Ëngjëll Musai: Godina e “SHQUP”-it simbol i demokracisë apo i vazhdimësisë së puçeve

535
Përfundimi i zgjedhjeve të përgjithshme 2017 dhe publikimi paraprak i rezultateve të tyre nga kreu i KQZ-së u pasua me shpërthimin emocional të liderëve kryesorë të kësaj fushate. Në njërin krah ishte mitingu fitues i socialistëve dhe fjalimit përshëndetës i z. Rama dhe nga ana tjetër, sytë dhe mendja ishin përqendruar tek SHQUP-i, ish – selia blu, e cila tashmë është tjetërsuar në ngjyrë mavi duke humbur identitetin, shpirtin dhe simbolin e demokratëve në këto 27 vite themelimi, pra tek z.Basha. Sigurisht që për ceremoninë e Ramës nuk mund të flasim për momentin, sepse fituesi në fund të fundit nuk gjykohet. Kjo kurrsesi nuk do të thotë, se këto zgjedhje nuk do analizohen, si për qëndrimin e policisë, përfshirjen e elementëve kriminal, blerjen e votës etj. Për këto ngjarje duhen analiza të hollësishme dhe të specializuara që do jenë pjesë e strategjisë së opozitës së madhe dhe që në fund të fundit Shqipëria nga shtatori do të ketë avokatin më të madh të tij në këto vite demokracie. 
Nata e 17 Majit 2017: Kalova lumin të …çadrën
– Protesta e demokratëve që nisi me ngujimin në “Çadër”, megjithëse filloi e vakët arriti që në prag të zgjedhjeve të sensibilizonte faktorin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Përpjekjet evropiane dhe përfaqësuesve të tyre në Tiranë nuk arritën ta bindnin z.Basha të dilte nga çadra pasi me të drejtë z. Basha donte garanci për zgjedhje të drejta,të lira dhe të garantuara nga mafia, kontrabanda, koncesionet dhe trafikantët e hashashit fitimet e të cilave sikurse janë bërë publike nga raportet dhe mediat ndërkombëtare mbi 3 miliardë euro. Pikërisht kjo shumë marramendëse dhe shpresa e njerëzve të varfër për t’i rimbjellë edhe një herë tokat me hashash mundet të bënte që vota masive të shkonte tek partia në pushtet e Edi Ramës. Pikërisht këtij aksioni megjithëse me vonesë ju bashkuan edhe faktorë të politikës së brendshme dhe asaj euroatlantike. Vizitat e negociatorit gjerman, njëkohësisht Eurodeputet David Mekalister dhe Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee e bindën më në fund Kreun e Demokratëve të pranonte paketën Mekalister plus. 
– U deshën plot tre orë që Rama dhe Basha të ulur kokë më kokë të vendosnin natën e 17 majit në të gdhirë të datës 18 Maj, jo vetëm për fatin e çadrës së vendosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, por edhe të ndanin tortën qeveritare ku veç 6 ministrave morën si kompensim edhe disa drejtori, të cilat janë konsideruar si vende ku bëhen ndere dhe qarkullojnë milionat e taksapaguesve. Mirë ministritë, KQZ, Avokati i Popullit por drejtorit për çfarë i duheshin Bashës? Cili ishte qëllimi i vërtetë i Ramës që i ofroikëto poste me para? Dhe shpjegimi është i qartë dhe nuk ka nevojë për komente. Me këto poste Rama i mbyli gojën Bashës, në mënyrë që ky i fundit të heshtte për babëzinë e tenderëve dhe miliardave të taksapaguesve shqiptarë dhe ministrat e PS të dilnin të larë nga kjo mesele. Rama dhe Basha treguan se janë që të dy arrogantë. Të dy arrogantë dhe diktatorialë. Unë do isha më shumë i shqetësuar, jo për marrëveshjen e njoftuar, por për ato bisedimet prej tri orësh, kokë-kokë, për të cilat nuk dhanë asnjë shpjegim. Nuk e ndjejnë të nevojshme t’u japin votuesve asnjë shpjegim?! Me pak fjalë; marrveshja e natës Rama-Basha, as më pak dhe as më shumë do të thoshte: ” Lala Kros, o Lala Kros, vetë shkruaj e vetë vulos”… 

Listat e natës që sollën katastrofën e ditës së 25 Qershorit për demokratët
Listat e natës së së 26 Majit u paraprinë nga një tjetër listë ministrash dhe drejtori tepsie që Basha gjeti në tavolinën e Ramës. Kjo listë u parapri me fjalimin e Bashës, i cili tha se, Opozita është e garantuar dhe se nuk do të ketë vjedhje votash, trafikim të tyre dhe elementët kriminalë do të marrin ndëshkimin e merituar. Kush ia dha këtë garanci Bashës, me kë u konsultua ai, çfarë detyrash morën ministrat, ato që u jep ligji apo detyra veshi nga vetë Basha. Të gjithë jemi koshientë që Basha u bë palë me Ramën dhe kryqëzuan LSI-në, i hoqën nga puna dhe u zëvendësuan një pjesë me njerëzit e PS-së dhe një pjesë me anonimë. Po pse për këtë gjë u fut në çadër Basha? Po pse e harroi Basha faktin që kreu i LSI-së, ishte njeriu që u përplas me Ramën, pikërisht për faktin se nuk pranonte të shkohej në zgjedhje pa opozitën. Kjo është, jo vetëm mungesë etike dhe respekti, por edhe një “tradhti” ndaj normave demokratike për të cilën të gjithë duhet të jemi të përkushtuar. Pse heshtte Basha kur policia, bandat kriminale dhe kontrabandistët rrihnin, qëllonin me armë dhe u bëhej presion anëtarëve të LSI? Po ministri Brendshëm dhe ZV/Kryeministria për çfarë kishin hipur në atë kolltuk? Po ministri më sharlatan i drejtësisë, në vend që të merrej me shkeljen e të drejtave dhe ligjit merrej me shkarkime drejtorësh duke i ndarë postet me sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë. Pra një lojë e pistë dhe e pandershme për një vend demokratik dhe për një njeri që pretendon se vjen nga kultura perëndimore. Gjatë koalicionit të heshtjes Rama-Basha, një nga miqtë e facebook-ut në ato ditë të nxehta të fushatës së dhunës ndaj njerëzve të LSI-së shkruante: “Basha je bashkë me Ramën puthador i Sorosit… kjo ishte arsyeja që kur erdhe në Bashki falë mbështetjes së Ilir Metës nuk hape një dosje të paraardhësit tënd Rama, … madje as atë të Bulevardit që edhe sot vazhdon të nxjerrë pllakat… Kur erdhi Veliaj nuk hapi qoftë edhe një dosje nga të tuat. Dhe tani kuptohet pse Ju e shitët Dr. Halim Kosovën. E shitët pabesisht, sepse udhëzimi nga Sorosi ishte të mos rrezikohej fitorja e Veliajt…”

Humbja katastrofike e PD-së më 25 Qershor.
Njerëzit më të afërt të Bashës shpresonni tek fjalët e Ramës menjëherë pas marrëveshjes së 26 Majit se bashkëpunimi me Bashën do shtrihet përtej ditës së zgjedhjeve. Kjo situatë i vuri në gjumë demokratët duke menduar që këta i kanë bërë “pazaret” dhe nuk ja vlen të shkojmë në zgjedhje. Nga ana tjetër, listat e turpit dhe thashethemnaja se për disa prej tyre, sidomos në Vlorë, janë paguar shuma të majme për të qenë në vendet prioritare, ishte një tjetër arsye se përse demokratët e thjeshtë nuk u bënë pjesë e kësaj maskarade të ideuar nga kreu i selisë mavi-blu. U bllokuan faktikisht koalicionet e propozuara nga Rama, pasi ai do ishte më i godituri dhe se një koalicion PD-LSI-PDIU-Libra edhe me këto vota të marra në zgjedhjet e 25 Qershorit e nxirrnin këtë koalicion me 75 vota dhe PS me 65 vota. Po të llogarisim edhe efektin që kjo marrëveshje do kishte tek elektorati, si dhe listën më gjithëpërfshirëse ku PD do të ishte në rolin kryesor të lokomotivës së koalicionit, do të bënte që koalicioni i udhëhequr nga PD mund të kalonte mbi 85 mandate. Fakti që të gjitha këto shifra u bënë zero nga vetë Basha, tregon se ky i fundit diku në qarqet të caktuara, ndoshta sorosian , “ka gëlltitur një lugë çorbë dhe që do i duhet ta vjellë tërë jetën”.

Vetëngrirja e Bashës
Dje ish-kryetari i PD deklaroi vetëngrirjen, për shkak të rezultati të arritur duke deklaruar se krimi, droga, kontrabanda dhe paratë e pista blenë votuesit e varfër. Po mirë, a ishit ju, z. Basha që deklaruat pas natës së “ferrit” me Ramën, se votat janë të garantuara? Atëherë edhe nëse është e vërtetë dhe që unë e besoj se votat janë blerë masivisht, ty të takon të largohesh si pjesë e kësaj marrëveshjeje turpi që shkaktuan grabitjen dhe devijimin e vullnetit të lirë të qytetarëve. Zoti Basha, Partia Demokratike e ka humbur identitetin e saj dhe për këtë, Ju dhe vetëm Ju, jeni fajtor. Ju me marrëveshjen tuaj të turpit i shkaktuat një dëm të madh, jo vetëm së djathtës, por edhe demokracisë shqiptare, pasi opozita dhe fushata nuk bëhet me çadra dhe humbja ka një kosto, të cilën Ju duhet ta paguani politikisht. Arsyetimi juaj, se ngrini postin deri në gjykimin e strukturave të larta politike nuk është veprim i duhur dhe i arsyetueshëm, pasi gjykimin me të mirë, më të arsyeshmin e bënë vetë demokratët që refuzuan platformën tuaj, kandidatët tuaj të Republikës së Re dhe jo larg, por rreth 48 orë më parë.

Çfarë është kjo ngrirje-shkrirje? Këta po bëhen gazi i vendit për të mos thënë dhe i botës. Merr përgjegjësinë zoti Basha dhe jep dorëheqjen si burrat! Pas një katastrofe të tillë zgjedhore, kudo në botën demokratike vetëm dorëheqje ka.
Sigal