Ëngjëll Musai/ Gëzuar 10-vjetorin “Telegraf”, gazeta e hapësirës mbarëshqiptare!

523
Sot u bënë 10 vjet, që nga koha, kur gazeta “Telegraf” ka dalë për herë të parë në treg. Ishte një iniciativë e botuesit Agim Çiraku, sipërmarrës dhe President i Federatës Shqiptare të Notit, që pikërisht 10 vjet më parë, në datën 28 nëntor 2005, së bashku me një grup gazetarësh hodhi në treg një titull të ri shtypi. Natyrisht, se fillimi nuk ka qenë i lehtë, në një treg kaotik mediash, ku disa tituj lindnin dhe disa zhdukeshin, por hap pas hapi, ajo zuri vendin e vet te lexuesit shqiptarë. 
Që atëherë e deri më tani kanë dhënë kontributin e tyre një sërë reporterësh, redaktorësh e kryeredaktorësh, por më të shenjtë për këtë gazetë kanë qenë: Parimi për të shkruar të vërtetën, për të qenë pranë veteranëve dhe familjeve të Dëshmorëve, ish – të përndjekurve dhe pronarëve, ushtarakëve, pensionistëve, mësuesve e pedagogëve, nxënësve dhe studentëve, njerëzve të pambrojtur, pranë të gjitha komuniteteve dhe shtresave si dhe për t’u shndërruar në një luftëtare e orëve të para për shtetin e së drejtës, pa asnjë kompromis me zyrtarët e inkriminuar dhe të korruptuar në të gjitha nivelet.
Kjo është e dyta gazetë me të njëjtin emër, pas asaj disa ditore që ka qenë e hapur në Korçë në vitet ’30-të, por ndryshe nga ajo, kjo gazetë arriti që të shndërrohej, jo vetëm një tribunë jetëgjatë, por edhe një nga mediat më të rëndësishme të hapësirës shqiptare. 
Askush nuk është i përjashtuar në “Telegraf”, falë filozofisë së saj, për të qenë sa më afër shtresave të gjera popullore, por edhe duke pasur një individualitet të spikatur falë suplementeve për letërsinë, mjekësinë, drejtësinë, kulturën, pensionet, emigracionin, inteligjencën, tendencën verore, etj.
“Telegraf” ka qenë mjaft e ndjeshme ndaj çështjes kombëtare, duke sjellë në faqet e saj, jo vetëm realitetet brenda kufirit shtetëror, por edhe çështjen shqiptare Çame, shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Preshevës dhe emigrantët shqiptarë në botën perëndimore.

Drejtor i Gazetës Telegraf
Sigal