Engjëll MUSAI/Çfarë pune bën Aldo Bumçi, zoti Nishani!?

781
Sigal

Sot Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiç ka caktuar mbajtjen e një debati mbi punën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës mbi Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi. Ajo që bie në sy është se pinjolli i Sllobodan Millosheviçit ka ftuar të ligjërojë në  poltronin e OKB-së  zëvendëskryeministrin e parë të Serbisë, Vuçiç. Por ndërsa Jermiç po shfrytëzon paturpësisht pozitën në OKB, Ministrinë  e Jashtme Shqiptare dhe Aldo Bumçin e ka përfshirë një heshtje e turpshme. Ende nuk dihen motivet e indiferencës së Ministrisë së Jashtme shqiptare, por do Zoti dhe nuk janë të natyrës detyruese nga padronët e dikurshëm të ish- UDB-së. Si mundet të heshtë ministri Bumçi për një ngjarje të tillë të nivelit të lartë, kur dihet fare mirë se ish-ministri i Jashtëm serb kërkon të godasë Gjykatën e Hagës dhe vendimet e saj për lirimin e Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të UÇK-së. Gjithashtu, serbët duan të zhvlerësojnë rolin e kësaj gjykate, e cila liroi si të pafajshëm edhe 2 gjeneralët kroatë,  Ante Gotovina dhe Mladen Markaç. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, u krijua për të gjykuar liderët politikë dhe ushtarakë  të luftës që përfshiu ish-Jugosllavinë 20-vjet më parë. Shkaktarët kryesorë ishin serbët e udhëhequr nga krimineli i Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi. Gjatë dy dekadave të fundit, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka mbrojtur viktimat e luftës, ndërkohë që, ka dënuar ata që kanë kryer krime lufte mbi popullsinë e pafajshme civile, si edhe ata që kanë bërë abuzime të rënda të të drejtave të njeriut gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Fatkeqësisht në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme shqiptare mungonte qëndrimi që do mbante vendi ynë. Madje, ka shumë mundësi që Aldo Bumçi nuk ka dijeni se kur mblidhet dhe përse mblidhet sot më datë 10 prill Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Por  Aldo Bumçi është modeli më i mirë i një të paafti, servili dhe abuzues i ligjit  për interesa personale (që nga koha e ministrit të Drejtësisë, por edhe asaj të Ministrisë së Kulturës). Ndaj nga ky njeri nuk pret asnjë gjë të mirë. Ai (Aldua) pasi shkatërroi kulturën do të shesë edhe Shqipërinë dhe se, pas takimit të sotëm të serbëve në OKB, radhën do e ketë Kufiri Detar dhe Aldua do e firmosi menjëherë. I tregojmë zotit Bumçi se, serbët po shfrytëzojnë postin që kanë, i cili është një konflikt i pastër interesi dhe nëpërmjet, të cilit duan të pastrojnë duart e ngjyera me gjakun e pafajshëm të qindra mijëra shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve  dhe sllovenëve. Aldo Bumçi, së bashku me faktorin shqiptar në Kosovë, Maqedoni si dhe diplomacinë kroate, boshnjake dhe sllovene duhej që t’i kërkonin me një notë proteste sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon që, Jeremiç dhe serbët nuk mund të luajnë me dinjitetin e kombeve që i gjakosën dhe i groposën të gjallë në varreza të përbashkëta. Presidenti Bujar Nishani duhet të mbulojë punën e ministrit më të paaftë në historinë e diplomacisë shqiptare Aldo Bumçi. Ai të thërrasë urgjentisht  ekspertët e Ministrisë Jashtme për të mbajtur një qëndrim ndaj kësaj maskarade të Vuk Jeremiçit  në OKB, si dhe në bashkëpunim me vendet e tjera ballkanike të prekura nga gjenocidi serb, t’i kërkojë OKB-së dhe Ban Ki Moon të shkarkojë  ish- mbrojtësin e Millosheviçit.  Më 28 shtator 2012 në New York, të SHBA-ve,  Presidenti Bujar Nishani, “vlerësoi qëndrimin koherent të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi zhvillimet në rajon, paqen dhe sigurinë atje dhe në mënyrë të veçantë të gjitha aspektet që lidhen me Kosovën”. Por koha po tregon se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon jo vetëm që nuk po respekton të vrarët dhe ata që u dogjën dhe u përzunë nga trojet e tyre, por përkundrazi po mbron dhe po lartëson nga podiumet e OKB-së figurat e kriminelëve, duke i dhënë një goditje të rëndë Gjykatës së Hagës. Ban Ki Moon jo vetëm që duhet ta ndalojë një maskaradë të tillë, por t’i kërkojë Jeremiçit dhe udhëheqësve serbë të kërkojnë falje për krimet që shkaktuan në Ballkan. Përballë koalicionit Serbi-Rusi-Kinë, Presidenti Nishani duhet të kërkojë mbështetjen e fuqishme të aleatit strategjik, SHBA-ve, si një nga miqtë më të mirë të shqiptarëve dhe popujve të shtypur të Ballkanit. Teza serbe se, “atë që humbëm me luftë do ta fitojmë me diplomaci” duhet të lërë natë e ditë pa gjumë ,“të përgjumurin” e diplomacisë shqiptare Aldo Bumçi. Në të kundërt, ne me indiferencën tonë kemi fshirë nga kujtesa Adem Jasharin  dhe heronjtë e UÇK-së, të vrarët e pafajshëm të Kosovës dhe Ballkanit, luftëtarët e NATO-s me Gjeneralin Klark në krye  dhe ish-Presidentin e lavdishëm Bill Klinton. E nëse Aldo Bumçi si pasardhës i Esat Pashë Toptanit dorëzohet para serbëve të Jeremiçit, për ne pasuesit e Skënderbeut liria dhe kombi janë gjëja më e shtrenjtë!