Ëngjëll Musai: Deputetët me pagë 3000 $, fjalime për familjet me 30 $ asistencë

604
140 deputetë me pagë 3000 dollarë, u mbajnë fjalime 140 mijë familjeve me ndihmë ekonomike 30 dollarë
Ka një tregues të plotë demagogjik deri në tallje e mashtrim publik të popullit të varfëruar ekstremisht, që po manifestohet turpshëm nga politika edhe në këtë fushatë elektorale. Në fjalimet që dy krerët e partive (ar)mike PS e PD, po mbajnë në takimet me banorët e zonave, përveçse me punësimin, strehimin, pagat, pensionet, drejtësinë e barazinë përpara ligjit, po bëhet dialog “teatral” edhe me ndihmën ekonomike lëmoshë që shteti u jepe familjeve dhe personave pa punë, pa aftësi fizike për të punuar dhe personave pa asnjë të ardhur financiare për shkak të moshës dhe braktisjes, si dhe femrave të dhunuara e të trafikuara! Çfarë po na dëgjojnë veshët këto ditë? Lideri partiak i veshur me pantallona doku kinez, thotë se do rritet ndihma ekonomike mujore, ndërsa lideri partiak i veshur me tuta, thotë se e ka rritur ndihmën ekonomike 3 herë. Dihet se sa është ndihma ekonomike mujore, që u jepet njerëzve në varfëri ekstreme dhe se sa familje duhet të trajtohen me këtë “thërrime” financiare që nuk mjafton as për të paguar energjinë elektrike mujore! E pavarësisht kësaj, krerët e dy partive që prej 20 ditësh po “bashkëjetojnë në një kullë”, po bëjnë fushatë elektorale edhe me ndihmën ekonomike. Akuzat se kjo ndihmë nuk është rritur dhe me premtimi se do të rritet, ka nisur të përsëritet çdo ditë nëpër takime, ashtu siç përsëritet në çdo prag zgjedhjesh parlamentare e lokale në Shqipëri, pas të cilave nuk bëhet asgjë. Prej 25 vitesh, partitë po zhvatin vota të shumta nga familjet dhe individët që trajtohen me ndihmë ekonomike, pagesë e cila u shtohet me 2-3 bukë në çdo 4 vite, ose sa… 1 kilogramë gjizë! Të mbledhësh vota, duke përdorur varfërinë është gjëja më e turpshme e më antinjerëzore që mund të bëhet me shtresat, të cilat luten për bukën e gojës. Mirëpo, me shpresën se pas fjalimeve të politikanëve, do të mbushin barkun me një copë bukë më tepër, ata shkojnë e votojnë për ata që nuk ua japin këtë copë bukë, ose që ua japin kafshata-kafshata në çdo 4 vite kur ka zgjedhje! Por është e pamëshirshme dhe tejet e neveritshme, që 140 deputetë me vila, me nga 5-10 apartamente, me llogari të shumta e të fuqishme bankare, me biznese e paga mujore 3000 USD, po mbajnë fjalime me premtime për “jetë të lumtur”, para 140 mijë familjeve, të cilëve u japin 30 USD në muaj, para 1 milionë të papunëve, para 650 mijë pensionistëve me pensione mujore sa për… 1 javë ushqim minimal…! 
Sigal