Engjëll Musai: Gjashtë muaj pa Gim Nezën

517
Sigal

Engjëll Musai, Drejtor i Gazetës Telegraf


Tri publikimet e reja “Marrëdhëniet Publike, strategjitë dhe taktikat”, “Diplomacia Publike” dhe “Është koha për t’iu thënë më shumë turistëve”, të cilat dje me shumë ngrohtësi i përcolli në imail-et e gazetës Telegraf, publicisti Sami Neza na rikthyen mallin por njëkohësisht edhe dhimbjen për mungesën e një shoku dhe miku të mirë, i cili ishte edhe autori i këtyre prurjeve, por që sëmundja dhe fati nuk e la që ai ti gëzohej  botimeve. Këto janë produkt e studiuesit të komunikimit dhe mjeshtrit të marrëdhënieve me publikun, profesorit të nderuar dhe mikut tonë të dashur Agim Neza. Gjashtë muaj kaluan pa u ndier, por ato kurrë nuk mundet të largojnë nga zemra dhe  kujtesa këtë vlerë të shoqërisë ,mikë të të gjithë atyre që e njihnin dhe që kërkonin mbështetje për hallet, problemet apo edhe një këshillë prej tij. Nuk mundet të harrohet nga studentët të cilët do ta përjetësojnë me shkrimet e tyre pambarimisht dhe do ta lartësojnë edhe më shumë figurën e Profesorit të tyre të gazetarisë Agim Neza. Ai do jetë në raftet e librave të çdo biblioteke dhe bashkë me prindërit e tij, vajzat dhe bashkëshorten fisnike Mira do të jetë i përjetshëm. Ndoshta vargjet e  poetit të madh Dritëro Agolli të cilësuara si  himni i pavdekësisë  së shkrimtarëve, publicistëve, artistëve, poetëve, kineastëve, dramaturgëve, njerëzve të thjeshtë, lexuesve, familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve sot më shumë se kurrë bëhen më të gjalla, më të freskëta dhe më prekëse. 

 

 

KUR TË JESH
MËRZITUR SHUMË

Dritëro
Agolli


Këtu s’do jem, do jem larguar
në tokë i tretur si të tjerët
në kafenenë e preferuar
nuk do më shohin kamerierët.

Dhe nëpër udhë ku kam ecur
s’do ndihet kolla ime e thatë
mbi varrin tim do rrij i heshtur
njr qiparis si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë
se s’do më kesh në dhome gjallë
dhe kur mbi xham të fryje erë
do qash me erën dal-ngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë
në raft të librave kërkomë
atje do jem i fshehur unë
në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh
e unë do zbres, do vij pas teje
dhe ti si dikur me mall do qeshësh
si një blerim pas një rrëkeje.

 

Kështu do të kujtojmë përherë
edhe ne miku ynë i mirë, qejfpaprishuri dhe buzagazi, profesori i gazetarisë
dhe mjeshtri i marrëdhënieve me publikun, Agim Neza!