Ekstremistët ultranacionalistë grekë politizojnë dhe akuzojnë me armiqësi

758
Sigal

Dr. Qemal Lame

Vrasja e një shqiptari të helenizuar dhe me aktivitet ekstremist ultranacionalist në përbërje të grupimeve politike të organizatës së njohur e të dënuar edhe nga opinioni publik të “Agimit të Artë”, ka shkaktuar reagime nga ekstremistët. Vrasja është një ngjarje e veçantë, e cila nuk duhet politizuar për të dëmtuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet miqësore. Megjithatë, ngjarja është shndërruar në një problem të ditës për Athinën dhe Tiranën zyrtare, për disa politikanë dhe media në vendin tonë dhe në Greqi. Policia Shqiptare, media dhe të pranishmit në ceremoninë e përkujtimit të ushtarëve grek të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, sqarojnë se vrasja e Kostandin Kacifas ka ardhur, për shkak se viktima nuk iu përgjigj thirrjeve policore për t’u dorëzuar, si dhe ka qëlluar në drejtim të policëve me armë. RENEA zbatoi ligjin si në çdo shtet të së drejtës, ndërhyri në fshatin Bularat të Gjirokastrës dhe vrau ekstremistin e helenizuar për shkak të rrezikshmërisë.

Zbatimi i ligjit si një kërkesë kushtetuese

Ky fakt nuk mund të nënvleftësohet as  nga kritikat që bëhen duke vënë në diskutim në se duhet të ishte vrarë apo marrë masa për ta neutralizuar dhe kapur viktimën të gjallë dhe vënë para përgjegjësisë penale. Hetimet për vrasjen e tij vazhdojnë. Prokuroria e Greqisë, megjithëse nuk ka marrëveshje ndërshtetërore dhe nuk është pranuar reciprociteti në hetimet e ngjarjeve, ka kërkuar që të marrë pjesë në hetimet për ekzekutimin e minoritarit helen në vendin tonë. Njëkohësisht, bëhet e njohur se padrejtësisht, Prokuroria e Greqisë ka filluar dhe po zhvillon hetime duke pyetur edhe në Shqipëri familjarët e viktimës e persona të tjerë, kërkoi të bëjë edhe ekspertimin mjekoligjor që u refuzua me të drejtë nga institucionet shtetërore dhe Prokuroria Shqiptare. Reagimet publike shtetërore, nga media, grupime politike e individë, evidentojnë rrezikshmërinë e ultranacionalistëve grekë të Agimit të Artë.

Së pari, ata po e shfrytëzojnë ngjarjen në Bularat për të demonstruar politikën shoviniste antishqiptare dhe pretendimet aneksoniste për Vorio Epirin dhe helenizmin.

Së dyti, kundërshtojnë me të gjitha mjetet politikën e Qeverisë greke, konkretisht të kryeministrit Aleksis Cipras, për zgjidhjen e problemeve të mbartura historikisht dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, Maqedoninë e Turqinë. Njohja e sovranitetit të shtetit të Shqipërisë, heqja dorë nga pretendimet për Vorio Epirin, Marrëveshja me Maqedoninë për emërtimin Maqedonia Veriore, janë bërë objektivi politik i ultranacionalistëve për të sabotuar politikën zyrtare greke.

Ka vend të theksohet, se Qeveria e Greqisë ka mundur të realizojë qëllimet e saj edhe në këto marrëveshje, duke propaganduar zgjerimin e Greqisë, por kjo nuk i ka kënaqur kundërshtarët e saj politikë.  Shqipëria dhe Greqia kanë rend të njëjtë kushtetues, të bazuar në parimet demokratike dhe veprimtarinë e shtetit të së drejtës. Por qëndrimet e njëanshme politike nga grupime dhe individë të veçantë sidomos grekë, nxisin dhe shkaktojnë pasoja të rënda. Më të ndjeshme janë vrasje e ndodhura dhe reagimet e shkaktuara që kanë tronditur opinionin publik shqiptar dhe atë grek. Dihet se viktimat më të shuma dhe rastet më tragjike kanë qenë nga shtetasit shqiptarë të nënvleftësuar, përndjekur e linçuar nga propaganda shoviniste e ultranacionaliste e grupimeve politike antishqiptare. Në Greqi, dhjetëvjeçarin 2000 – 2010, janë vrarë 58 emigrantë shqiptarë. Nga këta, 33 i ka vrarë policia dhe rojet kufitare, ndërsa pjesa tjetër janë vrarë nga vendasit. Nga viti 1992-2010, është bërë e njohur se janë vrarë 154 emigrantë shqiptarë. Janë verifikuar 135 dhe mbeten për verifikim edhe 19 vrasje të tjera. Në 135 vrasjet e ndodhura, nga forcat e policisë greke kanë kryer 93 vrasje.

Viti 1991, kur filloi eksodi masiv tragjik i shqiptarëve drejt Greqisë, është fillimi i vrasjeve por edhe i regjistrimeve të krimeve të kryera ndaj shqiptarëve. 6 mars 1991 është dita kur shtypi grek publikon për të parën herë vrasjet e emigrantëve. Vrasjet dyshohet të kenë qenë të shumta në kufirin grek, por nuk janë publikuar të dhëna të sakta. Në pranverën e vitit 1991, kur shkriu dëbora në malin e Gramozit, u gjetën disa kufoma, të cilat u hetuan për t’u identifikuar dhe sqaruar rrethanat e vdekjes. Akoma nuk është arritur të saktësohet numri i viktimave të vrara në kufi nga forcat kufitare shqiptare, si dhe i vdekjeve të dyshuara dhe vrasjeve të qëllimshme nga forcat kufitare të Greqisë. Vrasjet mbeten një problem shqetësues për opinionin publik që kërkon sqarime, kuptimin e mirëkuptimin për rastet e zbatimit të ligjit, ndjesë publike e nderime për të vrarët padrejtësisht apo viktimat e pafajshme. Në Shqipëri është bërë e zakonshme politika zyrtare e Athinës dhe disa politikanëve të njohur Agimit të Artë për ndërhyrjet në punët e brendshme dhe demonstrimi publik e deri agresiv i grupimeve ekstremiste ultanacionaliste greke. Në çdo feste, fushatë elektorale në Shqipëri, përkujtimore, kërkime për varre, realizimin e qëllimeve për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë, ku demonstrohet fuqishëm prezenca e ish ministrave të mbrojtjes, gjeneralëve e admiralëve grekë, ish komandantëve të llojeve të armëve, personaliteteve politike e fetare etj. Kohë pas kohe grupe ushtarakësh në rezervë shkelin territorin shqiptar për të vizituar “patridhat” e tyre, kishat e manastiret për të mbajtur gjallë megalidenë greke. Rajonet e Dropullit të sipërm e të poshtëm, Theollogos, Dhivrit, Vurgut të Delvinës, bregut e Himarës, janë rajonet më të vizituar nga këta “ turistë” të cilët mbajnë fjalime patriotike për helenizmin, ku dëshmojnë antishqiptarizmin, nënvleftësimin dhe cenimin e sovranitetit e integritetit territorial dhe ndjenjat e të drejtat e ligjshme të kombit shqiptar. Është me vend të theksohet veprimtaria subversive nga ushtarët e untranacionalistët e tjerë, të cilët hyjnë tokën shqiptare të organizuar dhe me mjete transporti me portrete, shkrime e parulla shoviniste. Pothuajse në çdo rast, ata me qëllime të paramenduar kanë nxitur e krijuar artificialisht situata të rrezikshme, veçanërisht në zonën e Himarës. Moslejimi dhe parandalimi i këtyre ngjarjeve të rënda kërkon marrjen e masave shtetërore të domosdoshme. Shteti shqiptar është e domosdoshme të ushtrojë natyrshëm dhe me të gjitha mjetet sovranitetin e tij në zbatim të Kushtetutës së Republikës, të zbulojë e parandalojë veprimtarinë antishqiptare ngado që të vijë, të shpallë persona non grata ata që kryejnë veprimtari politike antishqiptare, të dënojë ata që shkelin ligjet dhe kushtetutën e vendit tonë. Qeveria e Shqipërisë të publikojë marrëveshjen për kufirin detar, dhe të gjitha marrëveshjet që kanë të bëjnë me ligjin e luftës dhe çështjen Çame!

Presioni politik dhe ideologjik i Qeverisë dhe klerikëve grekë është i ndjeshëm për institucionet shtetërore dhe gjithë popullin e kombin shqiptar. Luhet dhe shfrytëzohet me çdo mjet deri edhe me kërcënime vote për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky mbetet me të vërtetë problem për këtë proces integrimi evropian. Megjithatë, interesat kombëtare kërkohet të mbrohen me forcë dhe të mos bëhen lëshime. Integrimi dhe vendi i merituar në Bruksel nuk kalon as nga Athina, as nga Beogradi. Bashkëpunimi, fqinjësia dhe miqësia nuk mund të realizohen dhe nuk kanë efektivitet pa respektimin e sovranitetit, integritetit, barazisë dhe reciprocitetin ndërshtetëror. Shqipëria është shtet demokratik, anëtare e NATO-s dhe me kontribute në paqen e sigurinë në Ballkan e në tërësi marrëdhëniet ndërkombëtare. Shtetet fqinjë kërkohet të reflektojnë për realitetet politike e historike të kombit shqiptar. Kështu do të ndërtojmë të sotmen e të ardhmen dhe do të ecim në miqësi në udhëtimin e përbashkët euroatlantik.