Ëngjëll Musai: Ballafaqim midis Kolonel Pashës së 2009 dhe Myslim Pashës së 2018

585
Në vijim të intervistës me Kolonel Myslim Pasha për “Ndarjen e Detit”,e cila sot mund të konsiderohet edhe si dossier, pasi i përket një periudhe para 9 vitesh, përsëri çështja që është shtruar për zgjidhje për ndarjen e detit midis Greqisë dhe Shqipërisë e bën më aktuale dhe pjesë të maratonës për zgjidhje të ndershme dhe të drejtë, pavarësisht se presionet e palës greke janë pjesë e strategjisë së saj të ngahershme. Kolonel Pasha në numrin e sotëm tregon përkushtimin e tij dhe atdhedashurinë për çdo pëllëmbë të ujërave tona duke i dërguar në 2009-ën një letër Kryeministrit të Kohës, Berisha dhe ministrit të Mbrojtjes, Oketa, duke i shpjeguar në detaje ku duhet të përqendrohet pala shqiptare, dhe pse roli i ekspertëve është determinant. Po sot përse nuk e bën një gjë të tillë Kolonel Pasha duke i dërguar të paktën të njëjtën letër Kryeministrit Rama, Ministrit Bushati dhe asaj të Mbrojtjes Xhaçka, e cila duket sikur nuk di gjë fare, se po diskutohet për kufirin shtetëror, edhe pse është ministria përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve. Koloneli thekson, se ekspertët që kanë përgatitur marrëveshjen do të quhen “gjeoturpet”, dhe se këta kur do i çojnë letrat përpara ministrit, Kryeministrit dhe Presidentit i vënë këta të fundit në pozitë dhe ia bëjnë fakt ndarjen e detit. Po në rastin konkret Kolonel Pasha a do konsiderohet “gjeoturp” për faktin, që Presidenti nuk është vënë në dijeni, pale t’i kenë çuar një platformë paraprake? Kolonel a mundet t’u thoni qeveritarëve aktualë, se përse u anashkalua Instituti Gjeografik Ushtarak? Ju thoni se kemi shkelur UNCLOS (United Nations Convention on the Law of the Sea- 1982) dhe i kemi falur Greqisë Mesdhetare, zotërueses gjeografike më të madhe ujore në rajon, (pra i kemi falur) detin tonё… Po në këtë rast pse e toleroni këtë shkelje Kolonel?! Mendojmë dhe gjykojmë që interesat e partive duhet të jenë të papërfillshme përpara interesave sublime të çështjes kombëtare. Ju thoni që gazetarët në konferencë u porositën të mos bëjnë pyetje. Shumë e saktë, por në konferencën e dhënë nga Presidenti Meta, gazetarët pyetën sa deshën dhe për gjithçka. Ju theksoni çështjen e varrezave greke, të cilën e nisi Berisha dhe po e vazhdon Rama. Dhe ju prapë heshtni, i nderuar Kolonel! Ju flisni për emigrantët në 2009-n dhe kini plotësisht të drejtë, por a e dini se nga 2009 deri më sot janë larguar rreth 170 mijë emigrantë shqiptarë? Ju flisni për “vorioepiriotët” dhe heshtjen për çështjen e Çamërisë! A e dini Ju Kolonel që në këtë marrëveshja çështja çame as është denjuar të zihet në gojë si kusht paraprak për fillimin e marrëveshjes. Flisni edhe për Hirësinë e tij Janullatos dhe largimin e tij. Po tani Kolonel a i qëndroni idesë për largimin e Janullatosit? Nëse po, përse nuk e bëni publike me një letër të hapur sikurse ua dërguat me plot të drejtë Berishës dhe ministrit të mbrojtjes së PD-së,Oketa?! Ju thoni se në atë kohë mungonte harta e ndarjes dhe pala shqiptare erdhi me hartën e palës greke. Plotësisht e vërtetë. Po tani, pa më thuaj Kolonel ku është harta e ndarjes së detit që Ju specialistët, të kini të drejtën për të analizuar marrëveshjen? Nuk ka hartë, sepse mungon transparenca Kolonel. Ju përmendni një shprehje që tingëllon po kaq aktuale të Faik Konicës: “Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe tragjik.” Ndarjen e kampeve partiake në Shqipëri, politika e sotme po e rimbjell me ngulm dhe ne ngelemi të ndarë, njëri krah në armiqësi me tjetrin, si një epidemi, që s’e heqim dhe s’po e heqim dot prej vetes. Këto sa thamë, na tregojnë se kemi prapambetje reale, sado që “po prekim Evropën”. Pyetja jonë për Ju Kolonel Pashai është: Ku e fusni veten në ato çka keni thënë në këtë intervistë, më 11 nëntor 2009-s? A i qëndroni të njëjtës ide pavarësisht se atëherë ishte qeveria Berisha dhe sot në pushtet është “Rilindja” e z. Rama?!
Sigal