Ëngjëll MUSAI/Dje ishte dita për të ndezur një qiri para Presidencës, zoti Rama

525
Sigal

Dje Edi Rama vizitoi ish-Spitalin Qendror të Ushtrisë, apo sikurse jemi mësuar ta quajmë në këto 60 vite në Spitalin Ushtarak. Të interesohesh për hallet dhe problemet e shumta të qytetarëve, nuk bën asgjë të keqe, përkundrazi, bën shumë mirë. Po ku ishte deri një ditë para se të jepej vendimi i gjykatës zoti Rama? Përse nuk shkoi  para dy muajsh, kur gazeta “Telegraf” ngriti shqetësimin e grabitjes së këtij spitali nga ca të ashtuquajtur “amerikane”, por që në të vërtetë janë turq dhe s’kanë lidhje me Amerikën. Përse zotit Rama nuk ia nxë goja të thotë se kush dhe për llogari të kujt punon ky spital? Përse kreu i PS-së nuk e bllokoi me deputetët e tij të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, kalimin e këtij spitali nga vartësia e Ministrisë së Mbrojtjes në atë të Shëndetësisë? A dini ju, zoti Rama, se anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Parlamentit shqiptar, përfaqësues të Partisë Socialiste kanë votuar dhe e kanë mbajtur të fshehtë këtë fakt? Po heshtjen e përfaqësuesve socialistë të  komisionit të shëndetësisë si e gjykoni? E pra, lindin papritmas një sërë pyetjesh pasi ka shumë, madje shumë më shumë se sa patë Ju për 30 minuta apo shkruajtët në limitin e kufizuar të Twiter-it tuaj për këtë gjigand të mjekësisë shqiptare që ka trajtuar, shëruar dhe ka lumturuar me qindra mijëra familje shqiptare. Një shprehje e urtë popullore thotë: “I gjalli me të gjallë dhe i vdekuri me të vdekurit”. Ndaj, Ju zoti Rama zgjodhët të gjallët dhe harruat që dje duhej të ishit tek Dëshmorët e heshtur të 21 Janarit që presin drejtësi. Ju duhej t’u kishit bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe me qiri në duar të qëndronit në vendin e rivrasjes së Dëshmorëve. Prej andej ju duhej të shkonit para Presidencës, e cila përfaqëson edhe nivelin më të lartë të drejtësisë shqiptare. Ju e dini që Presidenti është Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe aty duhet të shkoni çdo ditë dhe jo para gjykatave. Ju do ta rëndoni më shumë pozitën, nëse do shkoni në gjykatë të bëni presion, pasi kjo do të konsiderohet si  ndërhyrje e pastër mbi vendimmarrjen e drejtësisë. Këta gjyqtarë kanë një “çoban” në krye, i cili i drejton, i penalizon apo ndëshkon. Ju para disa ditëve deklaruat se pasojat e krimit eliminohen duke goditur shkakun. E pra shkaku i këtij vendimi duhet kërkuar tek Kreu i KLD-së dhe jo gjetkë. Por arsyeja e vërtetë se përse Ju shkuat në Spitalin Ushtarak është tjetër gjë, zoti Rama. Ju vajtët atje për të tërhequr vëmendjen e shqiptarëve në një tjetër drejtim dhe për të harruar të vërtetën dhe vendimin për lirimin e gardistëve. Por për një gjë të jeni i sigurt: atdhetarët, socialistët e vërtetë dhe familjarët nuk do t’i harrojnë 4 dëshmorët e 21 Janarit. Si ka mundësi shoku Kryetar i Socialistëve shqiptarë që, sa herë që ka probleme deçizive për të ardhmen e të majtës, ju gjeni një sebep dhe ikni apo bëni të kundërtën e asaj që duhet bërë. Të njëjtën gjë bëtë me Gërdecin, me kandidaturën e Presidentit, Kodin e ri zgjedhor dhe shumë e shumë të tjera.  Mendoj  dhe gjykoj se rruga në të cilën e keni futur të majtën është një dështim i vërtetë për 23 Qershorin. Por koha ka treguar se në këto 8 vite që ju drejtoni PS-në, gjithçka që kemi parashikuar, ka dalë e vërtetë!