Engjëll Musai/ Antishqiptarët  e 28-29 Nëntorit 

563
Sigal

Festat e Nëntorit mbajnë me vete dy nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar. Ato kanë të bëjnë me 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë Kombëtare dhe 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të vendit nga nazifashistët, kuislingët dhe bashkëpunëtorët e pushtuesve.  Por hipokrizia e shtetarëve tanë ka kapur majat, kur flasin për Pavarësinë dhe 28 Nëntorin, ndërkohë që, monumentin e Ismail Qemalit e kanë fshehur diku në qoshe, ashtu sikurse bënë edhe me humanisten  Nënë Tereza.  Dhe çuditërisht ai që ia dorëzoi pa luftë dhe e sabotojë luftën i vetëshpalluri Mbret, Ahmet Zogu ka zënë bulevardin kryesor madje, për ironi të fakteve i mori emrin e bulevardit “Dëshmorëve të Kombit”, atyre, të cilët derdhën gjakun, kur Ahmet Zogu mori florinjtë dhe si hajdut ordiner, u arratis pa nam e nishan. Me sa duket, hajduti e do dhe e pëlqejnë hajdutin pasi edhe shumica e pushtetarëve të sotëm  të këtyre 20 viteve, e admirojnë  pasi  tek  Zogu, duket sikur gjejnë pasqyrën e vetes së tyre. Kjo është mëse e vërtetë sepse këta pushtetarë harxhojnë miliona për ceremoninë e varrimit të Ahmet Zogut dhe nuk hedhin qoftë edhe një qindarkë për Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Harxhohen miliona për librat dhe figurën  e Zogut dhe shajnë e mallkojnë për  portretet e dëshmorëve, heronjve dhe atyre qe drejtuan Luftën Nacional-Çlirimtare me Enver Hoxhën në krye.  Nëse ne, duhet të analizojmë se çfarë u bë më vonë hajde ta analizojmë me qetësi dhe maturë, duke i dhënë secilit atë që i takon. Por kjo, duhet bërë pasi t’u themi shqiptarëve  pse Ahmet Zogu iku dhe tradhtoi atdheun, se duke mbrojtur një tradhtar  si  Esat Pashë Toptani që u shiti Shkodrën serbo-malazezëve vrau Avni Rustemin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën dhe dhjetëra e dhjetëra shqiptarë të tjerë.  Pse e përzuri Fan Nolin dhe të tjerë pas tij?  A ka tradhti më të madhe se sa të sundosh një popull, duke ardhur në krye të tij me mbështetjen e ushtrisë serbo-ruse? Ja ky është Ahmet Zogu. Ka tradhti më të madhe se sa të shesësh trojet e vendit sikurse u shitën Vermoshi dhe Shën Nauni? Sigurisht, tradhtari ka një emër dhe ky është Ahmet Zogu… Ka edhe të tjera krime, ashtu sikundër  ka edhe veprime pozitive të tij, por këto janë shumë pak për të ndryshuar balancën e peshores së këtij njeriu që historia e ka damkosur me emrin e tradhtarit dhe njeriut që për lëkurën e tij la popullin në mëshirë të fatit. Por nëse sot busti i tij qëndron i rrethuar me zinxhirë, ai i Babait të Kombit dhe Pavarësisë, Ismail Qemali është fshehur qëllimisht dhe po qëllimisht i kanë zhdukur emrin dhe shkronjat  për ta shndërruar dalëngadalë në anonimë… Para disa ditësh, një grup turistësh që po shëtisnin në Tiranë u skandalizuan kur ciceronia u shpjegoi se ky personi që i kanë zhdukur emrin është pikërisht  njeriu që i solli Pavarësinë Kombit Shqiptar. Jo rastësisht edhe memoriali i firmëtarëve tek parku “Rinia” është vjedhur dhe materialet e tij po shiten për skrap. Po pse pikërisht, po shkatërrohen lapidarët, varrezat e dëshmorëve, monumenti i Ismail Qemalit, monumenti firmëtarëve etj.? Si ka mundësi që figurat e kuislingëve po lartësohen dhe po u shkruhen lavde? Ka vetëm një përgjigje dhe ajo ka të bëjë me faktin se qarqet antishqiptare dhe anti- kombëtare janë hedhur në ofensivë duke mos kursyer asnjë gjë, madje, as edhe kufijtë, sikurse ishte rasti i ujërave detare. Po çfarë vendimi  duhet më tepër për ta konsideruar tradhti ndaj atdheut shitjen e ujërave detare, sikundër ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese? Pse nuk arrestohen këta bashibozukë që  shitën tokën, e cila në çdo pëllëmbë të saj  është vaditur me gjakun e shqiptarëve  brez  pas brezi? Ja, këto janë faktet dhe përgjigjet që duhet të dinë shqiptarët,varfëria e të cilëve nuk po njeh kufi në këtë 28-29 Nëntor .  Justifikimet se jemi në tranzicion janë mbulesa më e mirë që i bëhet krimit ordiner dhe politik. Tranzicioni është kthyer në  periudhën  ku po lulëzon babëzia, ku engjëlli  ja ka lënë vendin djallit, ku hajduti respektohet dhe i ndershmi përçmohet, ku amorali ka më shumë vlera se i moralshmi, ku viktima është fajtor dhe vrasësi është figurë e nderuar, ku ndërtuesi  përbuzet dhe tritolvënësit apo rrënuesit duartrokiten, ku besa dhe sojliu janë më të rëndësishme se pabesia dhe sojsëzë, e kështu me radhë.  Por  mos të harrojmë  se një ditë, të gjithë këta që janë tallur dhe po tallen me shqiptarët do të japin llogari deri më një.