Nga Ëngjëll Musai, Drejtor i gazetës “Telegraf”

Të ashtuquajturat zgjedhje lokale të 30 qershorit 2019, të përgatitura me regji dhe skenar nga “Rilindja ylberiste” do ti kishte zili edhe udhëheqësi i fundit i diktaturës Ramiz Alia. Trashëgimtari i “Rilindësve “aktualë rreth 28 vite më parë pranoi kushtin e SHBA-ve që të lidheshin marrëdhëniet diplomatike me kushtin e pa negociushëm të Reformës Zgjedhore në Shqipëri, ku partitë opozitare të sapokrijuara të ishin të barabartë në garën për zgjedhjet. Dhe sot Shqipëria ndodhet në të njëjtat kushte kur “Rilindja” kërkon me çdo mjet dhe me çdo mënyrë të grabisë zgjedhjet, duke e çuar vendin sipas deklaratave të opozitës në prag të përplasjes civile. Ndoshta veprimet e Kryeministrit Rama si kreu i qeverisë dhe rilindjes socialiste nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me qëndrimet e Ramiz Alisë, dhe këto qëndrime më shumë ngjajnë me veprimet e kryera nga Enver Hoxha, në vitin 1946, kur zhduku pluralizmin dhe pushkatoi grupin e deputetëve dhe kundërshtarët opozitarë.

Sot vendi ndodhet në të njëjtën situatë ku shoqëria shqiptare është në prag të radikalizimit dhe rrëshqitjes drejt revoltave civile. Një vend tërësisht i varfër, një vend që po braktiset çdo ditë, i kapur nga krimi, trafiku, kontrabanda, pastrimi i parave dhe papunësia.

Jemi vendi ku çmimet janë nga më të shtrenjta në Evropë, por produktet të pa garantuara, me shëndetësi “falas” dhe pa ilaçe, me shkolla dhe arsim të korruptuar, me administratë militante dhe të paaftë, me çmimin më të shtrenjtë të ujit dhe dritave.

Jemi vendi ku babëzia e ka emrin PPP dhe DASH na cilëson si vendin e trafikut të drogave dhe bazë operacionale të qarkullimit të saj.

Jemi i vetmi vend në vend të grurit dhe misrit mbollëm hashash. E për të gjitha këto ambasadat e huaja perëndimore heshtin duke i bërë karshillëk të plotë jo vetëm shqiptarëve por edhe vendeve të tyre.

Ndaj lind pyetja: Kë duhet të besojmë, disa diplomatë të shpëlarë dhe pa moral apo kancelaritë e vendeve perëndimore?

A ka arsye ekonomike, financiare apo korruptive në këtë qëndrim? Dhe po këta ndërkombëtarë që pretendojnë të integrojnë vendin në BE, janë bërë palë me qeverisjen e turpit dhe po krijojnë “opozitën e re”, njëlloj si diktatura komuniste e viteve ’90, ku levat e partisë u futën si ‘kundërshtarë’ të partisë, që i nxori sikurse do të thoshte poeti madh Dritëro Agolli “e njëjta mitër”.

Nuk ka asnjë dyshim që zanafilla e kontrollit të politikës është takimi i fshehtë iI 2017-ës, ku Rama diti të mashtronte ‘sinqeritetin’ e tepruar të Bashës në këtë marrëveshje. Politika shqiptare dhe, veçanërisht, Rama i ka bërë qëllimisht ndërkombëtarët aktorë të pazëvendësueshëm, pasojat e së cilës po i vuan sot opozita shqiptare.

Ndaj është koha që opozita e bashkuar dhe mbarë opinion shqiptar të përjashtojnë çdo ndërhyrje të këtyre ambasadorëve që po luajnë me fatet e vendit dhe të shpallë non grata cilindo që fut hundët në punët e brendshme, për qëllime klienteliste dhe korruptive sikurse ndodhi me paraardhësit e tyre. Është koha që përfaqësuesit e ambasadave të SHBA-ve dhe BE-së në Tiranë të orientohen jo nga Rama por nga konkluzionet e DASH dhe kancelarive perëndimore.