Emil Lafe/Të lumtë goja për ato që ke thënë, të lumtë dora e pena për ato që ke shkruar!

1128
Sigal

(Diskutim në veprimtarinë për përurimin e kompletit të veprës së Adem Demaçit)

 E ndiej veten të nderuar që po shkruaj për bacën Adem dhe veprën e tij letrare e publicistike, ku kam rastin ta përshëndes vetë autorin dhe t’i shtrëngoj dorën e ta përqafoj. Emri i bacës Adem është i mirënjohur, po ashtu dhe krijimtaria e tij, prej së cilës kam lexuar me kohë romanet “Gjarpinjtë e gjakut” dhe “Libër për Vet Mohimin” e aty-këtu edhe shkrime të tjera. Duke e parë veprën e tij me syrin e gjuhëtarit, dua të theksoj se baca Adem është një shkrimtar me ndjenjë të zhvilluar të estetikës së gjuhës e të vlerave stilistike të fjalës dhe gjithashtu një shkrimtar që e ndien dhe e merr përsipër përgjegjësinë gjuhësore ndaj lexuesit dhe ndaj vetë gjuhës letrare shqipe si vlerë kulturore dhe si shprehje e njësisë kombëtare. Ndoshta nuk është shumë e njohur për gjithkënd qëndrimi i bacës Adem ndaj sulmeve herë të furishme, herë të nëndheshme e të sofistikuara që i bëhen shqipes letrare nga drejtime të ndryshme, mjerisht edhe akademike. Me qartësi shembullore edhe në këtë fushë baca Adem ka ditur të ndajë grurin nga egjra dhe të mos mashtrohet nga formulimet sibiline e nga elukubracionet ndërakademike për të ashtuquajturat kahje të sotme zhvillimore ndërvepruese etj., me të cilat synohet të përligjen synimet e të ashtuquajturave politika të guximshme gjuhësore. Veprimtaria e tij letrare dhe shoqërore, ashtu si edhe e shumë të tjerëve dëshmojnë se shqipja standarde edhe në Kosovë është në truallin e vet, ashtu si në gjithë hapësirën shqiptare, dhe nuk mund të shihet si një mall “i importuar”, sikundër e cilëson ndonjë akademik i atjeshëm.

Te revista “Gjuha shqipe” e Institutit Albanologjik të Prishtinës është botuar para dy vjetësh një shprehje qëndrimi nga baca Adem rreth diskutimeve për shqipen standarde. Dihet se ato diskutime e kontestime ushqehen nga teza akademikësh se shqipja e sotme standarde “është me biografi të keqe”, e cunguar, e mangët, e papërshtatshme për Kosovën etj. Shkurt dhe qartë baca Adem ka parashtruar vlerat kombëtare dhe kulturore të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968) dhe të Kongresit të Drejtshkrimit (1972), duke i radhitur ato si ngjarje më madhore të shek. XX për shqiptarët krahas Shpalljes së Pavarësisë (1912) dhe Çlirimit të Kosovës (1999). Pikërisht në këto ditë, kur një këshill gjuhësor ka marrë përsipër, pa ndonjë kërkesë shoqërore dhe pa ndonjë nevojë shkencore, rishikimin rrënjësor të drejtshkrimit e të normës letrare, qëndrimet parimore, të kthjellëta e të qarta të bacës Adem na japin argumente e guxim për t’iu kundërvënë synimeve të tilla të mbrapshta. Shqipja e sotme standarde, norma letrare dhe drejtshkrimi, nuk janë as një organizëm i sëmurë, as një mekanizëm i prishur. Për “mjekët” që do të mblidhen pas kinse për t’i gjetur dergjën e për ta shëruar, vlen në këtë rast fjala latine “Medice, cura te ipsum!” (Mjek shëro veten tënde!). Gjuha shqipe letrare, si çdo gjuhë tjetër me këtë funksion, ka nevojë për kujdes shoqëror e shtetëror, për mirëmbajtje e përkrahje.

Baca Adem është një shembull i njeriut që di të luftojë e të qëndrojë i pa epur për dinjitetin kombëtar e njerëzor dhe për idealin e lirisë. Duke përmbyllur këtë diskutim të shkurtër, dua ta përgëzoj dhe ta uroj: Baca Adem, të lumtë goja për ato që ke thënë, të lumtë dora e pena për ato që ke shkruar dhe “mos të raftë kurrë shpina për tokë!”