Engjëll Musai/ Fullani fajtor apo kokë turku? 

523
Sigal

Arrestimi  Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në pasditen e 5 shtatorit 2014, do të shënohet pa dyshim si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë  e drejtësisë  shqiptare. Kjo për shumë arsye, por mbi të gjitha ka të bëjë me faktin se, në vendin tonë çudirat ndodhin sa hapë e mbyllë sytë dhe se, është e vështirë ta kuptosh pavarësinë me litarin që politika i ka lidhur në fyt të drejtës në Shqipëri. Sigurisht që, sot, nuk është moment të analizojmë se përse vjedhjet që kapin shifra marramendëse dhe dhjetëra herë më të mëdha se sa kjo e bankës nuk ndëshkohen, apo si ka mundësi që njerëz dhe pushtetarë të implikuar në vrasjet e 21 Janarit në mes të ditës dhe në qendër të kryeqytetit, vazhdojnë të shëtisin të qetë… Por le t’i kthehemi arrestimit të Guvernatorit Fullanin, i cili u bë sipas prokurorisë për  “shkeljet e ligjit të paktën në pesë raste  dhe se ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal”. Arrestimi i Fullanit u bë pas skandalit që përshiu Bankën nga vjedhja e 7.3 miliardë lekëve dhe vetëdenoncimit të Adrian Bitrajt më 22 korrik të këtij viti. Po kush ishte i interesuar për arrestimin e Ardian Fullanit? Të ishte vetë drejtësia ka shumë pak shanse sepse drejtësia ka një muaj e gjysmë që merret me peshqit e vegjël dhe nuk la elektricistë e hidraulikë pa arrestuar. A është kaq e fuqishme drejtësia të bëjë arrestimin e Fullanit, ku shumica e stafit përgjegjës janë të afërm dhe farefis të vetë pushtetarëve. T’u ketë ardhur keq për lekët e shqiptarëve organeve të drejtësisë? As nuk bëhet fjalë, pasi Edmond Haxhinasto është shembulli më tipik i administratorit që duhet të shkojë para drejtësisë për grabitjen e 80 milionë eurove garanci për privatizimin e naftës shqiptare. Dhe kjo shumë është rreth 15 herë më e madhe se vjedhja e bërë në Bankën e Shqipërisë dhe për të cilën Fullani arrestohet për shpërdorim detyre. Po Haxhinasto përse nuk arrestohet?! A ka shpërdorim më të pastër të detyrës se sa ai i abuzimit me garancinë e ofertës në tenderin e ARMO-s? Sigurisht, kjo hapi rrugën që ne të mendojmë se sa e sinqertë është drejtësia dhe prokuroria me veten dhe ligjin. Atëherë  kush dhe pse e arrestuan Guvernatorin Fullani? Që të jetë hero një prokuror nuk është çudi, por që ky hero të jetë pikërisht ky prokuror është pak e pabesueshme. Po vendimi i gjykatës mbi cilat arsye u mor në fshehtësi dhe pse nga kjo gjykatëse?! A kanë lidhje të gjithë këta persona midis njëri – tjetrit, po me drejtuesit apo gratë e shefave të tyre?!  Edhe kjo është një analizë që kërkon qetësinë dhe kohën e duhur. Vrasja e Santos dhe transfertat e parave më shumë se kurrë, kërkojnë sot jo vetëm vëmendjen e duhur, pasi janë një paralajmërim për të gjithë ata që kanë dijeni me pastrimet e parave apo transfertat e ndryshme të njerëzve të fuqishëm të politikës dhe atyre që kanë ushtruar aktivitete të dyshimta dhe trafiqe. Një “arsye” tjetër që justifikon arrestimin e papritur të Fullanit është  edhe  fakti që të sakrifikojmë një pjesë për të shpëtuar të tërën. Dhe e tëra është Bordi i Bankës, i cili vazhdon aktivitetin me dy fytyra, duke hequr maskën që kishte vënë para tre javësh kur në mënyrë unanime votoi Pro qëndrimit të Fullanit në krye të Bankës. Ky Bord është më i politizuari, po t’i marrësh një nga një, madje edhe më i politizuar se vetë Fullani. Ndaj, shkarkimi i Bordit dhe fillimi i hetimeve për ‘të është domosdoshmëri absolute. Zv/guvernatorja është një këshilltare e ish-Presidentit Berisha në vitet 1992-1997, kohë, kur lulëzuan edhe firmat piramidale në Shqipëri. Sot ne kemi të komanduar si Guvernatore, pikërisht, këtë person, e cila është dhe me lidhje në shoqatën e zonjës Berisha. Problem tjetër është se, cilën kandidaturë do i propozojë Kryeministri Rama së shpejti Presidentit Nishani?  Kjo ka lidhje me faktin se nëse Presidenti ja refuzon kandidaturën e vetme që vjen nga e majta dhe që është Ermelinda Meksi, i takon që të gjitha kandidaturat e tjera të jenë pikërisht këto që kanë lidhje me grupin Fullani. Por prapa këtij arrestimi fshihet edhe një fakt tjetër tronditës, i cili ka të bëjë me reformën në drejtësi, të cilën Kryeministri Rama dhe Kreu i LSI-së, Meta e kanë deklaruar se do të nisë brenda shtatorit, nëpërmjet akteve ligjore dhe ndërhyrjes konkrete. Ndoshta, ky arrestim, së bashku me Kryeinspektoren dhe të tjera mund të jetë as më shumë e as më pak, një ‘pasaportë’ e Prokurorisë dhe Gjykatës para Europës. Me këtë rast, opozita dhe vetë drejtuesit e organeve të drejtësisë kanë një argument më shumë për t’i thënë NDAL reformës në drejtësi dhe për të treguar se, ju po shkarkoni drejtuesit e drejtësisë se i trembeni hetimeve të pavarura. Në ditët në vijim do ketë të tjera arrestime, madje burime të sigurta thonë se, në mesin e atyre që po hetohen janë edhe 1 ministër, zëvendësministra dhe drejtues të tjerë.