Ëngjëll Musai/ Cilën polici duhet të besojmë?!

557
Skandali më i fundit i përgjimeve dhe lojërat e fjalëve apo shprehive nëse pajisja është përgjuese apo regjistruese, nëse është origjinale apo e sjellë nga Azia, nuk janë gjë tjetër veçse tymnaja, të cilat duan të fshehin të vërtetën e hidhur të ekzistencës së pajisjes, e cila çuditërisht dhe fatkeqësisht mbahet ende e fshehtë në zyrat e Ambasadës Italiane. Rastësi apo e qëllimshme, por faktet tregojnë se është rast i përsëritur që përgjimi përfshin politikanë shqiptarë dhe në mes dalin diplomatë të Ambasadës Italiane. Mjafton të citojmë një tjetër skandal, i cili ka ndodhur në mesin e viteve ‘90- 2000 me ish – ambasadorin italian Foresti. Ja si e përshkruante këtë rast prestigjozja “La Repubblica”: Ambasadorit italian në Shqipëri (Paolo Foresti )do t’i pëlqente shumë të dinte kush ishte ai që kishte regjistruar bisedën. ishte e vetmja gjë që thoshte, ndërkohë që në stereon e rezidencës fillon të xhiroj shiritin, që po e bën të kalojë orët më të vështira të jetës së tij. “… Në qoftë se vërtet zbulohet se këto inçizime ekzistojnë duhet parë në çfarë konteksti janë thënë disa fraza. Kur bëhet fjalë për tratativa delikate, si kjo e këtyre ditëve, flitet shumë dhe për shumë gjëra. Unë kam folur me Shehun, Nanon dhe shumë protagonistë të tjerë të politikës shqiptare. Ajo që është e sigurt është se fjalët e mia në gazetën “Indipendent”, nuk kanë asgjë të përbashkët me realitetin. Në këto ditë, bashkë me ambasadoren amerikane, Mariza Lino dhe me Vranickin, kam kaluar net të tëra pa gjumë për arritjen e një akordi dhe jo për dështimin e tij. Dhe kur publikon të tilla gjëra kërkon dështimin e këtij procesi të normalizimit të vendit”. 

Çuditërisht edhe në skandalin e fundit në fokus janë Interforca Italiane, ambasada si mbajtëse apo strehuese e pajisjes, si dhe policia shqiptare, e cila ka një mosrakordancë mes saj dhe ministrit të Brendshëm. Flitet se “Krimet e rënda” ishin duke survejuar një grup kriminal, por “gracka” e tyre dështoi, sepse diku valët interferuan dhe grupi u njoftua në lidhje me faktin se ishte nën përgjim. Një tjetër hipotezë ka të bëjë me faktin se një diplomat, i një shteti të fuqishëm është ndjekur dhe shërbimet e tij e kanë pikasur, madje flitet se edhe një diplomat nga më të rëndësishmit është tentuar të përgjohet gjatë bisedave të tij. E pra, faktet dhe hipotezat duan zgjidhje dhe këtë zgjidhje e bën sekuestrimi i pajisjes dhe arrestimi i menjëhershëm i të gjithë subjekteve që kanë pasur dijeni për këtë pajisje dhe e kanë futur në doganë të paregjistruar dhe në mënyre të jashtëligjshme. Deklarata e Policisë së Shtetit fqinj, nëse është e saj thotë se pajisja është mësimore dhe nuk regjistron, por vetëm saktëson numrin e telefonit dhe vendndodhjen. Pra situata këtu ndryshon dhe deklaratat e para të Policisë së Shtetit se nuk ka asnjë pajisje të tillë, apo se në vendin tonë nuk ka hyrë asnjë pajisje e tillë lënë vend për hetim të thelluar, sidomos tani që u faktua futja e saj nga Dogana e Durrësit dhe pritës ishin pikërisht drejtuesit e Policisë së Shtetit. 

Një tjetër moment i rëndësishëm është ai që deklarojnë specialistët e IT dhe elektronikës, se këto pajisje konfigurohen shumë shpejt nëpërmjet softwer-ve dhe çelësin e verifikimit të numrit dhe vendndodhjes e deshifrojnë dhe e kthejnë duke zbardhur zërin dhe sms. Madje ka kompjutera të tilla që me 1800 euro, të tipit laptop që kthehen në përgjues të telefonave dhe sidomos të “warles”. Madje shumë vende në Europë e lënë warles-in të lirë që t’i kenë më të lehtë regjistrimet dhe përgjimet, në kuadrin e luftës kundër krimit dhe terrorizmit, por gjithçka bëhet ligjore dhe pasi është marrë miratimi i Prokurorisë dhe Gjykatës. Çështja qëndron se deri ku ka arritur “prova mësimore”, a ka leje qarkullimi për mjetet që kanë lëvizur në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë? Kush i ka shoqëruar dhe me cilat automjete ato të ardhura nga Italia, të ambasadës apo të Policisë së Shtetit. A ka plan masash, a ka urdhër shërbimi-mësimor për efektivat e vënë në dispozicion të trajnuesve, a ka libër shërbimi dhe ku kanë firmosur të trajnuarit. A ka procesverbal testimi dhe çfarë testi u është dhënë specialistëve shqiptarë të trajnuar, çfarë vlerësimi kanë marrë dhe a u është shpërndarë certifikatë apo dëshmi kualifikimi, e cila nesër, në rast se do të merret një pajisje nga policia shqiptare (sipas ligjit) këta persona do të firmosin akt regjistrimin që do t’i dërgohet Prokurorisë apo Gjykatës si provë materiale. Ja këto dhe shumë të tjera si këto duan përgjigje, madje edhe përgjimet e të burgosurve shqiptarë…
Sigal