Engjëll Musai/ Dështimi i paralajmëruar i reformës në drejtësi

622
Komisioni parlamentar i reformës në drejtësi do të mblidhet sot për të dhënë vlerësimin e tij mbi atë çka kanë vendosur ekspertët të cilët për nga numri janë jo pak, por plot 25 të tillë. Ekziston një postulat që jo gjithmonë sasia përcakton detyrimisht cilësinë dhe ne shpresojmë që pozita dhe opozita të gjejnë të përbashkëta për atë çka do i servir mbi tryezë ky grup ekspertësh. Nëse do të ketë pakënaqësi për shkak të tendencave profesionale të shprehura nga këta ekspertë atëherë me të drejtë do të thoshim që kur ka shumë një pjesë e mirë shkon edhe ajo në lumë. Dhe në këtë rast ata që humbasin janë shqiptarët dhe vetë vendi ynë, të cilit Europa do t’i përplasë në fytyrë derën e saj gjysmë të hapur. John F. Kennedy në fjalimin e tij të famshëm dhe historik në Uashington më 20 Janar 1961 ka thënë se: “Mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, pyesni çfarë mund të bëni për vendin tuaj”. E nëse politika shqiptare dhe sidomos ekspertët e caktuar për të përgatitur reformën në drejtësi do të kishin vullnetin dhe dëshirën ta lexonte me kujdes këtë fjali sot komisioni do të kishte bërë një hap të madh për të plotësuar një nga kushtet më të rëndësishme të vëna nga BE dhe që ka të bëjë me reformën në drejtësi. Gjasat janë të pakta dhe në këtë vapë ky projekt më shumë se sa akullit i ngjan një patate të nxehtë të cilën politikanëve të së majtës do u mbetet në dorë. E themi këtë se ekspertët e vendosur apo të emëruar njëlloj do të shkonte janë disa figura që kanë punuar në strukturat e drejtësisë ndër vite dhe që kanë qenë pjesë jo e mirë e sistemit të drejtësisë në raportet e DASH. 

E dyta këta persona më shumë janë si promovues të një projekti i cili do t’i shërbejë politikës e cila nga ana e saj pasi të miratojë këtë ligj do u kthejë borxhin këtyre “ekspertëve” duke i promovuar në pikat kyçe me justifikimin se këta reformuan drejtësinë. Pas kësaj të emëruarit e partisë e dinë detyrën dhe detyrimin për pushtetin. Dhe kjo gjë nuk do të pranohet nga opozita, shoqëria civile, grupet e interesit, përfaqësuesit ndërkombëtarë të cilët po bëjnë sikur nuk po e kuptojnë këtë lojë. Madje kjo gjë nuk është konsultuar as me përfaqësuesit ligjorë të Ministrisë së Drejtësisë të cilët do të merrnin vlerësimin maksimalë nëse do të kërkonin me kurajo dhe sinqeritet që në Shqipëri të vendosej një drejtësi ku të gjithë të jenë të barabarte para ligjit. Shembulli më i mirë për këtë moment që ne po kalojmë është Amerika e cila nën drejtimin e vëllait të presidentit, Robert Kenedit, Departamenti i Drejtësisë i mori në konsideratë ankesat e afrikano-amerikanëve për trajtim të drejtë e të barabartë. Dhe pikërisht këtu fillon drejtësia e vërtetë dhe ringritja e SHBA. Por kjo reformë që do nisë të diskutohet sot mbi atë ç’kanë prodhuar ekspertët do të mbështetet mbi 7 shtyllat kryesore dhe 5 ndryshimet kushtetuese. Sigurisht të gjitha janë të nevojshme dhe domosdoshme por kur këto ndryshime bëhen duke u mbështetur mbi një model bashkëkohor dhe që ka dhënë prova të besueshmërisë ia vlen të shtrihet dhe zbatohet edhe në vendin tonë. Por nëse modeli mbi të cilën po kryhet reforma merret nga Serbia që është ende gjysmë shtet i modelit lindor të para viteve 1990, apo Kosova që ende nuk njihet zyrtarisht si shtet nga OKB, ose Ukraina që është në luftë, atëherë ne nuk kemi se çfarë të diskutojmë dhe të vlerësojmë nga ky komision. Ajo që bie në sy është se pikërisht këto vende me origjinë komuniste janë po kaq të rrezikshme sa edhe vetë origjina e përfolur e ekspertëve të caktuar nga ky komision. 

Është domosdoshmëri reforma në gjyqësor fjala bie sepse njerëzit duan drejtësi. Dhe këtë drejtësi e bën një ligj i mirë por edhe gjyqtarët që e interpretojnë atë. Nuk ka rëndësi se si i zgjedh KLD gjyqtarët, rëndësi ka që kush do e zgjedh KLD apo kush do e propozojë KLD. Fjala bie nëse një anëtar i KLD që do zgjidhet nga Kuvendi do jetë i propozuar mes tre kandidaturave të sjella nga Shkolla e Magjistraturës, atëhere duhet që edhe drejtori i Magjistraturës të rizgjidhet nga e para. Dhe kjo për faktin se këdo që të zgjedhë Kuvendi të tre emrat e ardhur fjala bie nga Magjistratura janë të besuarit e titullarit dhe atyre që zgjodhën titullarin, pra të partisë në pushtet. Kjo sa për ilustrim, pasi si ky rast janë të gjitha rastet e tjera dhe kjo gjë nuk do kalohet lehtë dhe se drejtësia nuk duhet të shërbejë si një shteg ku do kalojë ‘gjahu’ i radhës, por si një vend ku të gjithë pa dallim bindjesh, feje dhe krahine të jenë të barabartë. Në fund duhet bërë një shënim që ekspertët pjesëmarrës të kësaj reforme për 5 vjet nuk duhet të pozicionohen në postet e larta të drejtësisë, Gjykatës së Kasacionit apo të Lartë si do vendoset, asaj Kushtetuese, Prokurori, Ministër dhe zv/ministër i Drejtësisë e të tjera vende që krijojnë konflikt interesi më atë çka kanë përgatitur në këtë draft reformë. Ndaj do ta mbyllja duke u kujtuar ekspertëve të emëruar të reformës në Drejtësi, por edhe deputetëve të nderuar të Komisionit Parlamentar shprehjen e famshme të Uinston Çurçill: “Mos lejoni që planet e mëdha për një botë të re të shmangin energjitë tuaja nga ruajtja e asaj që ka mbetur nga bota e vjetër”…
Sigal