Edval Nuri: “Varfëria, që po na vret”…?!

717
Kjo ishte shuma që pagoi një grua tek tregu pranë Xhamisë të Tabakëve. Unë gjendesha në radhë prapa saj e dëgjova gjithçka. Peshoi dhe njëherë tha gruaja se më duken “si shumë”! Pas peshimit të dytë, doli se shitësja ia kishte peshuar saktë. Gruaja beri hesapin dhe i duhesh dhe 10 qindarka që të blinte dhe një gjysmë buke! Sa e varfër mendova, por jo vetëm ajo, por shumica! Të kuptohemi që ky është një rast i veçantë, e s’mund të përgjithësohet. Por që 40% e popullsisë jeton me 6 USD. në ditë është e vërtetë e s’mund të anashkalohet! Psonisa e shkova në shtëpi. Hapa kompjuterin për t’u njohur me shtypin e ditës. Disa gazeta bënin fjalë për pasuritë e politikanëve. Me qindra mijëra e miliona euro të deklaruara. Më zuri koka! Të pasur një pakicë! Si janë pasuruar? Emra s’po përmend se kam“frikë”. Me gjithë mend që kam frikë (pa thonjëza ), mbase krahina ime përmendet më tepër për njerëz të ditur, se sa për trimëri. Ata deklarojnë se kanë “marrë kredi !Kredia të fut në borxhe e s’të pasuron! Pasuria është krijuar, thonë nga: “Pagat e larta, shërbimet, shitje shtëpish e tokash, qiratë, aksionet, bono- thesari, nga gratë, të gjetura e të betuara … e shumë forma e metoda të tjera”. Ne s’kemi aftësi të pasurohemi, edhe pse jemi me arsim të lartë dhe kemi punuar më me dëshirë e vullnet se ata! Nëse me “aftësitë” e tyre do t’na kishin bërë jo të pasur, por t’mos bënim llogarinë, sa lekë kemi e sa na kanë mbetur për të nxjerrë muajin, hallall t’i kenë! Të varfër shumica! M’u kujtua gruaja që i dhashë 10 qindarkë për të marrë gjysmë buke dhe mendova : “Pse historikisht kaq të varfër?” Kush na ka “mallkuar” për këtë gjendje kaq të dëshpëruar? Mos vallë “Zoti”, që për dekada hoqëm dorë prej tij, duke e mohuar e përçmuar? Mos “natyra” e egër që kemi trashëguar nga kodi gjenetik? Mos “kultura” që ka qenë vazhdimisht e cunguar dhe e politizuar? Mos kemi gabuar që në krye (me ose pa dëshirën tonë) kemi vënë njerëz që nuk na kanë drejtuar, por na kanë sunduar? Ata vetëm të mira s’na kanë bërë! Vetë i kemi zgjedhur duke ngritur në “qiell” kultin e tyre. E në këtë drejtim: “Mirë na e kanë bërë!” Kjo pyetje më ka shqetësuar që nga koha kur arrita të kuptoj për botën, shtetet, regjimet, ekonominë, politikën. E njoh mirë historinë e vendit tim, mbasi për të kam studiuar. Jam i shqetësuar: “Pse punët në vendin tim historikisht ecin keq?” Unë di që vendi im është mjaft i begatë. Me një klimë për t’u admiruar! Edhe pse në një sipërfaqe pak më tepër se 28. 000 km2, rrallë gjen të ndërthurura malet, kodrat, fushat, luginat, lumenjtë, liqenet dhe detet! Me pasuri të mëdha mbi e nëntokësore, që s’i gjen diku tjetër! Pse historikisht kaq keq?

2-Tre P-të, që na varfërojnë! Papunësia, pagat, pensionet!
Të tria janë të lidhura me njëra- tjetrën. Ndikojnë tek njëra- tjetra, por asnjëra s’e zëvendëson tjetrën . Këto na kanë sjellë varfëri e dëshpërim. Na ka venitur besimin, “vrarë shpresën”. Kjo i ka detyruar njerëzit të kërkojnë mirëqenie atje ku nuk mund ta gjejnë! Të kërkojnë azil politik rrugëve të botës, me apo pa dokumente, nga halli e jo nga malli. 

A-Papunësia 
Ajo rezulton më problematike tek të rinjtë. Shkalla e papunësisë te të rinjtë e moshës 18-34 vjeç është shqetësuese. Duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor, në tregun e punës në Shqipëri vihet re që shkalla e papunësisë është me e lartë për personat me arsim të lartë, me 14.7 për qind (ku nga tre punon vetëm një), se sa për personat me arsim bazë 9-vjeçar. Flitet shumë për nevojat për punësim në profesionet. Kjo është arsyeja dhe hapja e shkollave profesionale. Deri tani frytet janë të pakta. Punësimi është dominuar nga sektori bujqësor dhe nga ai i shërbimeve. E theksojmë këtë, se s’ka investime edhe pse flitet shumë, por besimi është minimal. Në 2015, Shqipëria renditej me rreth 30% të mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian. Në 2017 renditet e 106 në Botë nga 190 vende për të ardhura për frymë. Duke iu përmbajtur të dhënave të “Standard and Poor-s” në vitin 2019 niveli i papunësisë parashikohet të jetë 16.5%. Përsëri e fundit në Evropë . Pse në arritje jemi të fundit, kurse në të kundërtën jemi të parët. Fjala vjen: Në korrupsion, drejtësi, nivelin e pagave, pensionet, turizëm, arsim, shëndetësi, mjedisin…e tjerë zëmë vendin e fundit. Në 26-vjet na janë larguar mbi 40% e popullsisë, pra 1.2 milionë banorë! Deklarohet se 1 milion janë të pa punë. Në rezultante, nëse do të hiqej efekti i formalizimit, vendet e reja të punës të krijuara në sektorin privat jobujqësor gjatë 4 viteve të fundit nuk rezultojnë më shumë se 50 mijë. Pra formalizimi ka sjellë mbi 60% të 134 mijë vendeve të reja të punës të krijuara në katër vjet në sektorin privat. 

B- Pagat 
Duhet pranuar që këtë vit pagat në përgjithësi janë rritur s’i asnjëherë. Rritja ekonomike parashikohet në 3.7% më e larta në rajon. Bukur, por sa futim në xhep? Niveli i pagave në krahasim me vendet e Evropës janë të ulëta . Ja disa shifra të besueshme për të kuptuar situatën reale në Shqipëri me Ballkanin dhe Evropën . Vendet e Ballkanit kanë pagat 15 herë më të ulëta se vendet e BE-së. Paga minimale mujore në vendet e rajonit të Ballkanit janë ndër më të ulëtat në Evropë. Sipas të dhënave të fundit në dispozicion, paga minimale në Kosovë shkon nga 130 deri 170 euro. Në Maqedoni paga minimale mujore është 131 euro, në Shqipëri 149 euro, ndërkohë që në Serbi minimalja mujore është 174 euro. Nga vendet tjera të rajonit paga minimale mujore në Malin e Zi është 193, sa është edhe në Bosnje dhe Hercegovinë. Në anën tjetër, minimalen më të lartë në rajonin e Ballkanit e kanë qytetarët e Kroacisë, ku paga minimale, është 396 euro. Ndërkohë, sipas të dhënave të fundit nga Eurostat, pagat minimale mujore në Bashkimin Evropian shkojnë nga 184 euro në Bullgari deri 1.923 euro në Luksemburg. Në shtatë vendet e BE-së paga minimale është mbi 1.000 euro. Kështu qytetarët në Britani të Madhe marrin një pagë minimale prej 1.379 euro, pasojnë Franca me 1.458 euro, Irlanda 1.462 euro, Gjermania 1.473 euro, qytetarët e Belgjikës dhe Holandës marrin pagën minimale prej 1.502 euro, ndërsa 1.923 është paga më e ulët minimale në Luksemburg. Edhe pse marrim më shumë jetojmë më keq! Paga minimale duhet të rritet kur kemi parasysh edhe varfërinë ekstreme të vendit. Kjo ka të bëjë me inflacionin. Ai ndikon në mënyra të ndryshme tek njerëzit. Disa vuajnë dhe të tjerët përfitojnë. Çmimet e produkteve e shërbimeve më të cilat përballen shqiptarët, që janë shumë më të larta se vendet e rajonit. Për këtë mjafton të përmendim vetëm çmimin e naftës, që është më i larti në Ballkan, e tani flitet se do të rritet me 6 lekë 

C-Pensionet . 
Më të ulëta se kudo. Muaj më parë takova një nxënësin tim, që punun në Itali. Kur i thashë sa e kam pensionin, ai qeshi e më tha: “Kaq i marr për tri ditë pune aty ku punoj, o i nderuar profesor!” Edhe pse pensionet rriten çdo vit jetojmë më keq! Arsyeja është inflacioni. Me lekë më shumë, plotësojmë më pak nevoja materiale. Muajin e parë mora së bashku me gruan, 1100 lekë më shumë. Bleva 1 kg mish, një qumësht e një kos. Kjo ishte rritja! Ky është më tepër indeksim çmimi, se sa rritje pensioni! Nga rritja e pensioneve tek ne përfitojnë rreth 600 mijë persona, nga të cilët 427 mijë janë pensionistë të qytetit, 150 mijë janë pensionistë të fshatit. Rritja me 3% është e papërfillshme me rritjen e kostos të jetesës në të gjitha drejtimet. Problemi tjetër është se dhe parashikimet janë të “zymta”. Çdo vit është parashikuar 2-3% e rritjes së përfitimeve nga sigurimet shoqërore. Kjo përqindje përftimesh do të jetë e njëjtë si për individët në qytet, por edhe në fshat. Synimi për përmirësimin e nivelit të jetesës me një rritje mesatare prej 2%-3%, mbetet shqetësim.
Sigal