Elida Buçpapaj/ Kumanovën nuk ka se kush ta mbrojë, pasi Ali Ahmeti është mercenar i Gruevskit

550
Nga Kumanova kanë mbërritur foto të terrorit shtetëror, shtëpi të djegura e të boshatisura e për rrjedhojë familje të zhvendosura. Prona dhe pasuria e banorëve të Lagjes së Trimave është kthyer në hi e pluhur, mundi, puna, djersa dhe jeta e tyre është kthyer në gërmadhë. Në Lagjen e Trimave ka patur luftë të vërtetë dhe këto rrënoja që po bëjnë xhiron e botës i ka shkaktuar shteti.
Në këto shtëpi, tashmë skeletë të nxirë prej tymit, kanë jetuar deri një javë më parë familje civile, nëna, gjyshe, gjyshër, burra e gra e fëmijë. Çfarë ka patur shteti maqedon me këta civilë? Nga burimet shtetërore të Maqedonisë thuhet se makineria ushtarake e këtij shteti ka luftuar me terroristë, ndërsa pasojat i kanë patur civilët e pafajshëm, ndërkohë që shteti maqedon ka vepruar në mënyrë unilaterale, etnikisht dhe po ashtu në kontekstin e bashkëredimit të veprimeve me Aleatët, duke i përjashtuar kësisoj edhe shqiptarët edhe NATO-n edhe BE-në, kur dihet se forcat e KFOR-it janë aty afër.
Veprimet e papërgjegjëshme të Gruevskit sot, të kujtojnë ato të qeverisë ish-kryeministrit Georgievski në krizën e 2001, kur ministri i tij i brendshëm Ljube Boshkoski, i akuzuar më vonë nga Haga për krime kundër njerëzimit, dërgoi tanket dhe blindat kundër popullsisë civile në fshatin Lubotin, me pretekstin se po luftonte me grupet terroriste, si tani.
Atëhere aleate e Georgievski ishte partia e Arbër Xhaferit, ndërsa sot partia e Ali Ahmetit, e dalë prej konfliktit të 2001, kur Shqiptarët nuk luftonin kundër Maqedonisë, sepse ata janë shkaku që ekziston Maqedonia, por luftonin kundër segregacionit, aparteidit dhe shqiptarofobisë së sllavëve të Maqedonisë që vijojnë të uzurpojnë gjithë pushtetin politik dhe i trajtojnë shqiptarët si qytetarë të dorës së fundit. Si qytetetarë të dorës të fundit kanë mbetur shqiptarët edhe pas Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka mbetur në letër, sepse aleatët politikë shqiptarë të VMRO–DPMNE, që ishte në pushtet edhe në krizën e 2001, janë mercenarë dhe kuislingë, pasi, sa marrin privilegje individuale, i harrojnë premtimet, detyrat dhe detyrimet që kanë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, që në fakt janë një komb shtetformues, dhe duhet të kenë të njëjtat të drejta me sllavët e Maqedonisë. Dhe modelet i kanë. Shikoni se çfarë të drejtash ka pakica serbe dhe pakicat e tjera në Kosovë, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë nuk gëzojnë as të drejtat e pakicave. Standardet Perëndimore janë të njëjta, si për serbët, si për sllavët e Maqedonisë, ashtu edhe për shqiptarët. Nëse shteti i Maqedonisë do të vijojë e të mos i respektojë këto standarde, e do të vijojë t’i trajtojë shqiptarët si „terroristë“, duke e djegur bashkë me pronat e shqiptarëve të Kumanovës përfundimisht edhe Marrëveshjen e Ohrit, atëhere në Maqedoni nuk do të ketë qetësi dhe shkaktar për këtë është Gruevski dhe jo shqiptarët.
Sepse në Maqedoni ka pabarazi etnike, që ka në themel diskriminimin etnik dhe racor të sllavëve të Maqedonisë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe shqiptarët natyrisht që nuk do të lejojnë të jetojnë në aparteid në zemër të Europës. As BE, SHBA dhe NATO nuk mund të tolerojnë më nëpërkëmbjen e shqiptarëve dhe kalljen në flakë të Marrëveshjes së Ohrit nga Gruevski, sepse atëherë nuk do të ketë stabilitet dhe paqe afatgjatë në Ballkan e rajon. Sepse sllavo-maqedonët nuk mund të vijojnë e të mbajnë geto me shqiptarët e Maqedonisë, të cilëve nuk u krijojnë asnjë kusht minimal për të jetuar, nuk u japin as punë dhe asnjë mundësi, por vetëm u tregojnë dhëmbët, duke u djegur shtëpitë dhe duke i lënë në mjerim e nën kërcënimin e shtetit policor i cili është ai që sillet si një makineri terroriste.
Prandaj duhet ndërhyrja e menjëhershme e SHBA, BE, NATO-s. Duhet po ashtu edhe reagimi i politikës shqiptare, jo për të larë gojën. Nga shteti amë dhe Kosova, politika i ka rrahur krahët si Gruevskit, ashtu edhe Ali Ahmetit, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë jetojnë në shtëpitë e tyre duke e patur shtetin kundër, e bashkë me të edhe politikanët shqiptarë për të cilët ata votojnë.
Nuk mund të tolerohet më tutje mercenarizmi i politikës shqiptare në Maqedoni, sot i partisë të Ali Ahmetit, që hesht përpara asaj që ka ndodhur në Kumanovë. Të paktën nëse kthehemi në kohë, Arbër Xhaferi protestoi menjëherë ndaj terrorit shtetëror të shtetit maqedon kundër civilëve në fshatin Luboten, ndërsa sot Ali Ahmeti, divizën e luftëtarit në kërkim të të drejtave legjitime të shqiptarëve, që mbante në vitin 2001 e ka ndërruar me atë të mercenarit.
Shqiptarët e Maqedonisë nuk duan luftë, duan, punë dhe barazi sociale me palën tjetër shetformuese, e cila i ka uzurpuar të gjitha privilegjet dhe shqiptarëve të Maqedonisë në vend të punës dhe jetës me dinjitet u djeg shtëpitë dhe i shpall terroristë.
Sigal