arteve të Bukura. Po për Sheratonin që e keni bllokuar, kush do e mbajë përgjegjësinë. Apo edhe për këto nuk duhet shqetësuar karvani dhe kryekarvanisti. Ja pra, që të jesh “Lider’ apo “Udhëheqës” nuk është kollaj. Udhëheqës bëhesh duke udhëhequr njerëzit drejtë arritjeve, jo duke i hedhur ata greminave! Njeriu i sotëm “me çallmën” e shtetit ka lakmi, deri dhe në grykësi, për t’u bërë dikush edhe pse e di që nuk është askush! Ai mundet të bëhet duke grabitur i pasur në xhep, por në kokë dhe në shpirt do të mbetet i varfër! I madhi Prof. Skënder Luarasi mes shumë e shumë vlerave në studimet e tij ka lënë thënie, të cilat vështirë se mund të harrohen: Bota nuk ka heronj dhe i formon prej balte.


 Ne, i kemi heronjtë dhe i baltosim ose i prishim që të harrohen. E megjithatë “koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve, “do të thoshte poeti i madh Ali Asllani”. Por Shqipëria është si një rrap madhështor, që nuk do të tronditet nga disa gjethe rrapi që ia shtien ata që janë sezonalë, sepse ata nuk janë udhëheqës, por udhëhumbës, të cilët po lehin së bashku me tufën e kopesë së ujqërve, por që u pëlqen ta quajnë “Karvan”. Ata po lehin çdo ditë dhe zërat e tyre po i dëgjon një botë e tërë. Ata po ulërasin dhe më mirë se kushdo e dëgjon populli që po varfërohet çdo ditë. Familjarët po përdhunohen nga modeli “Shukri” për një vend pune dhe minimalisht nuk kërkohet falje që ju sollëm në krye një batakçi. Krime makabër, ku një i sëmurë psikik që nxirret nga spitali psikiatrik dhe i pret kokën fëmijës apo një i burgosur lirohet e vret turistë dhe ne përsëri nuk duhet t’i prishim qetësinë “Karvanit” të kopesë së ujqërve, që ka filluar të lehë pa pushim. Dhe kryekarvanisti ndryshon shumë nga udhëheqësi. Udhëheqësi ka “karakter” dhe karakteri për njeriun që përfaqëson shtetin dhe qytetarët është primare. Ata duhet ta konsiderojnë veten njerëz në shërbim të qytetarëve dhe jo të kapardisur nëpër zyrat e shtetit, si kalvar mbi taksapaguesin! Karakteri nuk është dhunti, e as dhuratë. Karakteri sjell suksesin e qëndrueshëm për individin dhe bashkësinë. Udhëheqësit duhet t’u japin shpresë të tjerëve, edhe të pashpresëve dhe jo t’i detyrojë të shkojnë drejt flijimit. E rëndësishme është të mendojnë për të tjerët, të ndihen si ata, të dalin dhe të shohin radhët e gjata përpara zyrave, nëpër gjyqe duke paguar për të marrë pronën e tyre tek nëpunësit maskarenj të administratës shtetërore. Udhëheqës është ai që ndihet, shihet dhe “shitet” si qytetar! Napoleon Bonaparti i quante udhëheqësit, “Tregtarë të shpresës”! Po udhëheqësi ynë, a i ndan gëzimet dhe hidhërimet me të tjerët? A është i pranishëm pranë gëzimit dhe lëndimit të tyre, sepse udhëheqës është ai që nuk mund të jetë i qetë dhe të ndihet i lumtur në salltanetet e tij, mes varfërisë dhe shkretëtirës, i rrethuar nga klithmat e fëmijëve, që s’kanë mese t’i ushqejnë nënat e tyre, të mbytura në lot! E pra ne e kemi këtë udhëheqës? Sigurisht që jo. Ne kemi udhëhumbësa, që bashkë me bandat e tyre po e rrjepin çdo ditë këtë vend. Ndërsa ata që ulërasin dhe thonë të mos lehni, nuk janë gjë tjetër vetëm një “karvan me kope ujqërish”, që lehin natë e ditë pa u thënë kush puna e mbarë, por vazhdojnë të ecin të ngarkuar me pasurinë e shqiptarëve. 
Sigal

Drejtor i Gazetës “Telegraf”