Elida BUÇPAPAJ/ Sistemi ka rënë, vendi del nga koma me një angazhim bipartizan

571
Sigal

Në Shqipëri sundon ligji i xhunglës, ku ligjin e bën më “i forti”, i cili pasuron zyrtarët më të korruptuar

Janë disa pyetje që duan përgjigje të sakta, duke i vënë pikat mbi «i».

Ku janë intelektualët në Shqipëri? Ata janë të atashuar pranë oligarkisë politike. Përfitojnë privilegje në këmbim të heshtjes. Ata që kanë dashur të ruajnë integritetin dhe nderin, janë të papunë rrugëve të ekskomunikuar nga regjimi kriminal i tranzicionit.
Ku janë gazetat dhe televizionet në Shqipëri?
Janë, janë pa fund, tituj gazetash dhe televizione private me statusin e televizioneve kombëtare, me një teknikë të orës së fundit, me mundësi të pafundme për të qenë në funksion të pushtetit të katërt, por që kanë dalë nga funksioni dhe nuk mbrojnë assesi interesat e kombit dhe shtetit, porse veç të xhepit të tyre. Janë të ndarë. Mbrojnë një palë dhe sulmojnë një palë. Pra, nuk janë të paanshëm dhe as të pavarur.
Ku janë elitat në Shqipëri?
Nëse nuk kanë zgjedhur statusin e shërbëtorit, të përuljes, përkuljes, të të përkulurit në këmbim të luksit dhe komoditetit, nëse nuk e kanë vënë dijen e tyre në shërbim të konformizmit me të keqen, ata janë të përjashtuar nga sistemi i ri që po krijohet në Shqipëri. Ndërkohë që “brain drain” (largimi i trurit) vazhdon. Si një tragjedi kombëtare. Kapitali më i çmuar njerëzor, i destinuar për të qenë në shërbim të vendit, largohet nga atdheu, sepse klanet e familjeve të politikanëve nuk u lenë asnjë mundësi që ata të dëshmojnë talentin, kompetencat dhe aftësitë e tyre profesionale dhe morale. Por, megjithatë, ka nga ata personalitete të elitës, shumë të rrallë, duhet thënë, që janë vënë në shërbim të vendit, duke sakrifikuar komoditetin personal, por mjerisht politika bën sikur nuk i vë re, kur do të duhej t’i mbante në krah të djathtë.
Çfarë sistemi po krijohet në Shqipëri?
Kur nuk funksionon shteti i së drejtës; kur gjykatat janë të korruptuara; kur gjykatësit janë milionerë me paratë e kriminelëve; kur politikanët jetojnë në një luks të shfrenuar; kur korrupsioni është për fushë dhe askush nuk guxon të hapë gojën ose kush e hap gojën shpallet heretik për turrën e druve; kur mediat kanë dalë nga roli dhe vetëm manipulojnë e kamuflojnë realitetin e për të fshehur të vërtetën; kur klasa politike ka si objektiv pasurimin e vet në kurriz të varfërimit të mëtejshëm të popullit; kur informaliteti përbën 70%, duke i hapur portat korrupsionit dhe mafies;

kur Shqipëria perlë e krijuar nga Zoti për turizëm është vend i frikshëm për turistët dhe biznesin e huaj, kur vriten bankierë, deputetë, biznesmenë dhe kriminelët bredhin të lirë në rrugët e vendit ose janë badigardë të politikës;

kur meritokracia, njeriu i ndershëm dhe me integritet nuk gjen vend në këtë vend për të jetuar;

kur nuk ndalet dëshira tragjike për të braktisur Atdheun, sepse ky nuk të siguron jetën dhe nuk të jep punë që t’i rrisësh fëmijët me djersën e ballit e punën e pastër;
kur brezi i ri nuk gjen mundësi të shprehë talentin e tij, ku përfundimisht ka hyrë në fuqi ligji i xhunglës, ku ligjin e bën më i forti, i cili pasuron zyrtarët më të korruptuar, i mbron politikanët më të korruptuar dhe u jep para të zeza mediave që t’i mbrojë ata duke shtrembërojnë dhe ta fshehin të vërtetën, atëherë sistemi ka dështuar dhe vendin e tij e ka zëvendësuar sistemi mafioz.
Pra ka rënë sistemi në Shqipëri?
Mjerisht ka rënë ose është në gjendje kome.
Ka shpresë?
Ka shpresë, sepse shpresa vdes e fundit. Por kjo kërkon një ndërhyrje të fuqishme, të të gjithë shqiptarëve të përkushtuar, pa dallime politike, si një akt vëllazërimi, për të shpëtuar vendin.
Kauza e madhe që duhet të na bashkojë janë fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve, të cilëve po u lemë si trashëgimi një shtet “rogue” ( arrogant) nëse nuk intervenojmë tani, të gjithë, më të mirët!
Por kjo kërkon detyrimisht që pozita dhe opozita të jenë bashkë. Shqiptarë të dinjitetshëm ka.
Ky angazhim përjashton luftën e palëve dhe përdorimin e një demagogjie vulgare për një popull lopë. Opinioni publik nuk ha bar më.

Le të sjellim në qendër të vëmendjes skandalet më të fundit

Po të hapësh gjithë televizionet, opozita si megafon i prishur akuzon pozitën për gjoja «aferën CEZ », ndërsa autore e marrëveshjes me Kompaninë çeke është ajo vetë, kur ishte në pushtet. Nëse maxhoranca e sotme bëri koncesion në favor të CEZ, këtë e bëri sepse Çekia e kushtëzoi me veto kundër statusit të Shqipërisë në BE. Çekia përfitoi, natyrisht, sepse këtë shans ia krijuan politikanët e Shqipërisë, të cilët majmen në luks të shfrenuar me paratë e taksapaguesve duke mashtruar besimin e Sovranit. Kemi skandalin më të fundit të vjedhjes së Bankës së Shtetit, ku Guvernatori i saj ka dështuar së qeni “gardian i pasurisë publike paçka se për të kryer këtë detyrë ka marrë një rrogë super të majme dhe ka bërë një jetë “tycoon”-i (manjati) me privilegje totalisht të papërshtatshme në raport me varfërinë e vendit. Guvernatori duhej të jepte menjëherë dorëheqjen, sepse me rrogat që ka marrë nuk e ka kryer detyrën. Por Guvernatori bëhet sharlatan dhe i pacipë, sepse i ka miq e shokë, duke i komprometuar me privilegje të gjitha palët. Përfiton gjithashtu sepse mediat nuk po e venë me shpatulla për muri.
Ndërsa lideri i opozitës ndaj skandalit të BSH hesht. Me një heshtje të patolerushme.
Po ashtu lideri i opozitës hesht dhe nuk u përgjigjet fakteve rrëqethëse që flasin se njerëzit e afërt të maxhorancës së djeshme dhe opozitës të sotme, d.m.th. njerëzit e afërt të zyrtarëve të lartë të PD, janë të punësuar pranë institucionit ku guvernator është Ardian Fullani, duke pasur një konflikt të hapur interesi. Çka është shpërdorim i detyrës dhe i dënueshëm nga ligji.
Kësisoj daljet e opozitës duke kërcënuar me destabilitetin e vendit janë në funksion të tymnajave dhe thashethemnajave për të larguar vëmendjen, sepse opozita ka televizionet dhe gazetat e veta për të publikuar të vërtetat nëse i ka, për të përgënjeshtruar nëse faktet që botohen janë rrena, gjë nuk e ka bërë dhe nuk e bën sepse është pjesë e sistemit të kalbur.
Palët mbrohen me sulme të ndërsjella ndaj palëve, makiavelizëm kooperativist. Sepse kjo katrahurë nuk u krijua sot dhe as dje, por gjatë 23 viteve dhe prandaj përgjegjësia i bie edhe njërës edhe tjetrës palë, pra përgjegjës janë PD dhe PS. Ky fakt i pakundërshtueshëm, se janë shkaktarët e katrahurës kombëtare, kërkon reflektim obligues të palëve dhe bashkërendimi pozitë-opozitë është detyrues për të shpëtuar vendin dhe sistemin nga gjendja koma, ku gjendet.
Ose sot, ose kurrë!