Engjëll MUSAI/ Bashkë me zgjidhjen, edhe zgjedhjet

575
Politikën shqiptare e ka mbërthyer ngërçi i reformimit të drejtësisë, por që disa kërkojnë ta quajnë si Reforma në Drejtësi, pavarësisht se qëllimi final është kapja e saj nga politika dhe nga kreu i qeverisë Edi Rama. Shkaku i gjithë kësaj pasigurie nuk është i rastësishëm, por është pjesë e trashëgimisë së kaluar, ku një pjesë e mirë e atyre që janë sot në krye të shtetit dhe qeverisë janë pasardhës të dënimeve me vdekje dhe komisioneve famëkeqe të internim-dëbimeve. Por kjo situatë e nderë dhe e nxehtë vazhdon të rrisë temperaturat falë edhe qëndrimeve të njëanshme të përfaqësuesve të ambasadave të huaja, të cilët megjithë respektin për miqtë i kanë kaluar kompetencat për hir të interesave personale dhe klienteliste brenda dhe jashtë vendit. Një grupim “Sorosian” del proteston para Kuvendit për miratimin e një ligji, a thua se shqiptarët e tjerë nuk e duan miratimin e tij. Por ata dalin, sepse pas tyre do qarkullojnë milionat për komisionerët dhe fushatën e grupimeve të interesit, ku Soros është partneri kryesor i qeverisë dhe komisionit Xhafa. 

Nga ana tjetër këtyre grupimeve u bashkohen edhe ata ambasadorë, të cilët e shohin karrierën e tyre të lidhur më premtimet që u kanë dhënë atyre që e sollën apo edhe më keq po të jetë, sikurse thonë gojët e liga për shuma marramendëse, të padeklaruara nga bota e krimit dhe trafikantëve të hashashit. Personalisht e dua popullin amerikan, e kam mbështetur moralisht, kam shkruar për të gjitha të mirat që i kanë dhënë vendit tim, kam mbajtur qëndrim të prerë pro amerikan kur SHBA, institucionet dhe individët e saj janë goditur nga terroristët e të gjitha ngjyrave, që nga grupet e Bin Landenit, ISIS apo kushdo qoftë. Dhe këtë e kam bërë dhe do ta bëjë se e kam ndjerë. Jam amerikan në shpirt dhe në paraqitje, më shumë edhe se dikush pretendon të kundërtën, qoftë edhe me pasaportë amerikane. Por unë nuk mund të pranojë që një arbitër që mori iniciativën për të negociuar të bëhet palë me ata që sot kanë mbushur Shqipërinë me drogë dhe hashash. Vendin tonë do ta kishin zili edhe bosët e plantacioneve të Eskobarit, ndërkohë që nga Ambasadori Lu asnjë fjalë për ata që lejojnë dhe trafikojnë drogën. 

Ndërkohë që departamenti amerikan jep alarmin për vendin tonë si vend tranzit dhe kultivues i lëndëve narkotike, por nga selia e saj në Tiranë nuk flitet asnjë fjalë për këtë katastrofë. Këtu liderët e së majtës, me Ramën në krye shëtisin me Erdoganion, (sulltanin e Mesdheut) dhe përsëri heshtje totale. Këtu ministra të Ramës lidhin kontrata me Rusinë e Putinit, ndërkohë që kjo e fundit është në embargo amerikane dhe përsëri asnjë fjalë. Atëherë lind pyetja: Pse kjo heshtje dhe mbështetje për këta qeveritarë? Shqipëria po shkon drejtë të njëjtëve dhunues të lirisë, sikurse ajo e vendeve të tjera të skeduara nga SHBA, si problematike dhe që futen: Rusia, Kina, Turqia, Koreja e Veriu, Irani etj. Zoti Lu, ne e duam lirinë dhe drejtësinë më shumë se kushdo tjetër, pasi kemi lindur dhe vdesim në tokën tonë. Por ju nuk e dini se këto ndryshime kushtetuese u bënë në 2009, pikërisht nga ky person, të cilin ju e mbani si të privilegjuar dhe që është Edi Rama. Edhe në atë kohë pati greva për respektim të demokracisë, por kolegu juaj Xhon Uidhërs dha miratimin dhe na e kthyen Presidentin nga Gjeneral në një roje misri. Presidenti zgjidhet me 71 vota, ndërsa Avokati i Popullit me 92 vota. Ka edhe të tjera, por që do t’i themi dalë ngadalë, pasi jam i bindur që nuk ua kanë thënë të gjitha. 

Meqenëse Ju flisni për drejtësinë, po ju kujtoj disa momente, të cilat përsëri nuk ua kanë thënë si duhet këtu në Shqipëri, pasi DASH i di shumë mirë dhe se unë kam shkruar dhe komunikuar me shumë miq dhe dashamirës të Shqipërisë, të cilët e dinë se si djalli apo shejtani po kërkon të shitet për engjëll para jush dhe koleges suaj të BE, për të cilën nuk kam aspak respekt personalisht, megjithëse e kuptoj që nuk është etike, por se ajo meriton shpërfillje të gjithanshme. Zoti Donald Lu, një ish-prokuror i shtetit, një tjetër i kryeqytetit, edhe një tjetër i qytetit simbol që nisi protestat për rrëzimin e diktaturës sot militojnë në partinë e Ramës. E di pse? Sepse mbyllnin dosjet e krimit dhe ishin kthyer në shërbëtorë të interesave klienteliste të zaptimit të tokave dhe lejeve të ndërtimit. Një përfaqësuese e gjykatës më të madhe në vend sot kontrollon ankesat e atyre që heq Rama dhe ministrat e tij nga puna, një prokurore tjetër është deputete dhe burri saj, i afërt i ministrit të Diplomacisë. Një sekretar i komisionit zgjedhor dhe më vonë kryetar gjykate u bë deputet dhe tani kryebashkiak i qytetit numër dy në Shqipëri. Ai rrahu dhe hodhi në kanal Petro Koçin, zv/ministrin aktual të Mbrojtjes më 1996. Pyeteni se ua thotë zv/ministri i NATOS, por ai kryebashkiak dhe ish-kryetar gjykate është i besuari i Ramës. Ke edhe oficerë madhorë, që nxorën tanket në 1997, rrahën barbarisht socialistët në sheshin “Skënderbej”, që mbanin korrespondencat e burgjeve me kriminelët, që arrestuan shtetas të pafajshëm etj., etj. Këta janë në parlament dhe vazhdojnë ashtu sikurse vazhdojnë kryebashkiakët, të cilët ligji për dekriminalizimin i nxori nga dera e zyrave popullore, por që Rama u la dritaren hapur në vend që të nxirrte vendimin e qeverisë për shkarkimin e tyre. Ai nuk e bën dhe Ju këtë e dini, dhe nuk flisni apo jo?! 

Vendi është në varfëri dhe vuan për bukën e gojës dhe pikën e ujit se ka vajtur çmimi në stratosferë, por ministrat po pëlcasin nga miliardat. Shëndetësia është në ditë të hallit, por milionat i merr mikesha e kryeministrit, e cila pasi shiti cigare 25 vjet, tani i dhanë koncesionin e ilaçeve që gjoja t’i shërojë. Edhe këtë, nëse nuk u kanë thënë, po ua bëjë prezente. Po koncesioni i CEZ dhe shitja skandaloze e tij, po nafta, po mineralet, po trafiku, po krimi dhe kriminelët që ikin në drejtim të paditur, po bankat që po vidhen dhe nuk gjendet qoftë edhe një autor, po kryebankieri që është vrarë dhe nuk ka autorë, po aeroporti që ra në duart e kriminelëve e ç’të të numërojë më, i nderuari ambasador!? Këto janë halle përmbi halle! Ndoshta po të ua kishit kërkuar këto ministrave që ditën e parë, sot të gjithë shqiptarët do të besonin seriozisht. Por kam frikë, se duke mbajtur qëndrim të njëanshëm po dëmtoni rëndë imazhin tuaj dhe po lëkundni besimin e shqiptarëve. A e di Sekretari Kerry, ky mik i madh i shqiptarëve se në krye të reformës është pikërisht njeriu që i dhuronte tufa me karafila Enver Hoxhës? Po që ministri i Brendshëm i Ramiz Alisë që turfullonte kur në Tiranë do mbërrinte Sekretari Amerikan Jejms Bejker? Po që ata që internonin dhe dëbonin politikisht shqiptarët i keni krahë për krahë? Po që ambasadat janë mbushur me beniaminët e nomenklaturës së kuqe? Po që qindra djem e vajza të shkolluar janë pa punë se vendet i kanë zënë miqtë dhe krushqitë që nisin nga kryeqeveritari. Ka dhe shumë të tjera, por që reformat të marrin udhën e duhur duhet të shoqërohen në mënyrë të padiskutueshme me dorëheqjen e Qeverisë dhe kreut të saj Edi Rama, pasi faktet kanë treguar që Rama jo vetëm ka kërcënuar gjykatat dh gjyqtarët, sikurse bëri kohët e fundit me përgjimet, por edhe i ka transferuar ish-gjyqtarë dhe prokurorë në forumet drejtuese të Partisë Socialiste. 

Në të kundërt, vitin tjetër për lotarinë amerikanë nuk do keni 200 mijë kërkesa, por 1 milion kërkesa dhe po t’i shtojmë edhe kërkesat për azil, që arritën në 90 mijë, atëherë shifrat flasin vetë. Si do ndiheshit Ju nëse 10 % e popullsisë amerikane të kërkonin të largoheshin nga Amerika (30 milion banorë)? Sigurisht e paimagjinueshme. E pra, kjo po ndodh me ne në Shqipëri. Unë do vazhdojë të jem flamurtarë i ideve amerikane dhe mbështetës i fuqishëm i saj, promoves dhe mbështetës i vlerave të kombit amerikan, pasi ne kemi një detyrim të hershëm ndaj SHBA. Por ne gjithashtu nuk do të lejojmë që askush të futet dhe të prishë sado pak imazhin dhe dashurinë që shqiptarët kanë për vendin e bekuar me emrin Amerikë. Unë jam një nga ata që e dua pafundësisht Amerikën dhe amerikanët e vërtetë. Korrupsioni ka mbërthyer në çdo qelizë qeverinë dhe kjo është arsyeja që korrupsion – politika e stërzgjatur shqiptare e mbështetur vitet e fundit edhe nga fonamentalizmi sorosian ka zëvendësuar dhe shartuar tek shtetarët dhe e ka kthyer vesin në virtyt, moralin e ka zëvendësuar me amoralin, ndërtuesin me rrënuesin, shërbyesin me rrëmbyesin, sojliun me sojsëzin, udhëheqësin me udhë-dreqësin, besën me pabesinë, vrasësin me viktimën, vjedhësin me të vjedhurin, mëkatin me fatin, të keqin me fatkeqin, engjëllin me djallin. Ja kjo është situata ku na ka katandisur Edi Rama. 
Sigal

*Letër e hapur për ambasadorin Donald Lu