Engjëll Musai: Demokratëve u mungon prej 3 vjetësh Olldashi!

521
Sigal

 Drejtor i Gazetës
TELEGRAF

 

 

 Drejtor
i Gazetës TELEGRAF
 

 

Ishte
mëngjes! Ora shënonte 07:40 dhe unë si gjithmonë po shikoja emisionin
televiziv, të leximeve të gazetave dhe telefonatave me qytetarët, ose me saktë
me thënë të hallexhinjve të shumtë të këtij vendi. Ndërkohë që isha mes
përqendrimit dhe përgjumjes, zilja e telefonit tim celular duket sikur më
shkundi. Numri, i cili me doli në ekranin e telefonit ishte i panjohur për mua,
por pa më të voglin hezitim unë i përgjigjem, pasi në këto raste ose do jetë
ndonjë telefonues që falënderon, ose ndonjë që mundet, me ose pa dashje ta kemi
prekur me shkrimet e Telegraf. “Mirëmëngjesi më thotë. E di që je zgjuar se
vetë ma ke thënë që në7 pa 5, çdo ditë zgjohesh dhe hap televizorin”. Dhe
pa pritur përshëndetjen time, më thotë: “Do vish sot në mbrëmje, në një
lokal pranë Pallatit të Kulturës se do organizohet një mbrëmje, ku disa miq të
mi, por edhe të njohurit e tu do të promovojnë një lokal”. Zëri ishte i
njohur dhe nuk kishte nevojë për ta pyetur apo saktësuar, sikurse ndodh
ndonjëherë kur ke dyshime për dikë. Po, i thashë, do vij, po mbase kemi fat për
ndonjë tavolinë, sepse kur vete ti diku, dihet që vështirësohen gjasat për të
gjetur vend, ose sikurse thoshte dikur gjatë transmetimit të ndeshjeve i madhi
Ismet Bellova, “nuk ke ku hedhësh as kokrrën e mollës”… hahahhaha hahahhahaha
qeshi dhe e lamë të takohemi në orën 19:30. “Unë mbase vonohem pak,- vazhdoi
ai, por po e lë porosi që të të presin dhe kanë rezervuar edhe tavolinën”.
Ashtu ndodhi. Sapo vajta në orën 19:20 organizatorët i kishin marrë masat dhe
të gjithë kishin të përcaktuar vendet ku do qëndronim. Ai kishte bërë edhe
shumë ftesa të tjera dhe se të gjithë ose më saktë 90% e të ftuarve kishin
njohje me njeri-tjetrin, ku personi që kishte bërë lidhjet tona ishte pikërisht
telefonuesi i mëngjesit. Ai ishte një mik i rrallë, me cilësi dhe vlera të
pallogaritshme, të cilit koha sa më shumë kalon aq më shumë ja lartëson figurën
dhe akoma më shumë na shton mallin për mungesën e tij! Për të nuk themi ishte,
por është dhe do të mbetet Sokol Olldashi! Sa më shumë ditë dhe vite kalojë, aq
më i madh bëhet malli për të dhe sot të gjithë thonë se paskemi pasur në mesin
tonë një qytetar, një mik, një intelektual, një personalitet, një lider, një vlerë
dhe pak e dinim rëndësinë e tij. Madje qeshnim, kur ai kandidoi, së bashku me
Bashën për kreun e Partisë Demokratike dhe i kujtova shprehjen e huazuar nga
disa miq amerikanë, të cilëve u mora një mendim, ku u kërkoja nga përvoja e
tyre, se si mundet ta zgjidhja mbështetjen për dy kandidatët, sepse me të dy
kam njohje. Përgjigjja për mua, cila ishte, më pyeste Koli, ndërkohë që dridhte
cigaren nga qetësia e tij tradicionale? Ka dy përgjigje,- i thashë, pasi janë
dy kostume, njëri presidencial dhe tjetri kryeministror. Besoj se edhe ti vetë
e gjen veten tek kostumi kryeministror dhe jo ai presidencial. Qeshnim, pa e
ditur se pas këtyre çasteve të bukura do të vinte momenti tragjik i asaj
mbrëmje të errët, të nxirë dhe të mbuluar nga rrëketë e shiut. 20 nëntor 2013, shumë
rrallë mund të ndodh në pluralizëm, kur bindjet politike janë të ndara, që
vdekja e një njeriu të bashkojë kaq shumë njerëz. Që secili prej tyre të
harrojë përkatësinë partiake dhe të mbulojë lotët me duar që të mos i duket
skuqja e syve. Por kjo ndodhi atë natë dhe po ndodhë këto ditë në tre – vjetorin
e politikanit, gazetarit, vëllait dhe mikut të të gjithë shqiptarëve,
ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Sokol Olldashi. Në historikun e
pluralizmit shqiptar, jeta e liderëve të politikës ka dëshmuar se ata kanë
punuar shumë për t’i tërhequr qytetarët nëpër parti të ndryshme, duke i ndarë
ata nëpër kampe, të Majtë e të Djathtë. Ndërsa vdekja e Olldashit dëshmoi se ai
ka punuar kurdoherë për t’i bashkuar shqiptarët duke shërbyer si çengel shprese
për aspiratat dhe ëndrrat e tyre. Në punën e tij të përditshme rezultative,
numërohen suksese reale, si gjatë kohës kur ishte Ministër i Brendshëm apo i
Transporteve, ashtu edhe në detyrat e tjera që ka kryer brenda një periudhe
kohore të shkurtër. Gazeta “Telegraf” gjatë kësaj periudhe ka bashkëpunuar
vazhdimisht me këtë reformator të politikës, duke publikuar në faqet e veta,
projektet dhe rezultatet pozitive të punës së tij. Në këtë bashkëpunim të
ndërsjellë, ne krenoheshim me të. Dhe asnjëherë nuk e kishim menduar se do të
vinte një ditë që të derdhnim kaq shumë lot për të, sepse ishim mësuar që
Olldashi bënte pjesë tek njerëzit, që na shtonte gjithmonë optimizmin.
Megjithëse ai vetë ka kaluar vuajtje të rënda, qysh në moshë të fëmijërisë,
përsëri, e gjithë qenia e tij reflektonte besim tek jeta. Duke qenë nipi i një
figure politike të njohur, Olldashi e kuptoi qartazi se sa e tmerrshme ishte
gijotina e politikës së mbrapshtë. Prandaj, ai kur u rrit u bë një reformator i
zhvillimeve të ardhshme, si edhe një qiri drite për t’i treguar zyrtarëve
rrugën e vërtetë për tek zemrat e njerëzve të thjeshtë. Ai është lindur, më 17
dhjetor 1972 në Durrës, ishte zgjedhur disa herë si deputet i Partisë
Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe më vonë, u zgjodh si Ministër i Punëve
Publike dhe Transportit në qeverinë shqiptare. Shkollimin e mesëm e ka kryer në
vendlindje, ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995-ën dhe në vitin
2004, Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave. Por në moshën 41-
vjeçare, koha ndali në mes akrepat e orës dhe në 20 nëntor zemra e tij pushoi
së rrahuri. Rastësi apo?! Para disa muajsh po ktheheshim nga Elbasani, ku
shkuam për të bashkëbiseduar dhe intervistuar një drejtues të lartë të
pushtetit lokal. Në makinë isha me dy miq, ku njëri kishte edhe miqësi
familjare me Olldashin. Pikërisht gjatë kthimit për në Tiranë, në vendin ku
ndodhi aksidenti tragjik, ndaluam shpejtësinë dhe po shikonim vendin, i cili
ishte izoluar me sinjalistikë mbrojtëse. Pa mbaruar bashkëbisedimin, bije zilia
e telefonit, ishte Kozeta Mamaqi! Nëna fisnike e Kolit, fjalë ëmbla dhe zemërbardha
që vuajtjet dhe fatkeqësitë e shoqëruan edhe në këtë moshë dhe nuk e lanë të
shikonte dy ditë të bardha! E kishim lënë për kafe dhe për të bërë një
intervistë, ndaj Ju përgjigja, duke i thënë se për 30 minuta jam tek kafja
poshtë shtëpisë. Sapo mbërrita, i tregova për koincidencën, “se pikërisht në
momentin që më telefonove t’i fisnikja Kozetë, unë isha në vendin ku u nda nga
jeta, miku ynë, shoku, prindi, djali Juaj i paharruar Sokol Olldashi”! Ndoshta
zoti është i madh dhe di të ndërlidhë dhimbjen me mallin, lotët me shpresën,
netët pa gjumë me ëndrrat e Kolit për edukimin dhe kujdesin për fëmijët.
Tregova këto kujtime në këtë ditë të veçantë, por jo të gjitha ndodhitë me
Kolin, pasi i lashë t’i them çdo vit, sepse ti e meriton të mbetesh i
pavdekshëm miku ynë i mirë! E diel, 20 Nëntor 2016 Koli! Sot ti u mungon
shokëve, por ata nuk të harrojnë, sepse postojnë pafundësisht statuse për ty,
për punën tënde, për kujtimet me ty, për krijimtarinë tënde dhe vargjet aq të
bukura që zonja Kozeta, Mamaja jote e shenjtë mes përgjërimit dhe lotëve t’i ka
grupuar në një libër, që i shkon përshtat vizionit dhe krijimtarisë së
shpalosur prej teje. U mungon miqve Koli, të cilët të cilët të kujtojnë çdo
çast dhe me çdo mënyrë, madje Astriti nuk i ka lënë telat e kitarës tënde të
ndryshken, por me fjalë zemre këndon për ty. U mungon demokratëve Koli, të
përndjekurve politikë, elitës së të rinjve demokratë, të cilët ti në çdo kohë,
në çdo rrethanë dhe në situatat më të vështira nuk i harrove kurrë, nuk i fyeve
për asnjë arsye, nuk i le rrugëve të vetëm dhe në mëshirë të fatit, nuk i shite
për asnjë çmim, por i udhëhoqe me çdo mjet dhe mënyrë drejt sukseseve. Për ty
shteti nuk kishte vlerë, nëse administrata nuk gumëzhinte nga zërat dhe fuqia e
të rinjve, të cilëve vazhdimisht u theksoje se në jetën politike duhet të kemi
si postulate shprehjen e famshme të ish-presidentit të SHBA-ve Xhon Kenedi:
“Ata, të cilët e bëjnë të pamundur revolucionin paqësor, do të bëjnë
revolucionin e dhunshëm të pashmangshëm”. Ti dhe prova për këtë Koli dhe të
gjithë të kujtojnë më nostalgji! Një mirënjohje e veçantë për familjen nga
Gazeta “Telegraf”, e cila do të mbetet si përherë një faqe e hapur për
kujtesën, vlerësimin e punës dhe për nderimin e rrugës tënde! Lamtumirë miku
ynë Sokol Olldashi!