Elida Buçpapa/ Lëreni të flasë Jozefina

586
Kam pasur një simpati ad hoc për Jozefinën. Them ad hoc sepse unë simpatitë i krijoj nga laboratori im personal. Nuk shkoj me shabllone të gatshme. Por njeriu që na fliste për Jozefinën, e kam shkruar edhe dikund tjetër, ishte Pjetër Arbnori. Dhe Pjetër Arbnori kishte të drejt të ishte entuziast. Sepse Jozefina vjen nga një nga familjet më të mira të Shkodrës. Dhe si thotë populli molla nën mollë bie. Kur PD rierdhi në pushtet pas rënies apokaliptike të 1997, që pati si pretekst sistemin piramidal, nga ku lidërshipi i kësaj partie doli në opozitë me një imazh të fëlliqur, u besua se nga gjithë ai pësim PD do të kishte reflektuar për të mos ripërsëritur gabimet dhe fajet. Jozefinës i binte detyra kryesore. Pasi ishte nr.2 i partisë dhe krahu i djathtë i Berishës. Jozefina nuk duhej ta lejonte Berishën që ky të largonte Pjetër Arbnorin nga politika. Jozefina nuk duhej ta lejonte Berishën të hynte në aleancë me LSI. Jozefina do të duhej që të shkonte e t’i takonte të përndjekurit e grevës të urisë, ku u vetë sakrifikua Lirak Bejko. Jozefina nuk duhej të pranonte privilegje që cenonin integritetin e saj si politikane. Jozefina duhej të ishte mbrojtësja e demokracisë në parti, dhe mbrojtësja e zërave ndryshe duke mos lejuar gjuetinë e shtrigave kundër kritikueseve.
Jozefina do të duhej të ruante figurën e saj, që të mos ishte as mikrofon dhe as alter ego i Berishës sepse të dy vinin nga dy botë krejt të ndryshme, e Jozefina ishte dy dekada më e re se Berisha. Por Jozefina pëlqeu pushtetin e lehtë, që mjaftohej të ishte një yes-woman e Numrit Një. Nga ky moment, kur Jozefina hyri në një sintoni uniforme me Berishën, kam filluar ta kritikoj zonjën Topalli, por ajo nga maja e piramidës i shihte njerëzit sikur të ishin miza. Në atë kohë nisën që Jozefinën ta krahasonin me Nexhmijen. Natyrisht krahasimi ishte hiperbolë e pakripë, por në themel ekzistonte arsyeja që Jozefina t’i meritonte kritikat. Sepse Jozefina ishte pjesë e lidershipit të PD me në krye Berishën, që janë shkaktari kryesor i degradimit të PD nga parti e idealeve të qendrës në një parti që përqendroi pushtetin në një grusht njerëzish dhe pak interesohej ose aspak si për demokracinë brenda partisë, ashtu edhe në nivel vendi. Prandaj erdhi humbja e 23 qershorit. Ata 1 milionë që i dhanë fitoren Edi Ramës më 23 qershorin e 2013 nuk votuan pro PS, por kundër asaj mënyre qeverisje që prodhoi PD për dy mandate. Rreth asaj humbje Jozefina nuk e foli asnjë fjalë. U trishtua domosdo, sepse do të humbiste pushtetin, hipokritët servilë që i thurnin lavde dhe himne. Do t’i iknin nga duart privilegjet. Heshti për humbjen e 23 qershorit 2013 Jozefina. Nuk bëri asnjë koment. Asnjë mea culpa.
Për dy vjet rresht ka pasur kohën e mjaftueshme që të reflektojë. Kjo e bëri që pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit të ngrejë zërin dhe të thotë se ka ardhur koha që PD të shohë nga vetja. Dmth tash ka ardhur koha që të reflektojë edhe lidershipi i PD. Sepse humbjes të 23 qershorit 2013 i është shtuar edhe humbja e 21 qershorit 2015. Dhe nëse nuk do të ndryshojë stil, do të ketë humbjen përfundimtare në qershorin e 2017! Nëse lidershipi i PD vijon që për rënien e vijueshme të përgjegjëseje fitimtarët, Jozefina, ka të drejtë që t’i tërheqë vëmendjen. Ajo duhet të jetë e lire që të shprehë mendimin e saj. Dhe mënyra se si ka reaguar PD kundër saj është e turpshme, është e frikshme, është e papranueshme, është antidemokratike, është e njëjta mendësi autokratike që i ka prodhuar humbjet, që ka larguar elektoratin dhe që e ka lënë Shqipërinë në këtë stad, ku një proces zgjedhor nuk pranohet nga humbësi, për shkak të shit-blerjes të votave, për shkak të inkriminimit të politikës, për shkak të mos reformimit të PD. Demokratizimi i Shqipërisë pritej nga PD. Dhe nëse PD edhe pas çerek shekulli nuk lejon asnjë zë kritik brenda vetes, sepse pretendon se lidershipi është i pagabueshëm, atëherë kjo parti nuk meriton që të pretendojë se përfaqëson idealet e atyre që ëndërruan për një Shqipëri të integruar në Europë.
Sigal