Elida BUÇPAPAJ/ Edi Rama të çrrënjosë kupolën feudale-tribale të tranzicionit  

628
Sigal

Skandalet flasin qartë për degradimin e sistemit në Shqipëri, si pasojë e abuzimit me pushtetin përmes mitmarrjes, klientelizmit dhe nepotizimit

Skandalet e fundit në Shqipëri janë ai i Bankës së Shtetit dhe sekretarit të punësimit të deputetit Kokëdhima. Këto skandale flasin qartë për degradimin e sistemit në Shqipëri, si pasojë e abuzimit me pushtetin përmes mitmarrjes, klientelizmit dhe nepotizimit. Në Bankën e Shtetit, për shembull, janë të punësuar njerëzit e afërt të majës së piramidës shtetërore të ndërtuar këta 23 vjet tranzicion. Të PD, PS dhe LSI.  Prandaj palët heshtin. I keni dëgjuar boritë e kooperativës folklorike të deputetëve të PD-së kundër ish-sekretarit të Kokëdhimës? Po përse heshtin për skandalin e Guvernatorit Fullani? Heshti edhe Kryeministri Rama kur u bë me dije se bashkëshorti i Ministres Gjermeni është në një pozicion kyç në Bankën e Shtetit. Ky zotëri rezulton të jetë punësuar këtu prej vitit 2001. Por pyetja është, a kemi këtu konflikt interesi?

Pyetja tjetër është, a kemi shpërdorim të pushtetit nga ana e zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar, të cilët i kanë punësuar bijtë e të afërmit e tyre në BSH? Pyetja tjetër është se kush do t’i dënojë këta zyrtarë të lartë për shkelje të Kushtetutës, kur drejtësia është e pushtuar nga njerëz me lidhje familjare apo politike si gruaja e Fullanit and Co! Prandaj themi se shteti është i kapur dhe sistemi ka rënë! Sepse në një sistem demokratik kemi shtetin e së drejtës, ku pushtetet janë të pavarura. Le t’i kthehemi skandalit të ish-sekretarit të deputetit Kokëdhima në Sarandë, i cili u shoqërua me një fushatë linçuese të gazetës Shekulli kundër gruas që denoncoi tentativën për krim ndaj bijës së saj të mitur. Nga njëra anë deputeti Kokëdhima me të drejtë denonconte sekretarin e tij si pervers, nga ana tjetër gazeta Shekulli, botuesi i së cilës ka qenë Kokëdhima, e linçonte zonjën në fjalë, duke e nxjerrë të pafajshëm perversin. A kemi moral këtu? Por personi që linçonte gruan trime tek Shekulli, i cili është pronari i hotelit ku ajo kishte punuar, nxjerr në pah „sekretin“ se si funksionon klientelizmi politik, i cili ka kalbur jo vetëm  administratën publike, por edhe sektorin privat, duke ia marrë frymën tregut të lirë, pa të cilin nuk mund të ekzistojë kapitalizmi. Në intervistën e dhënë tek gazeta e Kokëdhimës midis të tjerave ai thotë se „E. (Elvirën – shënimi im) ma pruri partia tek një mbledhje që kemi bërë me deputetin tek restorant hotel “Nertili”. (Intervistën e plotë mund ta lexoni në linkun që e kam publikuar http://www.shekulli.com.al/ëeb/p.php?id=53803&kat=100)
Partia dhe deputeti që përmend i intervistuari nga Shekulli janë PS dhe deputeti Kokëdhima. Dhe prej këtej del se, deputetët e partisë janë të plotfuqishëm. Ata kanë lidhje me biznesmenë, të cilët janë të detyruar të punësojnë njerëzit e deputetëve. Kështu funksionon sistemi klientelisto-nepotik i krijuar nga trioja PD, PS e LSI. Prandaj shteti është i krimbur. Sepse kjo kalbje është e gjithë kupolës. Në një intervistë tek Zëri i Amerikës zonja Mirela Arqimandriti, drejtuese e Aleancës Gjinore për Zhvillim thotë se ngjarja e Sarandës nuk është një rast i izoluar, por është vetëm maja e ajsbergut të një morie ngjarjesh të tilla. “Kërkohet o para, o seks në këmbim të një vendi pune, në këmbim të një të mire materiale në një vend të caktuar. Kjo është masive, kudo kërkohet o para. o favore seksuale si në rastin e kësaj zonje.” Pra sekretarë si ai i Kokëdhimës ka plot, d.m.th kanë edhe deputetët e PD e LSI-së apo sekserët e tyre. Në median e përditshme një qytetar denoncoi deputetin e PD-së, Igli Cara, i cili, sipas tij, kishte punësuar njerëz të vetët me diploma false marrë tek Kristal. Denoncimi i këtij qytetari mund të jetë edhe hakmarrje e pastër, sepse Igli Cara është nga të vetmit deputetë të PD-së,  që ka kërkuar, dy ditë më parë, dorëheqjen e Guvernatorit Fullani. Por gangrena mbetet. Shqiptarët janë të detyruar nga politika të votojnë jo për më të mirët, por për ata, të cilët u premtojnë punë, si favor dhe jo si e drejtë themelore e njeriut në një shoqëri të lirë. Punëdhënësit e tyre janë abuzues të pushtetit të popullit. Sepse deputeti votohet jo t’i shërbejë një pakice të privilegjuar, por gjithë komunitetit. Nga ana tjetër, edhe të punësuarit janë profiterë. Kësisoj kemi edhe degradimin e shoqërisë shqiptare. “Moraliteti ka marrë fund në Shqipëri”, i tha Zërit të Amerikës, zonja Arqimandriti. Nga ana e tij, Erion Veliaj, ministër i Punës në kabinetin “Rama”, reagoi ndaj metodës Kokëdhima, – e cila aplikohet si një metodë masive nga politika – duke thënë që të papunët të shkojnë në zyrat e punës dhe jo të deputetëve. Por me një fjalë goje nuk ndryshon ai pisllëk që është ngritur për 23 vite rresht. Sepse këtë mekanizëm degradues e mbajnë në fuqi PD, PS dhe LSI. Prandaj zgjedhjet janë si fushëbeteja. Sepse riciklohet pushteti në dëm të shtetit ligjor. Partitë në Shqipëri funksionojnë si feude, ndërsa deputetët si feudalë me një pushtet të pakufizuar. Edi Rama ka premtuar se do të luftojë plagët e tranzicionit, të cilat i dalin si fantazma çdo ditë para syve. Po mbushet viti që ka ardhur në pushtet. Edi Rama nuk e ka të vështirë. Pasi ka me vete votat e 1 milion shqiptarëve dhe do të ketë me vete edhe gjithë opinionin mbarë. Aq më tepër kur feudalët e tranzicionit janë prej kartoni, pa asnjë lloj legjitimiteti. Ata largohen me një të rënë të lapsit. Ashtu si u veprua në Lazarat, e cila dukej një kështjellë e pamposhtur e kupolës të krimit. Por duhet të veprojë tani.