Engjëll MUSAI: Check-up-i falas dhe pranimet e reja, si arritjet të “Rilindjes”

566
E ndërsa vendi lëngon nga rritja e frikshme e krimeve, numrit të personave të vrarë në mesin e ditës dhe mesin e qyteteve tona, e ndërsa qytetarët janë shokuar nga tmerret e krimeve dhe struken banesave të tyre, kreu i Ministrisë Brendshme dhe pas tij edhe kryeministri, i pari si kryetar i degës së Tiranës, dhe tjetri si kryetar i PS, po ndajnë teserat e pranimeve të reja në rrethe, dhe u bëjnë jehonë arritjeve të deritanishme si “check-up-i, ulja e çmimit të ilaçeve, reformave “ etj. Pothuajse në çdo ekran televizioni, në çdo ditë të javës, do të shikosh dhe dëgjosh ministrin e Brëndshëm tek mburret me “arritjet e qeverisjes, uljen e numrit të krimeve, rritjen e forcës goditëse të policisë”, ndërkohë që pa mbaruar mirë fjalimin, e njoftojnë se “kemi vrasje në Durrës, kemi vrasje në Elbasan, kemi vrasje në Vlorë, kemi vrasje në Lushnje”, dhe vargu i njoftimeve nuk ka fund. Por ministri Brëndshëm i quan ato “vrasje për larje hesapesh”, apo “vrasje për hakmarrje”, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, mjafton që në fushatën e zgjedhjeve brënda partisë, ministri Brëndshëm të plotësojë objektivat dhe zotimet e bëra para kryetarit, të ketë sa më shumë “pranime të reja”. Nuk mbeti ditë pa ndarë teserat e reja të pranimeve të reja, nuk mbeti ditë që ministri Brëndshëm dhe kryeministri të mos përmendin dhe ripërmendin “arritjet” si , “check-up-in falas, uljen e çmimit të ilaçeve, shëndetsinë falas, rritjen e forcës goditëse të policisë”. 

Gjithçka është bërë si një refren i njohur, aq sa ata që mblidhen me detyrim për të qenë të pranishëm në dhënien e teserave të reja, e dinë se patjetër zoti Tahiri dhe zoti Rama do të flasin edhe për arritjet e rilindjes. Gjithçka mund të ishte normale dhe të dukej si e tillë, në rast se rendi dhe qetësia do të ishin në nivelet maksimale, kur niveli ekonomik të ishte në rritje, kur papunësia të kishte pësuar ulje, dhe lufta ndaj korrupsionit të ishte motoja e organeve të drejtësisë. Duke u ndalur me rradhë tek seicila prej tyre konstatojmë se, rendi dhe qetësia janë në gjendjen më të keqe të tyre qysh pas vitit të zi 1997. Pothuajse çdo ditë ka krime, ka vrasje, plagosje, ka rrëmbime, grabitje, vjedhje , duke e bërë jetën e qytetarëve një ferr të vërtetë. Askush nuk është i sigurtë, në kafene, në restorante, në supermarket, në pallate dhe banesat e tyre, në rrugë dhe trotuare, pasi krimi dhe kriminelët e veshur me petkun e “policit” dhe “ushtrisë” nuk po pyesin dhe nuk po llogarisin se mund të eleminojnë objektivin e tyre, por po marrin edhe jetë të pafajshme. Pasiguria ka mbërthyer pothuajse çdo familje shqiptare, e cila nuk shikon tek organet policore dhe drejtësia, shtetin që do ti mbrojë dhe ndëshkojë elementët e krimit, por konstaton se ata ndoshta janë vasalë dhe bashkëpunëtorët e tyre. 

Rritja e numrit të personave të papunë, ka sjellë edhe rritjen e numrit të krimeve ordinere, krimeve të rrugës, ka sjellë uljen drastike të nivelit ekonomik të shumicës së popullatës. Një ndër shkaqet e rekrutimit nga krimi të të rinjve është edhe niveli i ulët arsimor dhe veçanarisht ekonomik. Sipas një oficeri policie “mbi 70 per qind e atyre që ne arrestojmë për krime të rënda apo edhe të lehta, janë të moshave 17 deri 25 vjeç, të papunë dhe me prindër të papunë, madje duke deponuar në proceset hetimore se “e bëra grabitjen apo vrasjen sepse më duheshin para”. Në këto 25 vjet nuk mbahet mend të jetë arrestuar asnjë prokuror apo gjyqtar për akuzë direkte të korrupsionit, të denoncuar ka me dhjetra, por të arrestuar dhe dënuar asnjë, veç ndonjë rasti sporadik. Ndaj si mund të shpresosh tek dënimi i personave të inkriminuar, kur qysh nga hallka e parë e “zinxhirit”, elementi kriminal paguan dhe fshihen provat, paguan dhe merr avokatin më të shtrenjtë, paguan dhe ble prokurorin dhe i bien 2-3 akuzat më të rënda, paguan dhe ble edhe vendimin e trupit gjykues. Duke shpresuar tek mrekullia e “reformimit të drejtësisë”, ministri Brëndshëm dhe kryeministri vendit, në valën e fushatës zgjedhore brënda partisë tyre, po merren në të gjitha ditët e javës me pranimet e reja, me “check-up-in falas” , dhe të tjera “arritje” të qeverisjes së tyre, duke mos thënë asnjë fjalë për të ardhmen e rendit, për qetësinë e prishur të qytetarëve, për 16 të vrarët dhe dhjetra të plagosurit e muajit janar 2016, për 6 të vrarët e muajit shkurt, për bandat që lëvizin me veshje “blu” apo “kaki”, për tmerrin që ka mbërthyer banorët e qyteteve tona, tmerrin që ka mbërrthyer tregëtarët e vegjël, biznesmenët, që gjenden nën presionin e gjobëvënësve dhe braktisjen e shtetit. Qytetarët nuk i hanë më përrallat me ”check-up falas, me ulje të çmimit të ilaçeve, me shendetsi falas”, pasi ata as po kontrollohen falas, as po i blenë ilaçet me çmime të ulëta, dhe as po marrin shëndetsi falas”, përkundrazi po trajtohen si kavie nga mjekët e korruptuar dhe matrapazët e farmacive. Ky është një pjesë e realitetit të zymtë të cilin as ministri Brëndshëm dhe as kryeministrin nuk duan ta pranojnë, duke mbetur kokëfortë në mendimin e tyre se “ në Shqipëri ka rilindur gjithçka, rendi, qetësia, mjeksia, ushtria, bujqësia, ekonomia”, dhe duke shpresuar akoma se pas 1 viti e gjysëm, nuk do të marrin 1 milion shuplaka, por vota nga shqiptarët e zhgënjyer.
Sigal