Elida BUÇPAPAJ/Haveli, ikona e liderit me integritet i lë zhveshur politikanët shqiptarë pa integritet

571
Sigal

Vaclav Haveli vdiq pas një sëmundjeje të gjatë të mushkërive, shkaktuar nga një duhanpirje kronike, si një “chain smoker”, që do të thotë t’i ndezësh cigaret njëra me tjetrën, ta ndezësh cigaren që vjen pas pa e shuar ende cigaren që ia ke thithur nikotinën deri në fund, ashtu si kolegu i tij Ibrahim Rugova. Të dy, duket, e patën cigaren si një shok që nuk i la kurrë në vetmi dhe mendimet e meditimet i ndanë bashkë.

Njeri i vuajtjeve, i sakrificave, përfaqësues i elitës europiane, i burgosur nga regjimi komunist i vendit të tij nën thundrën e pushtimit sovjetik, antikonformist, antikomunist, asnjëherë nuk bëri koncension me regjimin totalitar në shkëmbim të rehatisë personale, Havel nuk u bë informator i shërbimit të fshehtë të Çekosllovakisë si pseudoelita e Tiranës që vazhdon të na shesë dëngla nga pozicioni “ex katedra” kur do të duhej më mirë që t’i hiqeshin nga sytë opinionit publik, sepse janë të neveritshëm, herë si puthadorë të Enverit, herë si lakej të Ramiz Alisë, e tani si ashikë të rrejshëm të demokracisë, sepse në fakt nuk janë të tillë dhe nuk kanë qenë kurrënjëherë, veçse kanë përfituar në diktaturë të mbrojtur prej sistemit antinjerëzor dhe në postdiktaturë të mbrojtur nga klasa e politikanëve pa integritet, ku asnjë prej të cilëve nuk mund të krahasohet me Vaclav Havelin.

Vaclav Haveli nuk ishte as 8 vjeç kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore dhe kur Europa u nda në dy sisteme nga Lufta e Ftohtë e Perdja e Hekurt e vendi i tij, ashtu si Shqipëria, do të katandisej satelit i BRSS-së dhe fati i tij lodër në duart e regjimit komunist, që nuk e lejoi të frekuentojë rregullisht shkollën, ashtu si i qindra mijë fëmijëve që do të mbeteshin fare pa fat këtej në Shqipëri, pas vendosjes të komunizmit. Vinte nga një familje e pasur, fakt të cilin çinovnikët e shtetit të tij do ta shpërdornin edhe në grahmat e fundit të regjimit, atë herë kur për ta binin “zilet e fundit”, siç kujton ish-sekretarja e shtetit amerikane Madeleine Albright kur: „Më 24 nëntor 1989: Sheshi i mirënjohur i Pragës Ëenceslas, u mbush me demonstrues duke brohoritur parulla dhe valëzuar shenja që lexojnë “Posledni Zvoneni,” “zilja e fundit”. Aktivistët tundin çelësat në xhepat e tyre, duke imituar tingujt e një zileje tingëlluese për të shënuar fundin e katër dekadave të sundimit komunist.” Në prag të theqafjes së tyre, kur Vaclav Havelin e burgosnin për herë të fundit, çinovnikët e regjimit përhapnin helmin e fundit të propagandës të tyre çnjerëzore se, “familja e Havelit kishte bashkëpunuar si kuislinge me nazizmin”. Këtë e bënin në vitin 1989, por jo sot në dritë të diellit, ashtu si po vepron Arben Puto, historiani më famëkeq i Enver Hoxhës, kunati i Manush Myftiut, xhelatit të inteligjencies shqiptare, duke akuzuar “Fishtën dhe Konicën si kuislingë dhe bashkëpunëtorë të fashizmit italian”! Populli çekosllovak ua dha përgjigjen e merituar çinovnikëve komunistë duke e përmbysur sistemin dhe duke e kthyer Vaclav Havelin nga liderin e tyre shpirtëror në liderin e tyre politik, ndërsa në Shqipëri populli shqiptar vazhdon të jetojë në tunelin e manipulimeve të historisë nga pseudoelita post-totalitariste, e cila me ndonjë retushim të vogël është pseudoelita e superstrukturës së regjimit totalitarist, diçka e papranueshme dhe e patolerueshme për një vend sot anëtar të NATO-s, e cila nuk bën gjë tjetër veç vazhdon shpëlarjen e trurit të popullit shqiptar përmes spekulimeve dhe duke fshehur të vërtetën. Në Shqipëri, edhe sot, dy dekada pas rrëzimit të sistemit totalitarist, ekziston një shtet paralel që drejtohet nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit që vazhdon t’i torturojë dhe persekutojë viktimat e diktaturës dhe të gjithë ata politikanë apo intelektualë me integritet që u përfshinë në proceset demokratike, vazhdon t’i ekskomunikojë me mënyrat më perfide, sidomos përmes “brain drain” – largimit të trurit, kapitalit njerëzor nga Shqipëria, atij më të aftit për ta mbajtur sa më larg politikës. Censusi më i fundit tregon për këtë plagë dhe është akuzë për klasën politike. Po të hapësh faqet e shtypit të Tiranës do të lexosh se si ish-eksponentë të nomenklaturës sot qahen se kanë qenë viktima të diktaturës, ndërsa tallen me krimet dhe viktimat e vërteta të regjimit totalitarist dhe të gjitha këto bien në vesh të shurdhër sikur në Shqipëri të mungojnë shqisat dhe ndërgjegjja kombëtare. Vaclav Havel do të sillte erën e re përmbysëse jo me dhunë por me Revolucionin Kadife, jo me hakmarrje por duke iu falur „dashurisë dhe të vërtetës”. Jo duke u shndërruar brenda natës në lider, por si vijues i rrugës së tij, si njëri prej bashkautorëve të Charta 77, ku që më 1976 i kërkohej qeverisë komuniste të respektonte traktatet ndërkombëtare për të drejtat civile të cilat i kishte nënshkruar vetë ajo. Nënshkruesit e Charta 77 e pësuan prej kësaj dhe Haveli u dënua me 3 vjet e gjysmë burg, nga ku shkruan “Letra Ollgës”, ku parashtronte në mënyrë të përditshme teoritë e tij politike, filozofike e estetike në letërkëmbimin me gruan e tij të dashur Ollgën. Personaliteti i Vaclav Haveli në jetën e tij nuk pësoi metamorfozë, nuk u konvertua, personaliteti i Vaclav Havelit nuk kishte “dvojnikun”, -“binjakun, nuk kishte Haveli jetë paralele, një jetë private me familjen dhe një tjetër me regjimin, një jetë të fshehur private – të ashtuquajtur disidente dhe një jetë tjetër publike. Vaclav Haveli ishte një, disidenti i përhershëm në regjimin autoritar, i burgosur, intelektuali rebel antikomunist, shkrimtari antikonformist që me veprën e tij mbajti syçelë popullin e tij. Në Shqipëri ne nuk patëm Havelë. Ismail Kadare është një fenomen sui generis, shkrimtari që u personifikua me identitetin kulturor të kombit, i cili në veprën e tij nuk e pranoi dogmën komuniste dhe pa të cilin ne do të ishim mjeranë. Kadare do të luante një rol vendimtar më 25 tetorin e vitit 1990 dhe do të jetë shumë konstruktiv gjatë postdiktaturës, por pa fuqi tek politika.

Tani të merr gazi kur sheh ish-përfaqësues të elitës komuniste të marrin rolin e përmbysësve të regjimit diktatorial, kur në fakt ishin vetëm tastiera dhe instrumente në duart e nomenklaturës përbërë prej dallkaukëve më të mëdhenj të historisë shqiptare. Ndarja paqësore e Çekosllovakisë dhe mbështetja që i bëri ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë flet qartë për dimensionet e liderit humanist. Le të mendojmë një çast, sikur ish-Jugollavia në vend të Milosheviçit të kishte patur Vaclav Havelin, apo liderët e Ballkanit të kishin patur si model Havelin. Me liderin çek mund të krahasohet vetëm Rugova, por Ibrahim Rugova mbeti i izoluar nga klasa politike shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Mendoni se prej 1997 nuk e shkeli Shqipërinë për vite të tëra kur Rruga e Kombit ishte një projekt i ëndrrave dhe idealeve të tij! Vaclav Haveli ishte ikona e gjallë e liderit me integritet, të ndershëm, humanist, i cili nuk i mashtroi dhe përdori për hesape personale miqtë, përkrahësit dhe popullin e tij. Ai u mbështet tek ata dhe ata e besuan dhe e mbështetën atë, besim reciprok, mbështetje reciproke, pa zhgënjime, tradhëtira, pabesi, stërkëmbsha, jetë të disafishtë, personalitet të dyjëzuar, paskuinta, intriga ballkanike, indiferencë, shtrydhje si limon të mikut, shpërdorim të përkrahësit apo vënien në përdorim të kriptostalinizmave, çka kemi njëzetë vjet që e shohim në skenën politike të Tiranës – që tashmë janë bërë kaq demode paçka se vishen me kostumet dhe fustanet e modës së fundit.

Tani që Vaclav Haveli iku, ne jemi më të varfër se kurrë, sepse sot ndërgjegjes të Europës dhe botës së përgjakur nga revolucionet arabe i duhet më shumë se kurrë heroi i “Charta77”. Esseja e tij më famshme, e përkthyer në të gjitha gjuhët e botës e titulluar, “Pushteti i të papushtetshmëve”, është oqeani paqësor i popujve që i kthen në dordolecë diktatorët. Vaclav Haveli, ikona e liderit me integritet, disidenti, i burgosuri, i persekutuari që në fëmijëri, që i provoi hekurat çnjerëzore të regjimit totalitar në të gjitha format e represionit e persekutimit, nuk e pranoi kurrë rolin e viktimës apo të konformizmit me të keqen dhe tek liria dhe demokracia pa arsyen për të jetuar e luftuar antiarsyen e regjimeve totalitariste. Në jetën time si gazetare gjithnjë i kam dhënë të drejtë Havelit kur thoshte se: “Ka gjithmonë diçka dyshuese kur një intelektual merr anën e fituesve”, dhe se “Kur së vërtetës nuk i jepet liria e plotë, liria nuk është e plotë”. Prandaj nuk rresht së kërkuari të vërtetën.

 VACLAV HAVEL, PRESIDENTI PARIMOR  

Me Havelin mesazhi merrte rëndësi, por ishin fjalët vetë që depërtonin në zemër. Ai i përket atyre fare pak liderëve politikë modern që mund të shkruajnë me origjinalitet, njohuri psikologjike pushtetin dhe dhuntinë. Komunizmi u mund nga “rezistenca e Qenies dhe njeriut ndaj manipulimit”. Pika e bashkimit Evropian “nuk është për të gjitha kombet evropiane… të bashkohen në njëfarë Deti amorf Pan-evropian… [Por] për të krijuar një… Evropë në të cilën askush më i fuqishëm nuk mund ta shtypë ndokënd më pak të fuqishëm. Me pak fjalë, ai e shpalli veten as optimist (“sepse unë nuk jam i sigurt se gjithçka mbaron mirë”) as pesimist (“sepse unë nuk jam i sigurt se gjithçka mbaron keq”), por, në vend të kësaj, “një realist që mbart shpresë dhe shpresa është besimi se liria dhe drejtësia kanë kuptim … dhe se liria është gjithmonë vlerë për të cilën ia vlen të luftosh”.