Ëngjëll Musai/ DELE-GATI, apo gati…delet?

536
“Politika është aftësia për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe të kesh aftësinë që më pas të shpjegosh pse nuk ndodhi”. Është kjo trashëgimia që ka lënë kryeministri britanik Winston Çurçil, si një nga 50 shprehjet e tij legjendare. E filluam, pikërisht me këtë thënie, të një nga personaliteteve më të fuqishme të politikës botërore dhe që çuditërisht i përket Anglisë, vendi ku sot e majta shqiptare është kapur fort dhe pretendon të marrë trashëgiminë politike të laburistëve të rinj. Por, nëse Çurçilli u foli anglezëve në gjuhën e tyre, ne shqiptarët kemi një tjetër shprehje që sot është më kuptimplote se kurrë, e cila thotë : “Sipas vendit dhe kuvendi”. E pra kuvendi i partive është ai që prodhon edhe Kuvendin e Shqipërisë. Një Kuvend, ku një pjesë e mirë vijnë si përfaqësues të partive nga trevat e nxehta dhe meritë në ngjitjen e këtyre shkallëve kanë krimin, drogën, trafiqet, presionin, vrasjet, skafet, klandestinët, ilaçet e skaduara, fabrikat e mara me paratë e maskarallëqeve etj., etj. Dhe këta janë njerëz analfabetë, me diploma fallco të tipit “Kristal” apo të blera jashtë me paratë e krimit.

 Kjo e fundit vërtetohet nga detyrat e kursit, sa kanë dorëzuar apo datat e provimeve në shtet rreth dhe qark, sidomos Maqedoni ku nuk korrespondojnë datat e provimit me ditët e udhëtimit në pikat e kalimit të kufirit. Sigurisht që kjo që thamë është një temë, që ne do ta rrahim vazhdimisht,Aa banditë. Por le t’i kthehemi situatës së brendshme të partive politike. Thuhet, se si është opozita e sotme, ashtu do jetë edhe qeverisja e nesërme. Ose si do jetë jeta e brendshme e partisë në pushtet, ashtu do të jetë edhe qeverisja e vendit. Nëse në zyrat e partisë që është në pushtet nuk takon dot deputetë, të njëjtin fat do të ketë elektorati edhe me qeverisjen e saj. Pikërisht këto zyra mbushen dhe marrin vlerë vetëm në ngjarje të rëndësishme apo në prag fushatash, ku deputetë dhe ministra shtrihen dhe përulen, por sapo marrin votat ndërrojnë edhe numrat e telefonit, pale t’i takosh dhe të diskutosh për hallet e zonës nuk bëhet fjalë. Pikërisht kjo situatë është krijuar tek e majta shqiptare këto ditë të nxehta të caktimit të delegatëve për Kongresin e Partisë, më 19 Mars 2016. 

Po ç’janë këta delegatë? Kë përfaqësojnë? Si dhe sa i përfaqësojnë 1 milion votuesit, që sollën “Rilindjen” në pushtet? Sigurisht që këtyre pyetjeve duhej t’u përgjigjen krerët e partive në rrethe dhe organizatorët e PS në qendër. Por këta nuk dinë gjë, sepse janë anashkaluar dhe gjithçka është bërë me një regji qendrore, ku qëllimi nuk është të vihet dora mbi plagët dhe hallet e elektoratit, por të garantohet pushteti partiak. Kjo është arsyeja që ka muaj të tërë, që mungon demokracia e brendshme e partisë, shkelet Statuti, pranohet, por nuk ndëshkohet shkelësi dhe kjo frymë reflektohet edhe në qeverisje, ku këtë radhë viktima nuk janë më vetëm 1 milion votuesit, por të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine, ideje, në Shqipëri apo në emigracion. Dhe për të garantuar “suksesin” e tyre, skenaristët e kësaj regjie duan personazhe të urtë dhe të bindshëm në detyrën, që do t’u ngarkohet. Dhe këta plotësohen në fshehtësi, natën, por që publikohen ditën dhe mundësisht të mos jenë shumë të mençëm, pasi mjafton që të bërtasin, fërshëllejnë, shajnë, fyejnë dhe kanë prioritet ata që janë marrë me mbjellje droge, shitje, ruajtje dhe shpërndarje të sajë. Dhe ky njeri me këto tipare është pagëzuar me emrin DELEGATI. Ky emër është vënë nga regjia qendrore, ndërsa teleshikuesit kanë filluar t’i etiketojnë me njëjtin emër, por me një vizë në mesë dhe t’i quajnë DELE – GATI. Këtyre edhe mund t’ua ndërrosh emrin dhe parashtesën mund ta vësh prapashtesë dhe përsëri qëllimi është i njëjtë. Ata mund të quhen pa problem edhe GATI – DELET. Këta Dele-Gati janë 90% në punë dhe në punë të mira, si Dogana, Tatime, Elektrik, Bashki, Ministri, Polici, Ushtri, Diplomaci etj. Ka edhe disa të qytetarë që pa asnjë meritë u janë dhënë me vendime të fshehta, pensione suplementare. Ka edhe nga ata që janë marrë me kultivimin e bimës sezonale më të shitur dhe më të tregtuar në vend, por kjo nuk prish punë, pasi partia ka nevojë për të tillë njerëz, sepse vetëm këta mund të votojnë ata që përfaqësojnë një pjesë të “Rilindjes” në Kuvend dhe postet e tjera të larta drejtuese të administratës shtetërore. 

Janë pikërisht këto lista me “DELE – GATI”, që do blegërijnë në Kongres. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë GATI –DELE, në rast presioni, dhune, fërshëllimash etj. Dhe kjo e fundit u pa në provat gjenerale në Pallatin e Sportit të qytetit të Elbasanit, duke na sjellë në mëndje demokracinë e brishtë të viteve 1993, ku në të njëjtin vend demokratët përjashtonin Neritan Cekën apo edhe më parë, kur shokët e Mozit dhe Mirit, në 1991, ju turrën të madhit Dritëro Agolli! Por në të dyja rastet edhe “DELE-GATI”, por edhe GATI – DELET” dështuan dhe Dritëro Agollit, por edhe Neritan Cekës koha i dha të drejtë. Ajo që sot përbën fatkeqësi për të majtën shqiptare, por edhe politikën në tërësi lidhet me faktin se këta liderë e kanë çuar këtë forcë politike 23 vjet prapa. Me këtë regji “Rilindasit” do flasin për sukseset, por jo për mashtrimet. Do flasin për punësimet, por jo për emigrimin e mijëra shqiptarëve. Do flasin për rendin, por jo kriminelët, që gllabërojnë makinat e bankave si kaubojsit para 300 vjetësh. Do flasin për ekonominë e dobët, por jo për 1. 5 miliardë euro borxhe për dy vjet e gjysmë. Do flasin për kozmetikën e hyrjeve të qyteteve, por jo për tokat e përmbytura, do flasin për udhëtimet me avionë, ndërkohë që autoambulancat, zjarrfikëset dhe makinat e policisë nuk kanë karburant për të plotësuar detyrën, sipas standardeve. Do flasin për festivalin e dritave, faljen e 600 milionë eurove CEZ-it, por jo për vetëvarjet e hallexhinjve në burg për dritat me teorinë, se “po bëjmë shtet”. Po nëse shteti ka qëllim të t’i japë fund jetës së qytetarëve të vetë, atëherë do zhduket vetë shteti, pasi nuk ka shtet pa territor, gjuhë dhe njerëz. Do flasin për shëndetësinë më të mirë në botë, por jo për koncesionet e tyre dhe mjerimin ku e katandisën shërbimin shëndetësor. Do flasin për varfërinë, por jo për sarajet e tyre. Por nuk do t’i thonë DELE-GATI-t, se kush i futi kriminelët në parlament, i bëri kryebashkiakë, i nxori nga burgu, se përse ekonomia ka shkuar buzë greminës, se përse shqiptarët flenë pa bukë, se përse po kthehet në zonat e thella tragjedia e mjerimit “Migjenian” etj.?! Apo do shahet edhe opozita, pasi janë GATI-DELE-t të duartrokasin. Madje edhe do fërshëllejnë, kur të flasin ata, që kanë mendime ndryshe nga “Rilindja”, por që u dhimbsen socialistët e harruar në këto vitet e fundit. Ja pra, pse duhet të jenë GATI-DELE-t, që në gjuhën e “Rilindjes” quhen DELE-GATI…
Sigal