Endrit Kurtiqi/ Bashkimi sjell zhvillim, përçarja rrënim!

596
Sigal

Titulli i këtij artikulli, që na kujton një shprehje të mirënjohur, duket utopi në realitetin e sotëm! Në parim, besoj, të gjithë biem dakord se, “Bashkimi sjell fuqinë”, por ja që xhelozia është dobësia kryesore e ballkanasve në përgjithësi, e sidomos  e shqiptarëve në veçanti. Që në kohën e Skënderbeut dukej se paraardhësit tanë vuanin për mungesë bashkimi, bashkëpunimi e dialogu, edhe pse shquheshin për guxim e trimëri! Merita kryesore e Heroit Kombëtar ishte fakti që arriti t’i bashkonte prijësit e përçarë të Arbrit në një ushtri të vetme, e si rrjedhojë korri fitore të njëpasnjëshme ndaj Perandorisë Osmane që po pushtonte gjysmën e Globit. Edhe kur u sëmur, në çastet e fundit te jetës, ai  u përpoq të theksonte rëndësinë e bashkimit, duke kërkuar një tufë me shkopinj të lidhur e duke pritur që  trimat rreth shtratit  të provonin me radhë ta thyenin tufën. Prijësit tentuan, mirëpo askush nuk ia arriti qëllimit. Më pas ftoi djalin e tij 9- vjeçar, Gjonin, që t’i ndante shkopinjtë. Ai i theu shkopat një nga një. “A e patë, o trima, që tufën e bashkuar askush nuk e theu dot?! Ndërsa, veç e veç, i thyen edhe Gjoni! Kjo është këshilla ime e vetme. Luftoni bashkërisht që të qëndroni të pathyer ndaj osmanëve, e jo të luftoni njëri -tjetrin si dikur”, tha Gjergj Kastrioti.

Mirëpo, pas  vdekjes  së tij, prijësit shqiptarë përsëri vazhduan të grindeshin se kush do  të dilte në krye.  Xhelozia  apo arroganca nuk u doli nga shpirti, aq sa Perandoria Osmane e shfrytëzoi  atë  për t’i pushtuar  njëra pas tjetrës principatat e Arbrit.

Sot e kësaj dite, 6 shekuj pas fjalimit të Skënderbeut, shqiptarët nuk vuajnë për trimëri apo mburrje, cilësi të ekzagjeruara madje, por për frymë bashkëpunimi, dialogu e përulësie!

Për paradoks, historikisht fuqitë e huaja bënin çmos të na përçanin, ndërsa vitet e fundit ato po bëjnë çmos për të na bashkuar, pa ia dalë mbanë!

Shembujt janë kudo: nga politikanët tek artistët, sportistët, drejtuesit e lartë apo punëtorët e sërës së ulët. Jo vetëm në sektorin publik, por dhe në atë privat, pjesa madhore e shoqërisë sonë zotërohet nga të paditur që dinë gjithçka, pa i hapur rrugë dialogut apo ideve të reja. Ky është shkaku kryesor që na ka lënë e kushedi  sa do të na lerë, në tranzicionin më jetëgjatë që  njeh historia!

Ikën një klasë politike e vjen tjetra që thotë “Historia fillon me ne!”, deri tani keni parë vetëm të zezën, por sot tutje do të shihni të bardhën! Mbreti Zog, të paktën, mes të zezave që pati, u mundua të emanciponte disi Shqipërinë e prapambetur mesjetare, duke u hapur ndaj perëndimit, duke krijuar bazat e administratës shtetërore, apo duke ndaluar me ligj mbajtjen e ferexheve nga gratë.

Gjatë diktaturës komuniste nuk përmendeshin fare këto pak të mira që pati Zogu. Historia e emancipimit shoqëror fillonte pas themelimit të Partisë Komuniste e Zogu etiketohej si tradhtari i kombit, që kishte sjellë veç zi.

Përsëri sipas kësaj mendësie, pas përmbysjes së komunizmit, u thanë me të drejtë të gjitha të zezat e enverizmit, si dënimi i fjalës së lirë, izolimi ekstrem i vendit, vrasjet apo internimet e kundërshtarëve etj. Mirëpo askush nuk përmendi  zhdukjen e analfabetizmit  që sundonte  tek gati 90% e popullsisë, ngritjen e shërbimit shëndetësor etj. Nuk përmenden as Çlirimi i Vendit, ringritja (me forca vullnetare!!) e shtetit të pasluftës, rindërtimi i urave, ngritja e fabrikave, hidrocentraleve, Universitetit Shtetëror, Akademisë së Shkencave, Kinostudios, Teatrit, Operës etj..

Edhe pse dihet që diktaturat, të majta apo të djathta qofshin, kanë pasoja negative shumë të ngjashme për çdo shoqëri që i përjeton, diktatura Komuniste e Shqipërisë cilësohet nga ne si “më e errëta e historisë mbarëbotërore”.  Hitleri e Stalini nuk na duken gjë para Enverit! Të tilla cilësime përligjën demokracinë e viteve ‘90.

Dhe, përsëri, epokat tona nisin nga zeroja! Fabrikat, uzinat duheshin prishur se i kish bërë Enveri. Po kështu  u prishën e shkatërruan Kinostudioja, brezaret e fruta perimeve, në vend që të privatizoheshin, apo të investohej në to. Mirë që nuk shkatërruam hidrocentralet, të paktën!

Që nga fillimi i tranzicionit e deri tani,  kush merr pushtetin shan e bërtet, ndaj paraardhësit që ka veç të zeza e asnjë të bardhë! Sulmet agresive, ulërimat, kultivojnë të njëjtën edukatë shoqërore, nga lart poshtë, deri tek njerëzit e thjeshtë! Qetësia e rendit publik apo akuzat për korrupsion, bëhen objekt akuzash mes palëve, në vend që të jetë shqetësim i përbashkët shoqëror!

Ndaj, pas çdo rrotacioni zgjedhor, i qëndrohet kësaj logjike nihiliste! Nuk gjendet kurrë dialogu as për Institucionet e Pavarura si Presidenti, Gjykata e Lartë, Avokati  i  Popullit, Sindikata etj.. O je me mua, o je me kundërshtarin, s’ka rrugë të mesme!

Po vazhduam në këtë prizëm, jo vetëm që do të jemi gazi i BE-së, por tranzicioni ynë s’do të mbarojë dot kurrë. Duhet krijuar një kulturë modestie që gati-gati nuk ekziston fare tek ne. Të kritikohen gabimet e shumta, ama me propozime e zgjidhje të përbashkët. Syri njerëzor sheh shumë ngjyra e jo veç bardhë e zi! Nga varfëria e injoranca dilet me bashkim idesh e jo me kult individi!

Dialogu fillon kur duron, dëgjon e pastaj flet, pranon ca gabime vetjake që dhe bashkëfolësi t’i bashkohet kësaj logjike. Këtë edukatë përulësie e gjen më shumë tek shqiptarët që vijnë nga perëndimi. Por edhe ata që emancipohen paksa jashtë, çoroditen pas rikthimit në atdhe, nga përballja me injorancën, arrogancën e korrupsionin që, sipas traditës, u imponohet me antivlerat e përmendura, në vend të mirëpresë vizione të reja.