Engjëll Musai/ Ambasadorët dhe marrëveshja e dytë e Mukjes

69
Dështimi i takimit të Ambasadorit të SHBA Donald Lu dhe Ambasadores Vlautin me grupet kryesore parlamentare, të paralajmëruara vetëm 24 më parë përbën një ngjarje të rëndë dhe mosbesim total mes atyre që duan të integrojnë Shqipërinë në strukturat euroatlantike dhe një pjesë të politikanëve, të cilët janë të përfshirë në trafiqe dhe korrupsion masiv. Është normale që çdo shtet ka integritetin e vetë moral, politik dhe ekonomik, por kur vjen puna që ne e kemi situatën të vështirë; sikurse ndodhi në 21 janar, në shtator të 1998, rënia e shtetit në 1997 e me radhë, ne kërkojmë ndihmën e Europës dhe SHBA. Pra ambasadorët na duhen kur jemi në hall dhe kur kalojmë lumin, fjala tjetër popullore për lumin dhe kalin na shkon më përshtat se kurrë. Po çfarë u tha para dy ditësh dhe pse pati një tërheqje 1 ditë më pas?


 U tha se të gjitha partitë parlamentare shqiptare, së bashku me ekspertet evropianë dhe ata amerikanë kanë përgatitur projektin për reformën në drejtësi mbi bazën e raportit final të Venecias. Pra po diskutohet për drejtësinë, për krimin, për korrupsionin, për tenderat, për koncesionet, për deputetët, politikanët, për trafikantët që po na mbajnë pengë prej 25 vitesh. Ishte Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerri që në takimin e Mynihut , më 1 shkurt 2015 dha alarmin e reformimit të drejtësisë dhe faktin se oligarkët kanë uzurpuar shtetin, drejtësinë dhe mediat, duke krijuar një imazh të rëndë për demokracinë. Kjo deklaratë u pasua nga ajo e Drejtorit për Europën Juglindore dhe Ballkanin Xhonatan Mur, që paralajmëronte politikën që të mos ndërhynte në organet e hetimit dhe të linte organin e prokurorisë të hetonte kur kishte fakte dhe jo e nxitur nga politika. Këtyre dy deklaratave, ju shtua ajo e ish – komisionarit për zgjerimin Stefan Fyle, i cili në momentin e pranimit të negociatave me Shqipërinë la në fuqi 5 pikat kryesore, për të cilat ai deklaroi se nuk do të gjeni kurrë kompromis më BE, nëse nuk i zbatoni.

 Dhe ato kishin të bënin pikërisht me këto ligje, që ne sot po presim të miratojmë. Kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin, reformën administrative, pavarësia e gjyqësorit dhe të drejtat e njeriut, shtypit, pronës, romëve, etj. Ja pra ne sot ndodhemi në një ditë të vështirë, ku ligji për dekriminalizimin u miratua, por aktet nënligjore as që bëhet fjalë. Pra ky ligj është nul dhe nuk vlen, deri sa nuk po gjen zbatim. Raportet e DASH dhe BE ditët e fundit janë një litar në grykën e të inkriminuarve dhe hajdutëve të këtij vendi, që kanë detyruar qytetarët të enden rrugëve të Europës në kërkim të azilit ekonomik dhe kohët e fundit për t’u mbrojtur nga krimi, i cili ka kapur direkt apo indirekt shtetin. Dhe, megjithëse këto çka thamë më sipër tregojnë kaosin ku jemi futur, përsëri politika është më e papërgjegjshme dhe më kot shpreson që të inkriminuarit të vetëvendosin litarin në qafën e tyre dhe me duart e veta. Është kjo arsyeja që takimi i anuluar pas marrëveshjes fillestare na kujton trashëgiminë e shqiptarëve dhe kulturën e dobët të mbajtjes së fjalës, duke na rikthyer edhe njëherë ndërmend “Marrëveshjen e Mukjes”, e cila jo vetëm që dështoi, por bëri që të bien “theror” , pikërisht në ditën e 5 Majit dy miq të nderuar ambasadorët Lu dhe Vlautin. Por gjasat janë të pakta për sukses dhe se pas këtij ligji do të duhen edhe ndryshimi i 74 ligjeve të tjera, që do e çojë reformën në kalandrat greke. Mbase përvoja e hidhur e Princ Vidit dhe dështimi i tij para 102 vjetësh mund të përsëritet edhe më 2016, me tërheqjen e dy miqve të nderuar, të dy përfaqësuesve më dinjitozë në botë, por edhe miq me zemër të shqiptarëve, Ambasadorit të SHBA-ve Lu dhe Ambasadores së BE Vlautin. Shpresojmë që ky dështim të mos jetë i vërtetë, pasi 91 % e shqiptarëve sipas një sondazhi duan reformën në drejtësi dhe duan vendosjen e shtetit ligjor dhe goditjen e trafiqeve, krimit dhe korrupsionit. Ndaj, o sot o kurrë! Duke i treguar vendin cilitdo bashibozuku, që i trajton shqiptarët si skllevër dhe vetë hiqen si skllavopronarëte Shqipërisë!