Ëngjëll Musai: Çekiçi i ndryshkur i Vettingut të Ramës, ka shkuar për të thyer arrat

509
Miratimi i ligjit për Vettingun pret vetëm konstituimin e institucioneve, të cilat do të nisin hetimin mbi të gjitha çështjet e mbetura pezull, të mbyllura nga organet e hetimit apo pushuara nga organet gjyqësore. Rastet më skandaloze dhe të shumëpërfolura tashmë janë të evidentuara dhe të piketuara si çështje që do rihapen, pasi suporti politik që këta drejtues institucionesh kanë pasur në rrethana të caktuara, por edhe pagesat e majme që këta drejtues kanë përdorur në gjyqësor kanë bërë që të mbyllen hetimet. Rasti më skandaloz dhe i më i përfolur në këto vitet e fundit ka të bëjë me koncesionet e naftës dhe gazit si dhe kompanitë Armo dhe Albpetrol. Raporti i fundit i KLSH për Albpetrolin në lidhje me babëzinë e këtyre 4 viteve, është një njollë edhe më e zezë se vetë nafta dhe zifti mijëravjeçar që nxirret nga nëntoka jonë. Është e pafalshme kur mendon se abuzimet me naftën dhe gazin e nëntokës shqiptare, si dhe kontrabandën dhe evazionin fiskal të tregtarëve të naftës me akcizën dhe tatim fitimin i kalon të 750 milionë eurot në vit. Pikërisht këto abuzime janë dhe duhet të jenë objekt i ndjekjes, verifikimit dhe ndëshkimit duke filluar nga funksionarët më të lartë të ekzekutivit, organet shtetërore dhe drejtoritë e tyre përkatëse. 
01 
Vendimet e gjykatave, Kryeministri dhe shteti i së drejtës 
Shqipëria, atdheu ynë i dashur ka nevojë për drejtësi dhe kjo drejtësi fillon me mbrojtjen e Kushtetutës, shtetin e së drejtës, të drejtat dhe interesat e ligjshme të shtetasve. Drejtësinë e vërtetë e realizojnë gjykatës, prokurorë, avokatë e juristë me mendim të ri bashkëkohor; politik, juridik e filozofik, me aftësi të larta profesionale, objektivë, të pa korruptueshëm, me figurë të pastër morale e profesionale, të pavarur nga politikat partiake dhe interesat personale të pushtetarëve të lartë, të përkushtuar në zbatimin e ligjit me rreptësi e në bazë të bindjes së ndërgjegjshme juridike. Por politika shqiptare dhe Kryeministri Rama ka ditë që ka nisur një sulm ndaj institucioneve të gjyqësorit dhe prokurorisë dhe, me sa duket, më shumë se sa një preokupim për të vërtetën dhe të drejtën, kreu i shtetit duket se do të justifikojë situatën e rënduar politike në të cilën është zhytur vendi, mungesën e deputetëve opozitarë në Kuvend dhe nxitimin për t’i mbyllur gjërat para zgjedhjeve duke kapur organet e drejtësisë. Me pak fjalë, një sistem drejtësie i lakuar e i përgojuar si mbrojtës i interesave të një krahu politik duhet tashmë të kalojë dhe të vihet në shërbim të krahut tjetër. Në lidhje me këtë, po japim disa argumente, pa pretenduar se janë shteruese, pasi ka edhe të tjera të tilla, pse jo, madje edhe të kundërta si këto. 
Së pari: Kryeministri me të drejtë e etiketon gjyqësorin si organi që ka shkelur parimin e barazisë në dhënien e shumë vendimeve. Por do të mendoja dhe gjykoja, se nuk ka vlerë dhe nuk është i besueshëm, nëse vetë z. Rama nuk pranon faktin tjetër se një çështje ka përfunduar në gjykatë, pasi agjencitë e ndryshme; si ajo e kthimit të pronave , hipotekat, sigurimet shëndetësore apo shoqërore, urbanistika etj, kanë kryer me veprimet apo mosveprimet e tyre një shkelje apo padrejtësi, e cila është bërë shkak që palët të përfundojnë në dyert e gjykatave apo prokurorisë. Pikërisht ky argument i kreut të qeverisë do kishte vlerë, nëse do ishte transparent dhe do shigjetonte të dyja palët, si administratën shtetërore ashtu edhe atë gjyqësore.
Së dyti: Mirë vendimet e gjyqësorit dhe prokurorisë kanë problem, njëanshmëri, vonesa etj. Po zbatimi i vendimeve të dhëna, përse nuk ekzekutohet nga institucionet shtetërore?! Kam parasysh, pronën, largimet nga puna, abuzimet e nëpunësve të shërbimeve ujë, drita etj. Po si ka mundësi që Prokuroria e Përgjithshme dërgon materialet me masat përkatëse pranë KQZ dhe kjo fundit hesht për heqjen e imunitetit të deputetëve të inkriminuar, të cilësdo palë qofshin këto?! Po vendimet e KLSH dhe masat për largimet nga puna për abuzimet e ndryshme, përse nuk ekzekutohen nga ministrat e linjës dhe institucionet e tyre nën vartësi?! Këto janë argumente që vlejnë dhe kërkojnë, jo vetëm reflektim, por edhe ndjesë para auditorëve dhe forumeve ku liderët politikë flasin për drejtësinë dhe Vettingun.
Së treti: Flitet për emra gjyqtarësh dhe prokurorësh të lidhur me shtetarë apo politikanë të së djeshmes. Absolutisht që është e vërtetë dhe Kryeministri Rama për të gjithë këta individë, tashmë të bërë publikë me qëndrimet e tyre si dhe me problematikat, vendimmarrjet, pasuritë, integritetin e humbur duhet të kërkojë futjen e tyre në darën e fortë të Vettingut. Por faktet duhen parë dhe analizuar me të njëjtin këndvështrim dhe jo njërin me syrin e nënës dhe tjetrin me të njerkës. Dhe që të ishte i besueshëm deri në fund z.Rama duhej të shpjegonte, se përse Prokurori i përgjithshëm, ai i Kryeqytetit, prokurorë të qarqeve kryesorë, ish- drejtues të gjykatave duke nisur nga ajo e Tiranës dhe në rrethe, zëvendësit e tyre dhe oficerë të organeve të depolitizuar; si garda, burgjet, policia etj, sot zoti Kryeministër i ka në krah dhe jo rastësisht. Ata janë aty, jo për faktin se shquhen si politikanë. Ata janë aty, se i kanë shërbyer atij dhe sot morën shpërblim duke u bërë pjesë e strukturave partiake dhe deputetë. Ja kjo besoj se është e vërteta dhe me e ndershmja për t’u thënë.
02
Vettingu për drejtësinë ! Po për politikën ?
Jam plotësisht dakord që çdo gjyqtar, prokuror, avokat apo përfaqësues të shoqërisë civile që duan të jenë pjesë e organeve të kontrollit të drejtësisë apo të ushtrojnë profesionet përkatëse duhet detyrimisht të tregojnë atë çka përfaqësojnë, si në nivelin profesional, dosjet që kanë shqyrtuar, lidhjet e ndryshme shoqërore, familjare, politike, pasurinë etj. Madje pas vet-deklarimeve është e drejta e këtyre institucioneve, që sapo të konstituohen të fillojnë kontrollin dhe vërtetësinë e atyre çka është deklaruar. Por lind pyetja: Po Vettingun e politikanëve kush do e bëjë ? Kush do e zbatojë dhe a do ketë kurajë ILDKPI, KQZ dhe prokuroria etj, të çojnë deri në fund ekzekutimin e vendimeve të mara? Ja kjo është ajo që kërkojnë shqiptarët, pasi të gjithë e dimë, se të parët janë politikanët dhe, se gjithçka duhet të nisë nga ata. Është e pafalshme, që ne ende kemi deputetë me rekorde kriminale që votojnë për Vettingun. Kjo është edhe hipokrizia më e madhe që ndodh në një vend në mes të Evropës. Kemi Kryebashkiakë të dënuar dhe akuzuar për veprat penale nga më ordineret e deri tek vrasjet. 
03
Koncesionet dhe hashashi
Shqipëria dhe shqiptarët humbasin miliarda euro në vit nga koncesionet klienteliste të qeverisë së kaluar dhe asaj të sotme. Koalicioni i Rilindjes deklaroi, se sapo të vijë në pushtet do t’i anulojë koncesionet, qoftë të skanimit, kolaudimit, lotarinë Austriake, spitalin ushtarak, rikthimin e SHQUP-it në identitet, koncesionet e naftës, Bankers, minierat e bakrit, Bulqizën etj. Sot jemi para faktit që asnjë nuk është prekur dhe, se këtyre koncesioneve iu shtua marrëzia në shëndetësi, laboratorët, pajisjet kirurgjikale, hipotekat e shumë e shumë të tjera. Kjo me pak fjalë quhet mashtrim elektoral ose në gjuhën e përditshme, pabesi ndaj atyre që të besuan votën dhe jetën e tyre. Shqipëria u kthye në hambarin e hashashit, sa që Lazarati do të ngjante si një “Lulëkuqe” me atë çka ndodhi në vendin tonë sidomos vitin e fundit. 
04 
Drejtësia dhe Universitetet Shtetërore
Që të gjithë shqiptarët e duan drejtësinë dhe kjo tashmë përbën një realitet të vonuar, por që të flasësh për drejtësinë, pikërisht në zemër të korrupsionit, kjo, jo vetëm është hipokrizi, por edhe marrëzi e vërtetë. Me të drejtë Kryeministri Rama i konsideronte Universitetet si “Fabrika diplomash”. Por fakti tregoi se ato nga Universitete diplomash janë kthyer na “Fabrika parash” ku çdo student duhet të mendohet mirë përpara se të futet në provim apo mbrojtje diplome. E pra të ankohesh për nxehtësinë e llavës së vullkanit dhe ta kërkosh ftohtësinë në zemër të tij është një paradoks. 
05
Grusht shteti apo anashkalim i Presidentit
Shtesat në Kushtetutë kërkojnë që të rinisë nga fillimi dhe organi kushtetues kompetent është Presidenti i Republikës, dhe vetëm kur ai nuk e përmbush brenda afatit, procesi kalon tek Avokati i Popullit. Dhe kjo është shkelja e parë kushtetuese që u krye para dy ditësh dhe që urgjentisht duhet të ndërpritet, pasi shkelja e Kushtetutës e bën “Nul” çdo nismë të marrë nga zyra e Avokatit të Popullit. Kjo shkelje pasohet nga një tjetër shkelje që shumë shpejt do jetë objekt i Gjykatës Kushtetuese dhe që aty në atë ndërkombëtare, pasi edhe mandati i Avokatit të Popullit ka gati 5 muaj që ka mbaruar dhe çdo veprim i tij është i paligjshëm dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Këtë gjë e di edhe vetë z.Rama, i cili nuk e zëvendëson dot Avokatin e Popullit, pasi zgjedhja e tij bëhet me 94 vota. 
Sigal