Engjëll MUSAI/ Dorëheqja e ministrit të Brendshëm

566
Sigal

“Tajfuni”, i cili kishte kohë që vërtitej rreth Shqipërisë duket se  u përplas në fundjavë në zonën e Divjakës, e cila me sa duket do të mbahet mend si vendi i zbarkimeve të të huajve. Dikur, në kohën e diktaturës, zbarkoi banda e Xhevdet Mustafës dhe tani një avion sportiv, por me mision turistik dhe transportues hashashi, përsëri  vetëneutralizohet në të njëjtin vend. Ardhja e avionit  sportiv nga Italia dhe tentativa për t’u  ngarkuar  me hashash në zonën e Divjakës, përbën çmendurinë më të madhe të atyre që kanë marrë përsipër ngjarjen më të rrallë në historinë e trafiqeve dhe kontrabandës gjatë 101 viteve të shtetit shqiptar. Liberalizimi i kufijve, qarkullimi i lirë, futja dhe përdorimi i teknologjisë së avancuar në shërbime dhe turizëm sikurse ishte rasti i avionit sportiv krijon mundësi që gjithkujt t’i shkojë në mendje për të kryer veprime që do e pasuronin brenda një nate. Por që ky pasurim të bëhej me avion sportiv, me ngjyrë të bardhë, të ngarkuar me drogë, pikërisht në zonën e Divjakës të përfolur prej muajsh të tërë përbënë marrëzinë jo vetëm për trafikantët, por edhe për vetë forcat e rendit dhe sigurisë. Parlamenti shqiptar ka ngritur një komision hetimor, mediat dhe emisionet investigative kanë zënë hapësira pafund me fakte dhe denoncime, ndërkohë që,  strukturat e Ministrisë Brendshme flenë gjumë. Çahen trarët  e doganave nga makinat me hashash; kufijtë  nga mushkat dhe gomarët të vënë në dispozicion të drogës; avionë nga ajri; gomone dhe tragete nga deti në shërbim të kontrabandistëve, por ajo që është më kryesorja nuk ka përgjegjës dhe nuk nxirret përgjegjësia.  Personalisht, nuk dua të bëjë analizën e hollësishme sot për punën e rendit dhe sigurinë e që ajo u ka ofruar qytetarëve. Nëse do e bënim një gjë të tillë, faktet do e nxirrnin ministrin Saimir Tahiri, zbuluar dhe ndoshta ministrin më të dështuar në qeverisjen e Kryeministrit Edi Rama. Ai, si ministër ka përgjegjësitë për të gjitha skandalet, krimet dhe shthurjen e sektorëve të  Policisë Shtetit nga Kupola deri tek punonjësi më i thjeshtë i strukturave të policisë.  Le të analizojmë me pak fjalë përgjegjësinë e zotit Tahiri, i cili ka marrë përsipër që njëkohësisht të jetë edhe ministër edhe drejtor i policisë!? Mendoj që z.Tahiri e ka gabim një qëndrim të tillë, por gjithsesi ajo është një vendimmarrje  që më shumë se gjithçka tjetër, kërkon të shpëtojë nga premtimi që i bëri z. Rama, kur i çoi emërtesat e titullarëve të ministrisë. Opozita ka kohë që po i bie borive me akuza, ca të vërteta se i ka të trashëguara që nga koha kur ishte në pushtet (dhe i ka bërë vetë) dhe pjesa tjetër  që janë shpifje të ulëta. Por për ministrin e Brendshëm dhe strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato të Qarkut të Fierit, që mbulojnë edhe Divjakën, mbajtja nën kontroll e kësaj zone si dhe 2 apo 3 zonave të tjera, duhej të ishte prioritet i  prioriteteve. Fakti që kjo zonë është lënë në shërbim të zakonshëm  policor  dhe jo të përforcuara, bëri që elementët kriminalë të lëviznin, qarkullonin, të fshihnin faktet dhe provat. Nëse do të kishte një tjetër mënyrë organizimi të shërbimeve, ata sot do ishin kapur me presh në dorë dhe vetë Ju z. Ministër, do të ishit krenarë për këtë rezultat. Vajtja si kofini pas të vjelit dhe fshehja e një pjesë të provave dhe fakteve tregon se, stafi Juaj, o është i paaftë ose është vetë i implikuar. Këtë të dytën nuk do të dua ta besoj, por kushdo që të jetë e vërtetë nga këto të dyja, asnjëra prej tyre nuk të shpëton nga akti qytetar i dorëheqjes. Nëse droga është ngarkuar në Rinas, kjo rëndon jo vetëm ministrin Tahiri, por edhe shumë ministri të tjera dhe fut në telashe edhe vetë qeverinë. Nëse është ngarkuar në Divjakë, atëherë, ministri i Brendshëm është përgjegjës i drejtpërdrejt për mefshtësinë e strukturave policore dhe moskrijimin e grackave për vëzhgimin dhe kapjen e autorëve. Ministri Tahiri nga burime tepër konfidenciale i ka kërkuar Kryeministrit Edi Rama, menjëherë, pas marrjes së mandatit të ministrit të Brendshëm, që ky i fundit ta mbështesë në emërimet e kuadrove në ministri dhe Drejtorinë e Policisë Shtetit. Madje, Edi Rama ka pasur disa kontestime, por  Kryeministrit i është premtuar se me këtë formacion, ne do të  triumfojmë. Janë emëruar drejtues në qendër dhe në bazë, që të gjithë ata që ka dashur z. Tahiri. Faktet treguan se z. Rama kishte pasur të drejtë dhe se dështimi, duam apo nuk duam, e ka emrin e vetëm, Saimir Tahiri. Ndaj të japësh dorëheqjen nuk është as krim dhe as turp. Përkundrazi, është një gjest qytetar dhe moment reflektimi për të ardhmen e rilindjes dhe besimit të premtuar.