Elton Metaj: Telefonata shpëtimtare dhe ushqimi me regji qendrore

687
Osman Rexha dhe Shahin Basha nuk e kishin menduar kurrë se një ditë fati do t’i bashkonte. Të vendosur, njëri në Shushicë dhe tjetri në Hoxharë, të dy të moshuarit kanë ndërtuar jetët e tyre modeste në fshatrat e Elbasanit dhe Fierit. Por në një Shqipëri të vogël mund të ndodhë që fati të të lidhë në miqësi e krushqi me njerëz e fise që nuk e ke menduar kurrë. Por as kjo nuk iu ndodhi Osmanit dhe Shahinit. Ata nuk i bashkuan fatet në punë a në jetë. Osmani dhe Shahini, me modestinë e tyre, janë sot ndër “yjet” e rinj të krijesës së Mark Zukerbergut. Ata përfunduan në një transmetim direkt, në një rrjet social që quhet “Facebook”, jo sepse e zgjodhën diçka të tillë. Sepse familjet Rexha e Basha nga Shushica dhe Hoxhara nuk e kishin menduar, se një ditë do të mund të drekonin me kryeministrin e Shqipërisë, në shtëpitë e tyre. Por ja që ndodhi dhe tashmë dy familjet e thjeshta fshatare janë një simbolikë në një garë klikimesh dhe tërheqjeje vëmendjesh, në krijesën më të fundit dhe ndoshta me ekzotike të Edi Ramës. 

ERTV, që transmeton falas dhe nuk ka probleme me procesin e digjitalizimit të mediave audiovizive, është termometri që kryeministri e shfrytëzon për të matur temperaturën e populizmit të tij. I akuzuar me zë e figurë për arrogancë nga kundërshtarët e aleatët dhe nën zë edhe nga “të tijtë”, Edi Rama ka zgjedhur të tregojë një anë tjetër. Atë të një njeriu babaxhan, të thjeshtë e të durueshëm, i cili mund të ulet me këdo, të bisedojë e t’i qajë hallin apo të bëjë batuta e humor, duke thumbuar sa majtas e sa djathtas. Sigurisht që lëvizja mund të ketë efektin e saj. Ajo mund ta bëjë Edi Ramën më të pranueshëm e ndoshta më të dashur për njerëzit me të cilët ai zgjedh të kalojë kohë e të pijë edhe ndonjë gllënjkë raki. Por ushqimi në fshat, i regjistruar nga një regji qendrore dhe i transmetuar falas në “Facebook”, nuk zgjidh një problem tjetër. Atë për të cilin Ilir Meta i kërkon prej kohësh, publikisht e në tryezë diskutimi, heqjen dorë nga arroganca politike. Një fshatar mikpritës me mbiemrin Basha mund të jetë më i këndshëm për Edi Ramën, nëse ai do të zgjidhte të konsumonte ushqim bio, por sigurisht kjo nuk do të zëvendësonte nevojën politike për të “konsumuar” një axhendë diskutimi me opozitën dhe aleatët e drejtuar nga “holandezi” Basha. 

Shpëtimi i zgjedhjeve, i theksuar së fundmi edhe nga LSI e Metës, si më i rëndësishëm se çdo koalicion apo fushatë paraprake elektorale, nuk mund të vijë nga arroganca publike e Ramës, sado maksimaliste e të parealizueshme t’i duken kërkesat e opozitës. Shpëtimi i zgjedhjeve nuk mund të vijë nga ftesat që “në mes e lart” përmbajnë vullnet për dialog e elokuencë politiko-diplomatike e “në mes e poshtë” kunja, ironi, përbuzje, neveri e ngurtësi për kundërshtarin politik, i cili ftohet të ulet në një tryezë ku do t’i ofrohet “ushqim” dhe “dajak”, në mënyrë që “ushqimi” t’i ngecë fyt dhe “dajakun” të mos e harrojë kurrë. 

Në skenën aktuale politike, Edi Rama sigurisht që ka një përgjegjësi më të madhe se aktorët e tjerë. E sigurisht një përgjegjësi më të madhe se Lulzim Basha. Nëse “Lulëzimi i çadrës” përfaqëson sot vetëm votat që ka marrë në qershor 2013, pra votat e pakicës, Edi Rama nuk është thjeshtë kryetar i Partisë Socialiste. Ai është kryeministër i vendit, është kryeministër i shqiptarëve, pavarësisht nëse ata kanë votuar për PS-në, PD-në, LSI-në apo presin të votojnë Ben Blushin. Ndaj gjuha e tij publike, nga foltorja e kryeministrit të vendit, nuk mund të jetë e mbushur me tallje e sarkazëm, sado neveri mund të ndjejë personalisht për Lulzim Bashën dhe njerëzit e tij në opozitë. Në lëmshin politik të krijuar në muajt e fundit, çdo teprim nuk e ndihmon zgjidhjen dhe çdo përdorim dashakeq i fjalës thyen kocka, që janë të vështira të ngjiten shpejt, në trupin e vjetruar të një Shqipërie të lodhur në përpjekjen për t’i dhënë fund tranzicionit. 

Edi Rama sigurisht që nuk e ka harruar mesditën e 3 janarit 2007, atëherë kur ziente debati për zgjedhjet vendore, i pagëzuar si “kriza e certifikatave”. Edi Rama sigurisht që nuk e ka harruar bisedën telefonike me Sali Berishën, me ndërmjetësinë e një diplomati të njohur. E pra kaq u desh, që një ambasador me peshë, i ndodhur në zyrën e kryeministrit të atëhershëm, të mundësonte një komunikim direkt mes dy armiqve të betuar. Dhe kjo ndoshta ishte biseda e parë direkt mes Sali Berishës e Edi Ramës prej 15 vitesh, prej kohës kur të dy mendonin se do të ishin bashkëluftëtarë politikë. Por me gjithë urrejtjen reciproke të pakufishme dhe të pa fshehur për njëri-tjetrin, kriza u zgjidh. Ajo ishte telefonata shpëtimtare, që e riktheu vendin në normalitet, duke shtyrë zgjedhjet dhe duke plotësuar pjesën më të madhe të kërkesave të opozitës.

E pra politika shfaqet e komplikuar, e pakuptueshme dhe e mbushur me intriga, por ajo është e përbërë edhe nga gjestet dhe rastësitë. Mbi të gjitha, ajo duhet të jetë e mbarsur edhe me dëshirën e sinqertë për të komunikuar me kundërshtarin politik në raste krizash. E nëse ky komunikim nis, ndoshta edhe diplomatët mund t’i habisim. Edhe mbyllja e krizës e meriton një transmetim live në ERTV.
Sigal