Ëngjëll Musai: Dallimi mes tradhtisë dhe patriotizmit është vetëm çështje datash

613
Sot po ribotojmë pjesën e tretë të intervistës që Kolonel Myslym Pasha ka dhënë për gazetën “Telegraf’ më 19 Nëntor 2010. Edhe në këtë pjesë të intervistës Kolonel Pasha me shumë profesionalizëm, por edhe ndjenjën e një patrioti të vërtetë shpreh shqetësimet për marrëveshjen midis Greqisë dhe Shqipërisë të nënshkruara nga Basha dhe Bakojanis duke shpjeguar edhe elementë të veçantë të kësaj marrëveshjeje dhe terma të caktuara që në fjalorin shqip janë shumë pak të trajtuar, por që gjenden në fjalorin e gjeologjisë. Dhe për të gjitha këto Kolonel Pasha meritoi mirënjohjen e një kombi të tërë, pavarësisht bindjeve dhe kaheve politike. Po sot pse hesht Koloneli i detit?! Në cilën rrjet është kapur dhe kush e mbanë peng Kolonel Myslimin? Shpresojmë të jenë hipoteza, por faktet tregojnë, se mikut tonë dhe të gjithë shqiptarëve i është mbyllur goja. Kolonel Pasha i dërgoi në atë kohë edhe një letër Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Kuvendit dhe zonjës Jozefina Topalli ku në fund të letrës së hapur, z. Pasha u bën thirrje deputetëve që: “Të tregohen pikësëpari shqiptarë, përpara Shqipërisë, nuk jemi partiakë dhe nuk përfaqësojmë bashkësi interesash të fshehta, por me energjinë jetësore dhe të pashtershme të mbijetesës shqiptare dhe historisë së saj, ne ecim (edhe pse me vonesë!!!) drejt Evropës me dinjitetin tonë Kombëtar. Me urtësi dhe maturi, me shqetësim të përbashkët e me ndjenjë të lartë atdhetarie” thekson në letrën e tij Kolonel Myslim Pashai. Po tani përse Koloneli Myslim Pasha nuk u interesua se kush janë specialistët që po merren, kush janë ekspertët e brendshëm dhe të jashtëm që po trajtojnë këtë marrëveshje, përse nuk i denoncoi këto shkelje dhe këtë marrëveshje që po kërkon të kalojë në mënyrë të fshehtë dhe jo të denjë për shtetet serioze, por për “grupet mafioze”?! Përse Kolonel Myslymi nuk iu drejtua tani, qoftë edhe për një informacion Ministrisë së Jashtme, Kuvendit të Shqipërisë apo Komisionit të Sigurisë Kombëtare aq më tepër që e ka detyrim pasi ka përfaqësuar PS në gjykatën Kushtetuese në 2010?! Pse e kritikoi Kolonel Myslimi qëndrimin e Presidentit Meta, i cili duke ndjekur shembullin e Pashait të 2009-ës bëri konsultime me Kreun e Komisionit të Sigurisë Kombëtare Mimi Kodheli?! Pse Kolonel e lëshuat kaq keq veten? Koloneli më poshtë shpjegon në letrën publike të 2009-s se qeveria Berisha po shiste territorin shqiptar, i cili përbën një akt tradhtie kombëtare. Plotësisht e drejtë Kolonel dhe kjo tregon se gjaku i shqiptarëve nuk bëhet ujë. Po pse heshtni tani apo gjaku mund të mos bëhet ujë kur bëhet fjalë për Berishën, por ujë me kripë u bëkërka për Ramën? Kolonel Myslimi! Ju përcaktuat në letrën tuaj të 2009-ës, 8 pikat kyçe ku është cenuar Shqipëria dhe territori shqiptar ku në pikën 1 thuhet: (1). “ Marrëveshja e përcaktimit të kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë është një hartim i errët dhe hermetik, akt diplomatik i shpejtë dhe i dyshimtë, i cili dokumenton, përulësi të dinjitetit kombëtar”. Plotësisht i saktë gjykimi juaj Kolonel Pasha. Por a mund të më thoni se kjo pikë e përgatitur nga Ju në 2009-n , a ndryshon nga situata e sotme më 2018? Kur e lexon këtë pikë Kolonel, duket sikur e keni përgatitur, jo para 9 vitesh, por para 2 ditësh. Atëherë, përse heshtni sot? Deklarata e para disa ditëve e Presidentit Meta për këtë çështje të krijon përshtypjen sikur e ka marrë fjalë për fjalë shqetësimin tuaj të 2009-s dhe e ka bërë publike në 2018. Atëherë kë po kritikoni Metën e 2018-s apo Pashain e 2009-s?! Kolonel Pasha! Ju kritikuat, debatuat dhëmb për dhëmb me negociatorët e Berishës, u kërcënuat prej tyre por në fund e fituat “luftën”. Sot këta negociatorët janë graduar nga Kryeministri Rama dhe kanë zënë pozicione kyçe në diplomacinë shqiptare. Përse heshtni Kolonel Pashai?! 

Ja kush janë dhe ku janë pozicionuar
1- Ferit Hoxha, ish-sekretar i Përgjithshëm MPJashtme, u dekretua para 1 muaji si ambasador në UNESKO ( vështroje, kolonel)
2- Enkelena Mërkuri, specialist në MPJ, emërohet diplomate në Athinë (vështroje, kolonel)
3- Gazmend Turdiu, ish-drejtor Juridik, emërohet Sekretar i Përgjithshëm i MPJ (vështroje, 
kolonel)
4- Ilir Teplena,ish drejtor për Rajonin, emërohet ambasador në Rumani (vështroje, kolonel)
5- Suela Janina specialiste në MPJ, emërohet ambasadore në Belgjik ( vështroje, kolonel )
6- Ledia Hysi, ish–drejtoreshë e Traktateve, emërohet në ambasadën e Romës (vështroje, kolonel)
7- Anduel Cauli, përgjegjës sektori ( vështroje, kolonel )

Kjo listë negociatorësh e 2009-s Kolonel Myslimi u ngritën në detyrë në 2017 dhe tani në 2018 nga Kryeministri dhe Ju duhet të flisni,të paktën në nderim të atyre që të vendosën si portret në çdo shtëpi. Në rast se Ju keni pak dinjitet dhe që portreti Juaj të mos përfundojë si ai i Hrushovit, ose duhet të kërkoni ndjesë për reagimet e 2009-s, ose të flisni tani më 2018-n. Që t’i vëmë kapak Kolonel Myslym Pasha, po Ju rikujtojmë se listës së mësipërme shtojini edhe studimet 1 vjeçare të Ministrit Bushati në Athinë dhe Shefit të Kabinetit të Bushatit që është me Pasaportë greke, dhe që ka 6 muaj që ka filluar si drejtor për antikorrupsionin pranë Kryeministrit. Po e mbyllim, Ju me dossierin dhe unë analizën për ato çka kemi bashkëbiseduar 9 vite më parë duke shpresuar se Ju do të riktheheni në Kolonelin idhull të shqiptarëve, pavarësisht telasheve politike dhe partiake. Në të kundërt do më duhet t’ju kujtoj Kolonel Myslim Pasha, një shprehje të famshme të Alexandre Dumas që thotë: “Dallimi mes tradhtisë dhe patriotizmit është vetëm çështje datash”
Sigal