Engjëll MUSAI*/Dhjetoristi Dokle apo Internacionalisti Meta?

524
Sigal

Dje ish-kryeredaktori i “Zërit të Popullit”, Namik Dokle  vendosi të rrëfehet dhe të tregonte se fatet e socialistëve dhe të ardhmes së të majtës kishin kaluar nëpërmjet   shokut Namik. Pikërisht, kur studentët e Dhjetorit u ngritën për të përmbysur diktaturën komuniste ish- Kryeredaktori i “Zërit të Popullit” priti një tufë të rinjsh,  sipas Namikut, në krye të të cilëve printe  Pandi Majko. Dhe ishte pikërisht Pandi Majko, i cili  kërkoi para dy muajsh që figura e Ahmet Zogut  të ishte më e lavdishme se ajo e Ismail Qemalit. Ndoshta, Pandushka e hodhi këtë ide se i kanë thënë që po dole nga rreshti  bie më kollaj në sy. Ca të tjerë thonë se do t’i bëjë qejfin Kryetarit meqenëse, ky i fundit ka pasur gjyshin shofer të Zogut mund të jesh në listën e deputetëve përpara Blushit.  Mbase nuk janë të gjitha të vërteta këto, por koha po tregon se me njerëz si Pandi që i ka mbaruar vaji i kandilit me kohë, Partia Socialiste vështirë se mund të dalë nga errësira e tunelit, ku e kanë futur. Nejse, kjo është tjetër gjë dhe me Pandin do merremi përsëri kur të vijë fushata dhe t’i tregojmë se votat duhet t’ia kërkojë legalistëve dhe jo socialistëve dhe familjeve të dëshmorëve. Çështja që na shqetësoi më shumë se kurrë dje, ishte roli i Namik Dokles njeriut që me parullat dhe fletë-rrufetë e “Zërit të Popullit”,  mori dikur më qafë me qindra shqiptarë dhe sot kërkon të mbajë flamurin e demokracisë shqiptare. Ju zoti Namik vazhdoni të jeni ende të indoktrinuar dhe deklarata juaj se, pa ju nuk do kishte ekzistuar  forumi rinor i Partisë Socialiste ( FRESSH)  përbëjnë njollën më të turpshme të implikimit të të rinjve nga dogmatistë dhe stalinistë si puna juaj. Të marrësh merita të paqena dhe të tregosh se ti Namik u hape sytë dhe  mbështete Dhjetoristët e ‘90-s është një turp i madh, madje është një lloj si ato të Ramizit për pluralizmin dhe formimin e partive. Le që ti e di më mirë se kushdo tjetër  pasi do të mbetesh në histori si  kandidati që i lëpiheshe Ramiz Alisë dhe shërbëtori i tij i fundit në kandidimin për President.  Ju keni 22 vjet që rrëshqisni si ngjala Namik, sa në një qark në një tjetër dhe asnjëherë nuk vajte të kandidoje në zonën tënde. Ti pasi bërë lëmsh  Cërrikun  dhe Kuçovën po kërkon të  hedhesh helm mbi FRESSH-t shqiptarë. A  ju kujtohet ju zoti Namik se çfarë roli kishte Ilir Meta në Forumin Rinor  Socialist? A të kujtohet ty z.Namik që Forumi Eurosocialist u pranua në Internacionalen Socialiste menjëherë dhe kur në krye ishte Ilir Meta, ndërkohë që, Internacionalja Socialiste pas 15 vjetësh mezi pranoi Partinë Socialiste. Dhe kjo vonesë erdhi se ata nuk mund të kapërdijnë që në kupolën socialiste të vazhdojnë të drejtojnë Bolshevik si puna jote dhe propagandist që u ka kaluar koha. Përse harruat ju  z.Namik  të thonit dje se Monika Kryemadhi u zgjodh nën/kryetare e Internacionales Socialiste?  E bëmë të gjithë këtë rezyme jo për të dalë në krahë Ilir Metës, por për të mos mohuar vlerat socialiste të kësaj organizate dhe kontributin e sajë në dy fitoret e socialistëve. Ju duhet të hidhnit dje idenë e ribashkimit dhe grupimit të së majtës rreth partisë mëmë socialiste dhe jo të mbillnit vrer për ata, të cilët i shikoni si potenciale në forumet e bashkuara socialiste. Përse nuk kërkove ndjesë ti Namik për humbjen e PS-së, pasi ti ishe zv/Kryeministër në kohën që socialistët dolën në opozitë. Ti nuk meriton të thuash xhaketë e kthyer z.Namik se, të bënë nder ta thuash, por ti ke mbetur e njëjta xhaketë e propagandës marksiste –leniniste dhe qëndrimi dhe akrobacitë e tua po detyrojnë  faktorin ndërkombëtar të mos jetë dashamirës ndaj PS-së. Ju keni pasur vetëm një mision, të prisni kryetarët e rinj dhe të përcillni ata që largohen. Sot më shumë se kurrë ka ardhur koha që Ju dhe disa bashkëkohës të tu të jepni  shembullin  nëpërmjet largimit vullnetar  për  të liruar  litarin që i keni vënë në fyt socialistëve dhe atyre që po rrinë rrugëve prej tetë vjetësh.

* Drejtor i Gazetës Telegraf