Ëngjëll Musai: Festa e Bajramit dhe bojkoti i zgjedhjeve?

529
Pse shqiptarët nuk dolën masivisht në zgjedhje?
Lënia e datës së votimit në ditën e Bajramit me sa duket po jep efektin e vetë tek votuesit dhe për më tepër tek vota popullore. Që në ditën e caktimit të kësaj date pata ngritur shqetësimin se kjo do të ndikojë tek elektorati shqiptar, i cili festën e shenjtë nuk mund ta fyejë qoftë edhe me një event sikurse është ai i zgjedhjeve të përgjithshme. Kjo për dy arsye të rëndësishme dhe paracaktuara:

E para, festa e Fiter Bajrami është festa, e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit dhe fillon me aktin e faljes së namazit të Bajramit dhe më vonë me drekën tradicionale. Kjo festë veç sakrificave, mirësisë , mbështetjes e ndihmës për të varfrit është edhe një lloj respekti për traditën e të parëve por edhe në kujtim të tyre. Atherë si mundet që këtë ditë të shenjtë klasa politike u mundua ta hidhte poshtë për pushtetin e disa politikanëve që duan të përfitojnë dhe po e çojnë vendin dhe njerëzit në varfëri të plotë ?! 

Së dyti, festa e Bajramit është e përcaktuar nga kalendari i festave shumë kohë më përpara se sa të caktohej data e zgjedhjeve të 25 Qershorit dhe kjo ishte një fyerje, e cila u kundërshtua fuqishëm nga publiku, por edhe nga drejtuesit e fesë myslimane në të gjithë Shqipërinë përveç disa drejtuesve të lartë të Tiranës, të cilët folën jo me gjuhën e së drejtës dhe besimit, por me gjuhën pushtetit dhe politikës zyrtare. 

Sigurisht urimi im në këtë ditë të shënuar shkon për të gjithë besimtarët e ndershëm që besojnë vërtetë tek Zoti i tyre për festën e Bajramit. Ajo që nuk mund të tolerohet ka të bëjë me faktin që ky event i rëndësishëm duhet që të marrë fund me festimet nëpër rrugë dhe sheshe por të gjithë besimtarët myslimanë duhet të kenë vendin e nderuar në institucionet e tyre fetare ashtu sikurse i kanë edhe fetë e tjera Ortodokse, Katolike dhe Bektashiane. Liria e fesë duhet të ushtrohet në xhamia e kisha e jo nëpër sheshe, madje edhe nëpër shkolla feja duhet të ndahet dhe nuk duhet të ketë ndikim tek librat dhe arsimi, megjithëse edhe për këtë ne kemi pasur reagime në lidhje me propozimin për të mësuar fenë në shkolla. Ndoshta ky do të ishte një nga gabimet më të mëdha që mund t’u bëhej jo vetëm shqiptarëve por edhe arsimit të pavarur të saj. Për më tepër, gabimi më i madh është ai i politikës që përdor fenë, tamam në ditën e zgjedhjeve për të siguruar vota për partinë në pushtet. Politika ka për obligim vetëm të sigurojë lirinë e fesë dhe të heqë dorë nga manipulimi dhe përdorimin i fesë për qëllime politike. Shqipëria dhe shqiptarët kanë mjaft probleme dhe nuk është e nevojshme të shtohet edhe ai i fesë. Por edhe ndërhyrja e disa qarqeve të caktuara dhe sidomos ato të përfolura ditët e fundit në lidhje me ndërhyrjet direkte apo indirekte, në formë mesazhesh, intervistash apo edhe më keq këshillash të niveleve të ndryshme diplomatike dhe lidhjesh personale me politikanë të caktuar në Shqipëri përbëjnë një tjetër rrezik për stabilitetin e vendit dhe në një kontekst me të gjerë edhe atë rajonal dhe euroatlantik. Konkretisht ka shumë rezerva për rolin e Erdoganit dhe të Putinit, por edhe të grekëve në trojet tona, të cilët po bëjnë lojëra në kurriz të interesave shqiptare dhe janë vetëm interesat e kombit shqiptar, ato që do jenë humbëse nga rivaliteti i tyre. Por që të mos jetë vonë për shqiptarët dhe, që ne si komb të mos marrim arratinë kur ta kuptojmë lojën e tyre antishqiptare, duhet me çdo kusht të çohemi në këmbe, të mendojmë dhe gjykojmë me fjalët e të madhit Pashko Vaso: “Dhe mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit është shqiptaria”. Gjithsesi unë jam optimist, por edhe shqiptarët duhet të mos e humbasin shpresën, duke besuar se dikush që e do kombin e vet dhe do e marrë drejtimin apo “timonin” e vërtetë të drejtimit të vendit dhe zgjidhjes së problemeve që ka kombi, si dhe për të drejtuar shqiptarët drejt një të ardhme më të bekuar. Ky duhet të ishte dhe ky është urimi më i mirë për ditët e Ramazanit dhe festën e shenjtë të Bajramit. Duke ndjekur përfundimin e zgjedhjeve dhe mbylljen e kutive të votimit le të shpresojmë për ndershmëri, për ditë të qeta dhe më të mira. Fitore të merituar dhe të qartë për më të mirët, më të ndershmit dhe ata që me të vërtetë e duan Shqipërinë dhe kombin shqiptar. 
Sigal