Eglantina Gjermeni: Lejet e pallateve, premtim i mbajtur

666
Sigal

Ministrja Gjermeni: Vendimi që hartuam, ligjëron 1320 pallate “pa letra”, 700 prej tyre janë në Tiranë

Këshilli i Ministrave miratoi sot projektvendimin “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore, ose në lartësi, ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien”. Ky projektvendim u hartua nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe ALUIZNI, në zbatim te neneve 36 dhe 43/1 të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Deri më sot janë kryer 110 mijë legalizime, 90 mijë vetëm në vitet 2014-2016 ose thënë ndryshe, 5 herë më shumë se në tetë vitet e qeverisjes së mëparshme. Megjithatë, egziston një kategori qytetarësh, të cilët nuk kanë mundur të përfitojnë nga ky angazhim madhor i Qeverisë. Sipas të dhënave që kemi janë rreth 30 mijë familje në Republikën e Shqipërisë, të cilat jo për faj të tyre, nuk kanë mundur të marrin hipotekën e pronës ku jetojnë. Në të gjithë vendin numërohen rreth 1320 pallate që preken nga ky vendim, 700 prej të cilave janë në territorin në administrim të bashkisë së Tiranës. Këto familje, edhe pse e kanë blerë pronën në mirëbesim, nuk janë bërë pronarë, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e ndërtuesve. Pra, qytetarët, të cilët kanë shlyer detyrimet e tyre financiare ndaj ndërtuesve të pallateve, nuk mund të penalizohen prej këtyre ndërtuesve, të cilët nuk kanë respektuar rregullat apo detyrimet ligjore. Ndaj ky vendim, i miratuar sot nga Qeveria i jep zgjidhje përfundimtare kësaj problematike të mbartur në vite dhe bën të mundur legalizimin e pronave për këto familje. Nga njëra anë rregullohet e drejta e regjistrimit të banesave nga individët që i kanë blerë, dhe nga ana tjetër synohet vjelja e të gjitha detyrimeve financiare nga ndërtuesit dhe investitorët. Ligjërimi i pronës nëpërmjet këtij vendimi, bën të mundur disponimin dhe qarkullimin e saj në tregun e lirë. Në aspektin ekonomik pritet të ketë një ndikim pozitiv në financat e këtyre familjeve si dhe në financat e njësive të qeverisjes vendore dhe buxhetit të shtetit. Me gjithë vështirësitë e hasura, për shkak të problematikës së mbartur, Ministria e Zhvillimit Urban dhe ALUIZNI mbeten plotësisht të angazhuar për finalizimin e procesit të legalizimit. Në funksion të kësaj ecurie, që prej vitit 2014, MZHU ka ndërmarrë 4 nisma ligjore të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, si dhe 24 vendime të Këshillit të Ministrave, një prej të cilave sapo u miratua.