Elida BUÇPAPAJ/ Përse i mbani larg gazetarët, zoti Ilir Gjoni, ambasador i RSH në Zvicër?

540
Diaspora në Zvicër vazhdon të jetë në mëshirën e politikës që bëhet në vendet nga vijnë shqiptarët. Ai kaos dhe rrumpallë atje, reflektohet edhe këtu, në Zvicër, përmes ndarjes dhe përçarjes së shqiptarëve. Pra, sado komike të duket, në fakt është shumë dramatik realiteti se në diasporën shqiptare vijon historia e trajtimit të saj si Mërgatë Qyqesh. Natyrisht, kjo është absurde dhe e papranueshme. Tema që kam hapur nuk ezaurohet me këtë shkrim, ky veç është prologu, ngritja e një sipari. Së pari, dua të them se shqiptarët që jetojnë në Zvicër janë të integruar në Konfederatën Helvetike, pra janë qytetarë të Perëndimit. Ata nuk kanë ndjenja armiqësore ndaj vendeve nga vijnë, përkundrazi, ata i mbajnë sytë nga Atdheu, qoftë Shqipëria londineze, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës etj. Pastaj ata janë kontributorë permanentë, si me anë të remitancave ashtu edhe investimeve dhe janë më të interesuarit që në vendet e tyre të mbretërojë shteti i së drejtës si këtu, në Zvicër. Ata po ashtu tregojnë respekt të posaçëm ndaj përfaqësive diplomatike të vendeve nga e kanë prejardhjen, pasi ato i barazojnë me Atdheun e munguar. Natyrisht, do të duhej që kjo bujari, konstruktivitet dhe pozitivitet të shpërblehej në mënyrë të barabartë. Edhe për një arsye tjetër, sepse komuniteti i shqiptarëve që jeton në Zvicër, ashtu si kudo në Perëndim, gjithçka e ka arritur me punën dhe shpatullat e veta, me meritokraci dhe jo si pjesë e klaneve apo emërimeve politike, pasojë e të cilave janë edhe emërimet në diplomacinë shqiptare.
Do të hyj shpejt në temë
Në dhjetor të vitit 2013 unë i drejtova një Letër të Hapur Presidentit të Republikës të Shqipërisë ku i kërkoja të mos e emëronte zotin Ilir Gjoni si Ambasador në Zvicër. Nuk kisha asgjë me Ilir Gjonin, por meqë i ati dhe daja i tij kanë qenë pjesë e nomenklaturës më të lartë të shtetit komunist. Letra ime u shoqërua me firma të mbledhura nga shqiptarë, një pjesë e madhe e tyre, emra shumë të nderuar. Por Presidenti Bujar Nishani e firmosi emërimin menjëherë dhe Ilir Gjoni sot është Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Bernë. 
Me zotin Ilir Gjoni jemi takuar tre herë 
Së pari, në një koncert të organizuar nga artistët shqiptarë në Bernë. Ishte një takim korrekt dhe civil.
Së dyti, me rastin e përkujtimit të Vaçe Zelës, në 40 ditorin e ikjes në Amshim të Artistes së Madhe, në Bazel. Këtu zoti Gjoni mori fjalën dhe bëri thirrje për unitetit. Na u duk mesazh i bukur. E morëm si shenjë pozitive. Duke përfituar nga ky deklarim, me rastin e promovimit të librit tim me publicistikë “Traumat e Diktaturës në Zyrih” pritëm që të ishte i pranishëm një diplomat nga Ambasada e Shqipërisë. Kur mora në telefon të mësoja se përse munguan, diplomati i kësaj Ambasade, të cilit tashmë ka kohë që i ka mbaruar mandati, më tha se nuk kishin marrë ftesë dhe se do të kishin ardhur me kënaqësi. Unë ftesën e kisha botuar, e kisha vendosur edhe në Facebook, ndërsa, nga ana tjetër, kryetari i shoqatës së krijuesve shqiptarë në Zvicër më dërgoi me e-mail ftesën që u kishte drejtuar Ambasadave shqiptare në Bernë. Se kush gënjente le ta zgjidhin ata midis tyre. Megjithatë, ne morën pjesë në kremtimet e 28 nëntorit që organizoi Ambasada e Shqipërisë. Në mesin e gjithë të ftuarve. Dhe kaq. Ndërkohë kemi pritur që Ambasadori i Republikës së Shqipërisë të mbajë premtimin për unitet. Por nga veprimet shohim se ai premtim ishte vetëm demagogji. Ambasada e Republikës së Shqipërisë vijon të mbajë qëndrim politik ndaj shqiptarëve. Po e them në mënyrë shumë diplomatike këtë deduksion. Sepse, nëse do ta thosha shqip, do të ishte se ky institucion mban qëndrime të padenja ndaj personaliteteve që nuk i ka me sy të mirë politika. 
Po cila politikë? 
Politika që po i mban shqiptarët jashtë dyerve të Europës.
Sigurisht që sot Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe është banale të mendohet që Ambasadat e Shqipërisë në Europë t’i luftojnë shqiptarët me mjetet që i luftonte diktatura. Por qëllimi ka mbetur i njëjtë, ndërsa metodat janë të tjera, duke i përjashtuar nga konteksti i komunitetit, duke i zëvendësuar me një kontingjent të llojit klientelist, por që s’ka asnjë ndikim as tek komuniteti si jehonë e anonimatit. Nuk dua të them se zoti Ilir Gjoni po hakmerret ndaj Letrës së Hapur. Por po e them se po vijon një kurs të gabuar dhe të shtrembër.
Po e ilustroj me një rast konkret
Skënder Buçpapaj dhe unë jemi pjesë aktive e elitës shqiptare në Zvicër. Si krijues dhe gazetarë. 
Pas 1997-ës humbëm statusin e diplomatit dhe e filluam gjithçka nga zero. Sot jemi krenarë për arritjet tona. Jemi gazetarë profesionistë të integruar në shumë organizma zvicerane. Kemi akreditim pranë Departamentit të Punëve të Jashtme, pranë OKB-së, jemi pjesë e asosiacioneve më me reputacion të gazetarëve zviceranë dhe të huaj në Konfederatën Helvetike. Kemi një opus në publicistikë të krijuar këtu, çka pak gazetarë e kanë, aq më pak gazetarë shqiptarë këtu në Zvicër. Me meritokraci, larg konformizmit, duke mbrojtur interesat shqiptare në konfiguracionin Ballkanik, për faktorizimin e shqiptarëve dhe integrimeve shqiptare, duke i hapur telashe vetes, por duke menduar të mirën e përbashkët europiane të shqiptarëve. Ne jemi në kontakt permanent me institucionet e Zvicrës. Natyrisht jo si persona privatë, por si profesionistë. Marrim pjesë dhe jemi të ftuar në shumë aktivitete që zhvillojnë këto institucione, si njerëz seriozë dhe të përgjegjshëm, me kompetenca, aftësi dhe integritet. Njëri prej tyre këtyre institucioneve është edhe Switzerland Tourism. Përmes asosacionit ku bëjmë pjesë, ne marrim ftesa dhe zhvillojmë shumë aktivitete nën patronazhin e këtij institucioni që ka synim turizmin por edhe imazhin e Zvicrës. Ne kemi botuar reportazhe të mrekullueshme në shtypin shqiptar, produkt i këtyre mundësive që na ka krijuar ky institucion për të krijuar njohje sa më të thellë e të plotë të jo vetëm bukurive natyrore, por edhe kulturës pluraliste zvicerane. Asnjë prej këtyre reportazheve nuk e paska lexuar Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë? Nëse jo, nuk e ka bërë detyrën. Nëse po, aq më keq që ka bërë sikur nuk i ka lexuar. Ne kemi një libër tash që ia kushtojmë Zvicrës si rezultat i komunikimit me institucionet e Zvicrës, të parë edhe në planin paralel, të një demokracie që funksionon si ora Omega dhe të demokracive fraxhile që krahasohen me sisteme mafioze siç është Shqipëria dhe Kosova. Ne po ashtu kemi njohje edhe me Mister Tourismus zotin Federico Sommaruga, i cili në emër të Switzerland Turism, nga data 24-27 shkurt 2015, kishte ftuar në Zvicër një delegacion tw Ministrisë së Turizmit nga Republika e Shqipërisë, kryesuar nga znj. Brunilda Paskali, ministre e Turizmit, një zhvillim shumë i mirë për Shqipërinë, sepse nga Zvicra shqiptarët mund të fitojnë e marrin eksperienca të pafundme. Ne si gazetarë e mësuam këtë vizitë vetëm përmes publikimit të aktivitetit në Facebook, kur kishte përfunduar. Një informacion i thatë, vetëm disa rreshta i përgatitur nga njerëz të paaftë, që nuk kanë asnjë lidhje me publikimet dhe diplomacinë, kur në Zvicër ka gazetarë shqiptarë që mund t’iu bëjnë një mbulim shembullor aktiviteteve zvicerano-shqiptare, që janë në të mirë të rritjes së bashkëpunimit dypalësh. Po përse i përjashton Ambasada e Republikës së Shqipërisë? Përse vazhdoni t’i përjashtoni gazetarët zoti Ilir Gjoni? Ky kurs i vjetër që u rikthye prej 1997 nuk po merr kurrë fund. Të dy me Skënderin kemi biseduar me zotin Sommaruga për turizmin shqiptar dhe për mundësitë e shkëmbimeve dypalëshe që në tetorin e vitit 2013, gjatë një darke miqësore në Winterthur, ku Switzerland Tourism kishte ftuar organizatën tonë të gazetarëve që të njihej me kulturën e këtij qyteti të bukur. Biseda jonë ishte informale, por ne i folëm gjithë frymëzim për mundësitë që ka Shqipëria e Kosova, por edhe për praninë e turistëve shqiptarë në Zvicër. I folëm si mund t’i flasë njeriu njeriut për vendin e tij, shto këtu edhe vokacionin dhe profesionin tonë. Ishte një bisedë e lirë, jo zyrtare, por nga gazetarë, të cilët janë përgjegjës për ato që thonë e shkruajnë. Nuk them dot se ishte biseda jonë që i ngjalli interes zotit Sommaruga, por kur e takuam në një rast të ri, na tha se kishte pasur një takim me të ngarkuarin me punë ad interim pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë dhe midis të tjerave i kishte folur edhe për ne. Pastaj zoti Sommaruga na pyeti. Ju njeh ju ai? Unë nuk e di se çfarë ka thënë diplomati në fjalë, ai le të na e thotë, por iu përgjigjëm që natyrisht që na njeh, na njeh shumë mirë bile. Por që bën sikur s’na njeh. Këtë nuk ia thamë. Por e themi tani. Na bën sikur s’na njeh as ai dhe as tani Ilir Gjoni. Sepse, zoti Ilir Gjoni, Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë do të duhej të na ftonte të mbulonim takimin. Kjo nuk do t’ju prishte imazhin e shtetit tuaj, përkundrazi. Dhe nuk do të kushtonte as financiarisht. Shqipëria është në krizë ekonomike. Shqipëria tani i ka gazetarët me rrënjë shqiptare në Europë, ju përse i përjashtoni ? Kjo nuk është diplomaci, zoti Ilir Gjoni. Kjo është antidiplomaci. Dhe nuk mund të vazhdojmë kështu edhe më! Ju çfarë mendimi keni?
Sigal