Elona Agolli/ Një EXPO për Shqipërinë, mulliri që ‘bluan’ art e traditë…

964
Të dalë pas një përgjumje komuniste dy dekada më parë, e vogla Shqipëri nisi përpëlitjet e orientimit dhe nevojës për drejtim në një realitet komplet të ndryshëm nga ato të afro 5 vjeçarit komunist. Afro 25 vjet të jetesës në sistem pluralist, në sistem ekonomik të decentralizuar, në ulje-ngritje si të ekuilibrave politike por edhe atyre sociale, ekonomike etj, para së gjithash u kultivua një frymë durimi, durim për të shpresuar më të mirën e ardhshme. Progreset e kulturës politike, vullneti i përfshirjes në nisma globale, vullneti për ta bërë Shqipërinë edhe pjesë të organizatave ndërkombëtare me influencë dhe kontribut në zgjidhjen e problemeve madhore globale, asnjëherë nuk ka munguar. Një dëshmi e ketij vullneti është edhe vëmendja ndaj Expo-ve Botërore, apo Ekspozitave Universale siç quhen ndryshe. Ekspozitat lindin nga një nevojë, nevojë për të promovuar një sektor, një argument, një produkt. Promovimi sjell zhvillim, ndeshje, ballafaqim, përmirësim të teknologjisë, inovacion, tekembramja, rritje dhe progres ekonomik. Nga vendimmarrësit tek fëmijët, nga trupi diplomatik tek artistët virtuozë, nga debatet publike tek spektaklet live, EXPO Botërore mban gjallë lidhjen mes popujve, harmoninë mes të ndryshmëve, shkrirjen mes traditës dhe risisë, nën një qëllim të përbashkët për ta bërë planetin ku jetojmë të qëndrueshëm e të vetëmjaftueshëm. Në vitin 1851, lindi e para Ekspozitë Botërorë në Londër, e cila ishte një nga ngjarjet me ndikim të menjëhershëm në revolucionin industrial të kohës. Që në messhekullin XX, ekspozitat botërore ishin “një vend pelegrinazhi për adhurimin e të mirave materiale dhe më i rëndësishmi vendtakim për këmbimin e kulturave”. Por EXPO nuk është vetëm ekspozim, ajo është ndërveprim, debat, shfaqje live, përgjatë dy stinëve, stinës së nxehtë dhe vjeshtës. Organizimi i Ekspove Botërore solli nevojën e lindjes së organizmave rregullatore të tyre. BIE – Zyra Ndërkombëtare e Ekspozitave Botërore u krijua me synimin për të garantuar cilësinë dhe suksesin e këtyre ekspozitave dhe për të këmbëngulur në ruajtjen dhe përçimin e vlerave të Edukimit, Inovacionit dhe Bashkëpunimit në botën mbarë. 

Shqipëria, ndër të parat në forumin europian
Në dokumentin e parë të themelimit të BIE, firmosur në 1928, krahas 168 shteteve anëtare që numërohet sot, emri i Shqipërisë renditet ndër të parët. Paçka së vend i vogël, me nivel të ngadaltë zhvillimi ekonomik, mprehtësia e një intelektuali të mençur shqiptar, diplomati Stavro Stavri, identifikoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve që në dekadat e para të shekullit XX, në dobi të zhvillimit ekonomik të vendit. Anëtare e BIE që prej 1928 Shqipëria nuk e ka humbur interesin dhe sot e kësaj dite për pjesëmarrjen në këto evente botërore. Në 1 Maj u çel Expo e radhës në Milano me temën “Feeding the Planet, Energy for Life”. EXPO Botërore rikthehet në Europe pas gati 15 vitesh dhe Shqipëria është pjesë e këtij manifestimi duke iu bashkuar zërave të BioClusterit Mesdhetar. Për gjashtë muaj, Milano kthehet në vitrinën botërore në të cilën vendet do të tregojnë faqen më të mirë të teknologjive të reja, për t’i dhënë përgjigje një ekzigjence jetësore: për të garantuar ushqim të shëndetshëm, të sigurt dhe të mjaftueshem, duke respektuar Planetin dhe ekuilibrat e tij. Një hapësirë ekspozimi prej 1.1 milion metër katror, më shume se 140 Shtete dhe Organizata Ndërkombëtare të angazhuara, mbi 20 milion vizitorë të pritshëm, 1 miliard vizitorë virtualë të përfshirë. Expo Milano 2015 përfaqëson për shtetet pjesëmarrëse një oportunitet të rrallë për të përfituar nga fushata e komunikimit, për t’u bërë të njohur e për të rritur shikueshmërinë në një skenë ndërkombëtare. Pavioni i Shqipërisë përfshihet në një prej Clusterave me tematikë të posaçme Expo2015, Cluster BioMediterraneo në të cilin sëbashku me vendet e të njëjtit pellg do të ndajë promovimin e produkteve Bio nën moton e përzgjedhur unifikuese: Shëndet, Bukuri dhe Harmoni. Kjo bashkësi do të dëshmojë ndër të tjera vlerën dhe domethënien e takimit, bashkëpranisë dhe integrimit, në një atmosferë të përbërë nga ngjyra e shije të ngërthyera në një përvojë kulturore unike. Ai i Shqipërisë, me të njëjtat dimensione me ata të fqinjve si Serbia, Mali i Zi, Greqia etj, është aktualisht ndër Pavionet më të kuruar artistikisht, me një simbolikë te qashtër në përputhje të plote me argumentin e EXPO-s: “Ushqim për planetin, energji për jetën”. Bujaria dhe mikpritja e shqiptarëve si mënyrë-jetese, mendjehapja dhe shprehia prej vetiu për të pranuar në menyrë harmonike kultura e realitete të ndryshme nga personalja, përçohen përmes simbolikës së Instalacionit Qendror të Pavionit të Shqipërisë. 
Instalacioni që flet shumë
Krijimi i Instalacionit është mbështetur tek Mulliri, nisur prej figuracionit dhe funksionit që kryen, për të nxjerrë në pah simbolikën e një objekti i spokatur ndër të tjera si një objekt për t’u admiruar. Një totem në llojin e tij, që vjen nga lashtësia, në të cilin janë bluar së bashku tradita dhe kultura shekullore e një kombi me një histori të gjatë vështirësish dhe përpjekjesh për të mbijetuar. Mulliri mbart në vetvete ushqimin, punëdashjen, mikpritjen, harmoninë përmes kulturës që përbashkon shqiptarët. Në këndvështrimin e bashkëjetesës fetare, mullirin e ndeshim në filozofinë e të dy besimeve kryesore për shqiptarët: në përfytyrimet e Grazhdit të Lindjes, mulliri ravijëzohet pikërisht për të simbolizuar bukën, e bukën si trup të Krishtit dhe po ashtu në shkrimet islame, perfeksioni i mullirit personifikon njerëzimin mes dy mokrave të drejtuara nga boshti, Zoti. Marrë në konsideratë fakti që simboli prezantohet në një arenë ndërkombëtare, qëmtimi i mitit të Mullirit dhe Ujit që rrjedh është menduar që të ketë puqje edhe pikëtakime me mitet botërore, për të bërë më të lehtë përthithjen e mesazhit universal. Mulliri është një nyjë e rëndësishme në simbolikën e “lëvizjes, transformimit dhe vetë jetës”. Nga një proces i thjeshtë i lëvizjes së mullirit, zbërthehet rrota e kohës që “bluan” jetën fizike, një proces jetësim-flijimi që gjeneron jetën e pavdekshme: transformimin e lëndës së parë në miell, e më pas në bukë, në një lëvizje të vazhdueshme. Shfrytëzimi i ujit si element jetësor, tregojnë rrjedhën e kohës, teksa gruri bluhet në miell të bardhë e “flijohet” për bukën e cila është simbol i jetës së re, është bukë e përditshme e njëherazi ushqim shpirtëror. Mulliri që prodhon “Ushqim dhe energji për jetën”. Organizimi i projeksioneve apo shfaqjeve filmike, dokumentare që përcjellin momente të aktualitetit që kanë të bëjnë me jetën, prodhimin, kulturën, si në monitorët që përshkojnë muret anësore, dhe po ashtu konceptimi i sallës Black Box, është një dimension tjetër pozitiv i pavionit. Vëmendje e veçantë për kolonën zanore të pavionit, teksa muzikës popullore të përpunuar popullore nga të gjitha trevat, i pranëvihen tinguj të ujit që rrjedh dhe bluarjen e grurit, në një atmosferë që të kujton strehën e shtëpinë. Gjithçka e kombinuar paqësisht, në një harmoni e modesti larg zhurmave dhe gumëzhimit të realitetit shiptar. Faqja më e mirë jona dhe ana më e bukur e medaljes që i ofrohet komunitetit ndërkombëtar. 

Ana e panjohur e Shqipërisë
Një seri evenimentesh marrin jetë me qëllim për të përhapur tharmin e kulturës shqiptare edhe në një tokë ndërkombëtare e multietnike; shpesh Shqipëria është quajtur tokë e ashpër, por gjithnjë pjellore në zemër dhe e hapur ndaj progresit. Ka ndodhur tashmë, ne datën 2 qershor, një emër për të gjithë, performanca live e shefit Altin Prenga, njërit prej profesionistëve më përfaqësues jo vetëm për stilin e tij të pagabueshëm, por edhe për rizgjimin e vlerave të recetave antike duke përdorur produkte lokale. Në pak pjata gjithë larmishmëria dhe shumëllojshmëria e shijeve të kulturës kulinare shqiptare, e gjitha shoqëruar me tingujt e barinjve me fyejt antikë. Dita Kombëtare e Shqipërisë në EXPO Milano 2015, do të jetë data 19 Tetor 2015, dita e Lumturimit të Nënë Terezës, ditë përbashkuese për mbarë komunitetin shqiptare anekënd botës, me misionin e dyfishtë që jo vetëm të kremtohet një figurë që është motiv krenarie për çdo shqiptar, por edhe për të shquar misionin e saj të një gruaje të përkushtuar që jo vetëm të gjejë ushqim për më të varfrit por edhe tua serviri vetë atyre, me thjeshtësinë e një nëne tradicionale shqiptare. Qëndrojnë pas projektit të pavionit të Shqipërisë në Expo Milano 2015, i cili është ende në vazhdë e sipër, një artist i respektuar që prej dekadash i jep nder të qenit shqiptar në arenat ndërkombëtare, një ekip i përkushtuar deri në vullnetarizëm, një grup njerëzish të pasionuar pas punës së tyre dhe mbi të gjitha pas Shqipërisë. 
Sigal