Elis Mataj: Fatos Arapi, dramaturgjia dhe realizmi socialist

1430
Shkrimtari dhe poeti Fatos Arapi është një emër i njohur në letërsinë moderne shqipe, sidomos për lëvrimin e poezisë dhe të prozës së vetë, por krahas tyre ai ka dhënë ndihmesë edhe në lëvrimin e dramaturgjisë. Ka qenë fat për kulturën shqiptare që personalitete të tilla, poetë dhe shkrimtarë të mirënjohur si Dritëro Agolli, Naum Prifti, Teodor Laço, Qamil Buxheli, Petro Marko e mjaft të tjerë kanë dhënë një ndihmese të çmuar në zhvillimin e dramaturgjisë shqiptare. Duhet të pranojmë se dramaturgjia shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore si gjithë letërsia jonë u gjend në një situate të re. Në traditën tone të mëparshme ishin përndritur emra te tille dramaturgesh, si Gjergj Fishta, Kristo Floqi, Etem Haxhi Ademi, Zef Arapi që tashmë, së bashku me dramën “Besa” të Sami Frashërit nisën të harrohen dhe të mohohen. Ishte koha ku në jetën kulturore shqiptare nisi të bëhej përjashtimi i modeleve të shkuara, duke u ndjerë në tërë letërsinë shqipe fryma e modeleve të letërsisë së Bashkimit Sovjetik. Në këto zhvillime edhe drama shqiptare humbi mjaft nga autenticiteti i saj, pasi u vu në hulli të metodës së realizmit socialist, i cila përbënte një tendencë dhe skemë në shërbime të ideologjisë së kohës. Më tepër veprat letrare dhe sidomos dramaturgjia kërkohej të ngjizej në rolin edukativ me frymë militante, duke përcjellë vizion dhe mesazhe. Pra fillimin e ” Jetës së re”. 
Në vitet 1960
Në vitet 1960 teatri shqiptar me specifikën e kësaj gjinie dhe komunikimin e menjëhershëm, krahas zhvillimeve të veta u vu edhe në një presion dhe kontroll te saj, ishte pikërisht ky presion i veçantë mbi dramat dhe teatrin, i cili në vitet 60-70 u shoqërua edhe me dënimin e dramaturgëve, burgosjen dhe ndalimin e veprës së tyre. Në vitet 60 të shek. të 20 janë të njohura edhe nga shtypi i kohës si dhe nga mendimi kritik i dramaturgjisë ndalimi i një varg dramash si: “Rrethimi i bardhe” nga Naum Prifti, “Dueli” nga Qamil Buxhelit dhe “Drama e një partizani pa emër” nga Fatos Arapi, e me pas dramat “Miku i Martin Gjinit” nga Petro Marko, “Njollat e Murme” nga Minush Jero apo “Mosha e Bardhë” nga Dritëro Agollit. Ashtu siç pohon vetë shkrimtari Fatos Arapi, një nga vështirësitë e mëdha të kohës ishte ajo, që pasi shkruaje dramën ajo do të kalonte në mjaft hallka të tjera që e vinin atë nën kontroll, për t’u ngjitur me pas në skenë. Edhe kur drama ngjitej në skenë siç thotë Fatos Arapi, dramaturgjia ishte përsëri në presion të sistemit totalitar. Në këtë sfond të zhvillimit të dramaturgjisë në 1962, u godit edhe “Drama e një partizani pa emër” e Fatos Arapit, e cila jo vetëm nuk u lejua të vihej në skenë, por në revistën “Nëntori” u shënua “është botuar gabim” në faqet e saj. Duke u mbështetur në mendimin kritik të dramaturgjisë “Drama e një partizani pa emër” e Fatos Arapit, e shumë kritikuar dhe e ndaluar shpërfaq tablo interesante që i kapërcenin kufijtë e një drame socrealiste. Ndryshe nga tiparet dhe skemat e heronjve të dramave të kohës, ku heronjtë jepen stoik dhe drejt sakrifikimit duke zbehur botën emocionale të tyre, luftëtari partizan i Fato Arapit ngrihet mbi këto skema duke qenë një njeri me dashuri të thellë për jetën, herë-herë tulatej përballë rrezikut, gjë që perceptohet në dilemat psikologjike dhe morale të tij. Në këto rrethana të Luftës së Dytë Botërore, përballë tragjedisë së luftës “Partizani pa emër” mendon të braktis shokun e plagosur e të largohej vetëm pa të: 
“Partizani: mendoja ta vrisja e të ikja… Kush do ta dinte se e vrava unë? Aq më tepër pas përleshjes me fashistët… Mund të thosha se e zuri plumbi kur po e tërhiqja dhe kaq, por sa më vetëtiu në kokë ky mendim mu neverit vetja. I poshtër !-i thashë vetes”
Pikërisht këto dilema psikologjike morale që mbart heroi i dramës së Fatos Arapit binin në kundërshtim me tiparet e heronjve që kërkonte letërsia socreale. Heroi i dramës së Fatos Arapit ngrihet mbi heronjtë e dramave të tjera socreale te cilët portretizohen si butaforik. Me gjithë goditjet e kësaj drame diskutimet në faqet e shtypit dhe në linjën e shkrimtarëve vazhdojnë edhe kohë më pas. Në kujtimet e tij Fatos Arapi shkruan: 
Ngjarja që unë shtjellova në dramë ishte e vërtetë, ajo ka ndodhur midis partizanëve. Po e vërtetë ishte gjithashtu, që unë i ndërgjegjshëm, ndoshta nuk i kisha shpëtuar dot dashurisë për vëllanë. “Partizani i vdekur” që ngrihej nga varri, me sa duket, kishte shumë tipare të Vllasit. Po shyqyr që Ibrahimi më kishte hequr ato pjesë të “epilogut”, ku Qarkori hante e pinte e këndonte në darken që lajmëronin se ç’kishte ndodhur… 
Mesazhet që mbart “Drama e një partizani pa emër”
Në analizën që i bëjnë kritikët letrar Ali Aliu, Kudret Velça, Mexhit Prençi etj.. “Drama e një partizani pa emër” e Fatos Arapit, mbart mesazhe të mëdha të shpirtit liridashës së shqiptarëve edhe pse fenomeni është jo shumë i përhapur në realitetin e luftës sonë antifashiste. Ajo që veçon dramën është përgjithësimi ideoartistik i periudhës së luftës duke na dhënë aspekte të rëndësishme të saj. Duke kundruar tablotë e kësaj drame, në vepër ndeshemi me tre personazhe, Partizani, Iliri, Ndueja të cilët në përgjithësi në dramë përfaqësojnë antifashistët e luftës çlirimtare, pikërisht te këta tre personazhe autori ka gdhendur tiparet e tyre, përtalljen e partizanit mbi betejën kundër nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por nga ana tjetër dhe qëndrime të lëkundura të Ndues dhe Ilirit. Krahas tablosë së madhe të luftës antifashiste, në dramën e Fatos Arapit na shpërfaqen edhe karaktere të tjera siç është Vlideja, Leka, mësuesi, që duke i gjykuar nga aspekti dramatik i tyre, lëkundjet që shfaqin përmes tyre, edhe pse vizatohen me karakteret e tyre të krijojnë përshtypjen “se gjithë drama përshkohet nga ndjenje frike e përgjithshme” siç vë në dukje kritiku Ali Aliu.
Personazhet e Fatos Arapit 
Në tërësi, duke ju shmangur disi elementëve skematikë në dramat e Fatos Arapit personazhet shfaqen si figura të qarta konkrete emocionuese të cilat lënë mbresa estetike në përjetimet dhe ndjenjat e njerëzve. Siç pohon në një artikull të tij, me të drejte, Fatos Arapi nënvizon se dramaturgu përherë duhet të synoj në krijimin e karaktereve të qartë dhe të individualizuara, në të cilat mishërohen tiparet e përgjithshme të shoqërisë. Duke reflektuar në këtë drejtim vetë shkrimtari ynë pohon se që të realizohen karaktere individuale të forta kërkohet një individualizim i thellë i figurës artistike. Një nga kërkesat në artin e tij dramatik Fatos Arapi përcakton edhe ndërtimin e kompozicionit të tyre. Këtë ai e kërkon te vetvetja dhe tek të tjerët pasi në vitet 1960-70 në dramaturgjinë shqiptare ndeshim një varg të hollësishëm me detaje që i përgjigjen në mënyrë fotografike jetës. Pikërisht në dramë, detaji duhet parë në lidhje të ngushtë dhe të brendshëm me të tërë. Është pikërisht ky koncepti që Fatos Arapi nxit në mendimin e tij jo vetëm shmangien e natyralizmit, thjeshtëzimin artistik të gjuhës dramatike por dhe mjaft detaje të tjera që e dobësojnë fuqinë e fjalës dhe të vërtetës artistike duke ndikuar drejtpërdrejte në zbehjen e dramës.
Mangësi të tilla vihen re edhe te drama e një partizani pa emër, por edhe në një varg dramash të tjera si Hakmarrja e V. Sejkos, Njerëz të thjeshtë e I. Uruçit, Votra e huaj e N. Luces, Kthimi i J. Dimit, ku duke i analizuar nga ana e elementëve kompozicional shpesh herë dialogët janë biseda të thjeshta dhe pa ngarkesë emocionale, mbi të gjitha me pak fuqi shprehëse. E theksuam këtë aspekt për faktin se nëpërmjet dialogëve spektatori ose lexuesi përthith elemente të zhvillimit dhe veprimit dramatik por nga ana tjetër karakterizojnë dhe psikologjinë e personazheve. Në këtë aspekt si te drama e Fatos Arapit dhe në dramat e tjera vihen re se në çaste të veçanta dialogët midis personazheve mbushen me fjalë të shprehjeve dialektore dhe arkaike me tepri pasi dihet që ato janë në funksion të karakterizimit të personazheve, por edhe mund ta zbehin. Siç na bën me dije kritiku Mexhit Prençi në studimin e tij “Drama dhe spektakli i ndaluar” ishte kjo arsyeja e goditjes te “Drama e një partizani pa emër”. Ajo dhe autori u goditën si rrjedhojë autori Fatos Arapi “qarkulloj” në një nga shkollat tetëvjeçare të qytetit të Vlorës. Fatos Arapi bënte pjesë ndër ata shkrimtarë dhe dramaturg që u degdisën nëpër krahina dhe qytete të ndryshme, pasi siç thotë kritiku Mexhit Prençi “kishin shfaqur në veprat e tyre tendenca për të kaluar vijat e bardha të realizmit socialist” edhe pse pas disa viteve mjaft shkrimtar e dramaturg u kthyen në Tiranë, përsëri Fatos Arapi u la jashtë vëmendjes në Vlorë, për “gabimet” që kishte bërë në letërsi.
Aparatçikët dhe zyrtarët e kohës
Një nga problemet që shfaqte drama e Fatos Arapit në ballafaqimin e tij, me aparatçikët dhe zyrtarët e kohës ishte se ajo vështrohej ndryshe prej autorit Fatos Arapi, ashtu si në veprat e tjera në poezi dhe në prozë edhe në dramaturgji dihet që Fatos Arapi synonte përherë në krijimin e personazheve me realizëm. Por “ideologëve” dhe zyrtarëve u interesonte të shtrembëronin semantikën e tekstit letrar. Ajo që u bë objekt debati ishte të shprehurit artistik në studimin e të drejtës universale që autori bënte me veprimet e personazhit si qenie njerëzore në rrethana të jashtëzakonshme që në këtë dramë autori e shpërfaq në personazhin e Gynterit, kapitenit gjerman, i lidhur nga partizani Leka për ta çuar në shtabin partizan për gjykim. Pikërisht këtu Fatos Arapi me fuqinë e mendimit të tij artistik në udhëtimin e këtyre dy personazheve nëpër shpatet e maleve të ftohtë, nëpër stane, shfaqen momente të ashpra e dramatike nëpërmjet tyre, debate ideologjike, në të cilat më shume fitonte Leka, por kishte disa momente njerëzore ku ata ndihmonin njeri tjetrin, ne këto rropatje duke dalë kështu jashtë skemave ideologjike. Në këtë aspekt na bën përshtypje një artikull i I. Uruçit, i cili në analizën që i bën të dy figurave kryesore të dramës, Gynterit dhe Lekes, interpretimi i tij është i njëanshëm, pasi ai shikon këto dy personazhe si gabim të autorit pasi ai “duhet te zbulonte nënshtrimin ideologjik të oficerit gjerman”. Ashtu si dhe kritik të tjerë edhe I. Uruçi e shikon këtë personazh si te trilluar prej autorit, si konvencional dhe artificial. Ky gjykim ideologjik më tepër i dikton autorit se si të shkruaj veprën e tij dramatike, pa marr parasysh individualitetin e spikatur të Gynterit dhe raportet që autori ka vendos me personazhet e tjerë.
Duke shprehur mendimin e tij ideologjik edhe kritiku R. Brahimi në artikullin “Probleme të dramaturgjisë sonë”, tehun e kritikës së tij e drejton si kundër dramës së Fatos Arapit dhe të Naum Priftit ku ai kërkon heronjtë pozitiv të tyre. Kjo prirje ideologjike argumentohet nga kritiku me synimet qe kanë këta autor për të krijuar veprat e karakterit psikologjik, por sipas tij kanë krijuar personazhe të cilët nuk mund ti quajmë pozitiv, pra që nuk kanë zbatuar parimet e realizmit socialist: “edhe Naum Prifti ka rënë në gabimet e Fatos Arapit, vetëm me ndryshimin që, nëse i pari na i ka paraqitur të gjithë njerëzit frikacak, i dyti na i ka paraqitur meskin , shpirt vegjël, njerëz pa ndërgjegje politike. Krahas dramaturgjisë Fatos Arapi mendimin teorik të tij e ka shfaqur edhe në një varg artikujsh dhe botimesh të tjera në gazetën “Dita” revista “Nëntori” dhe veprën “Kujtohem që jam” ku analizon dhe argumenton prirjen realiste që duhet të përftoj dramaturgjia shqiptare në atë kohë. Në artikulim “Ngastra të botëkuptimit patriarkal dhe mikroborgjez” të botuar në gazetën “Dita” më 1 shtator 1963, Fatos Arapi ngrihet kundër mendimit se dramën mund ta shkruajnë vetëm ata që merren me skenën. Ai kërkon që edhe shkrimtarë të tjerë me talent edhe kulturë mund të japin kontributin e vetë në lëvrimin e dramaturgjisë, por edhe mendimin kritik të saj. Duke analizuar lëvrimin e dramaturgjisë nga shkrimtari Fatos Arapi dhe mendimin kritik për të, krahas kontributit të vyer në poezinë shqipe, ai ka vendin e vetë edhe në lëvrimin e dramaturgjisë, duke dëshmuar kështu kulturën e tij të thellë dhe botën e tij universale.
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 09.12.2015
Sigal