Elida BUÇPAPAJ/ O me popullin, o me kupolën – rrugë tjetër s’ka!

658
Sigal

Aktivistët e shoqërisë civile, ata që janë organizatorët e Peticionit për shkarkimin e Fullanit dje kanë ftuar firmosësit dhe të gjithë shqiptarët të protestojnë përpara Parlamentit të Shqipërisë me moton “Nëse nuk shkarkoni kryetarin e Bordit të BSH, ma kthe votën që të dhashë dhe largohu ti Deputet, sepse ti nuk më përfaqëson as mua dhe as ata 12 mijë firmëtarë të Peticionit anti Fullhajn”. Kaluan 40 ditë që kur plasi skandali i BSH, ndërkohë u mbush muaji që grupi i aktivistëve të lëvizjes civile kalojnë 14 orë të ditës duke mbledhur firma. Peticioni kundër Fullanit do të hyjë në historinë moderne të Shqipërisë si fillimi i erës të re për vendin. Sepse në mënyrë civile, pa shkaktuar asnjë çrregullim në jetën e përditshme apo anomali në jetën e kryeqytetit dhe qyteteve, ku po mblidhen firmat, por tregojnë forcën që kanë qytetarët për të shpëtuar shtetin nga kapja, sistemin nga rënia dhe për t’i dhënë një fytyrë të re klasës politike. Gazetarja Elisabeta Ilnica me të drejtë shkruante në statusin e saj në Facebook: “Për pak minuta mbyllet Gushti dhe këtë muaj ua dedikoj Ajtanga Lubonjës, Zirkon Dishës, Basir Collakut, Bruna Ismailit, Indrit Hoxhas, Julian Hoxhajt e atyre kontribuesve të tjerë që kanë mbledhur me durim firmat për shkarkimin e Fullanit. Respekt për sakrificën tuaj… Ftoj këdo që i ka paragjykuar, që ta provojë të rrijë për një orë në diell, siç ndenjën këta për një muaj, me nga 14 orë. Vetëm kauzat nuk i djeg dot dielli…”. Ndërsa njëri prej organizatorëve kryesorë dhe më aktivë të kësaj lëvizje Zirkon Disha shton edhe emra të tjerë që janë përfshirë në këtë lëvizje që do të iniciojë ndryshimin e faqes të Shqipërisë. “Janë Leonard Mrishaj (Kamëz), Irel Elezi dhe Bledar Bajraktari (Kukës), Donald Spaho Korçë, Altin Goxhaj Durrës, Senida Mesi dhe Forumi Shkodran (Shkodër), Ida Nurçe (Tiranë)”. Të më falni nëse kam harruar ndonjë emër shton ai. Pastaj falenderon edhe të gjithë gazetarët që i janë kushtuar nismës. Pastaj falenderon prapë gazetarët e shtypit të shkruar, që çdo ditë kanë pasqyruar ecurinë e nënshkrimit të peticionit. Pa harruar mediat on-line, me gazetarët si Elida Buçpapaj, Elvi Fundo, veçanërisht VOA – Zëri i Amerikës. Patjetër dhe këtu do kemi harruar disa, shton Zirkoni. Po natyrisht që Zirkon Disha ka harruar dikënd, sepse mbështetësit e kësaj lëvizje qytetare po shtohen dita ditës, pasi kjo është mënyra që do t’i sjellë qytetarëve shtetin e së drejtës, jo shtetin e kupolës, për fëmijët e kupolës, për partiakët e kupolës. Shteti demokratik nuk është përkatësi e Kupolës. Kupolat janë përkatësi të Republikave të bananeve dhe shteteve rogue ose mafioze. Prandaj, të gjithë shqiptarët pa dallime politike, t’i bashkangjitemi protestës përpara Parlamentit të Shqipërisë, për t’i paralajmëruar deputetët e këtij parlamenti o me popullin, o me kupolën. Sepse populli i ka votuar që t’i ketë shërbëtorë të tij, jo që populli të jetë shërbëtor i kupolës, që të gjitha të mirat e vendit dhe privilegjet t’i përfitojë kupola! Kush është shqiptar, të shkojë tek Parlamenti! Kush nuk mundet të shkojë le të jetë me zemër atje, sepse vendi jonë i dashur është i rrezikuar nga kupola. Kryeministri i Shqipërisë i ka premtuar kancelares të Gjermanisë të kryejë reformat që i duhen shtetit. Për të parë degradimin e shtetit ligjor dhe rrënimin e sistemit kaloni në rivistë të gjithë punonjësit e BSH. A nuk janë bijtë e bijat, gratë e burrat e deputetëve dhe ministrave të këtij parlamenti! Po ne e rrëzuam diktaturën që të shpëtojmë nga Nexhmija dhe nomenklatura, jo që të biem në thonjtë e Nexhmijeve, Fullanëve dhe nomenklaturës të kupolës- Kush është shqiptar është me aktivistët e Peticionit antiFullan. Ky peticion nuk lidhet me një emër. Ky peticion lidhet me emrat që kanë kapur sistemin. Në çdo kushtetutë Perëndimore është i dënueshëm dhe i patolerueshëm konflikti i interesit, ndërsa në Parlamentin e Shqipërisë është gati gjysma e deputetëve me konflikt interesi, sikur e kanë trashëguar pushtetin nga baba dhe jo nga vota e Sovranit që është e plotfuqishme. Të gjithë ne shqiptarët, pa dallime politike le t’i bashkohemi kësaj lëvizje, e cila për nga organizimi është e varfër, (kujtoni pak çadrat pompoze të grevave të politikës), por nga qëllimi është e madhërishme dhe ka hyrë në histori. Prandaj do të jemi përpara Parlamentit të Shqipërisë. Sepse organizatorët e këtij Peticioni janë heronjtë e kohës tonë, e cila është bërë pis dhe ndyrë nga politika. Organizatorët e këtij peticioni që janë duke mbledhur firmat e popullit e deri më tash kanë mbledhur 12 mijë firma janë ata që i duhen Shqipërisë, sepse nuk mund të ketë demokraci pa shtet të së drejtës. E shteti i së drejtës përjashton abuzimin me pushtetin. Ky grup i vogël njerëzish, shumica të rinj, ka midis tyre një grua të paepur e cila pasi ka vuajtur tmerret e diktaturës, ka provuar për 22 vjet tmerret e tranzicionit. Ajo është Ajtanga Lubonja. Mendoni, Ajtanga nuk ka një strehë ku të fusë kokën dhe jeton në një dhomë konvikti, ndërsa deputetët e Shqipërisë kanë pallate e vila. Po nga kush i trashëguan? Më 22 marsin e 1992 ata mezi e kishin nga një apartament të vogël, po sot? Ata nuk i thërrasin ndërgjegjes së tyre blozë, ata nuk i bëjnë ndonjëherë llogaritë, atyre nuk u skuqet faqja kur një pensionist merr 100 Euro në muaj, ndërsa ata me 100 euro paguajnë vetëm një kapriçio të çastit. Prandaj ne do të jemi tek Parlamenti, fizikisht, me shpirt e zemër për t’iu bashkuar kësaj lëvizje e cila i ka treguar shqiptarëve se nuk është partia ajo që u jep punë, por shteti ligjor që siguron tregun e lire dhe lirinë e individit! Dhe nuk ka liri tregu dhe individi kur shteti është i kapur nga nepotizmi, klientelizmi, që e mban guvernatorin e BSH ende në zyrën e tij, duke i kthyer deputetet e Parlamentit në mumje të kallura në luks! Prandaj ne jemi me këtë grup aktivistësh që janë heronjtë e kohës tonë, sepse kanë me vete një kauzë fisnike që mbron interesat e vendit, e cila po i zgjon nga gjumi i indiferencës shqiptarët. Prandaj ne jemi me këta heronj, prandaj Shqipëria është me ju! Mos e ndalni këtë mision fisnik! Mos hiqni dorë nga kjo ëndërr e bukur deri sa të kthehet në realitet, që të bëhet Shqipëria një vend demokratik i vërtetë, me qëllim që t’u ofrojë shqiptarëve një jetë të denjë. Kjo gjë arrihet vetëm me politikanë të denjë!