Eduard HALIMI / Riorganizimi administrativ i gjykatave, frymëmarrje për gjyqësorin

595
Sigal

Kur flisnim para një viti për planin tonë të jashtëzakonshëm për dixhitalizmin e drejtësisë, shumë ishin skeptike, madje ndonjë edhe na përqeshi. Por sot një vit më vonë, me të drejte krenohemi se kemi plotësuar, një nga një, dixhitalizmin e çdo sektori të drejtësisë. Kemi reformuar noterinë duke u bërë vend lider në rajon për sistemin elektronik të të dhënave mbi pasuritë, kemi ndërtuar portale on-line për regjistrimin e pronave, kemi reformuar përmbarimin gjyqësor dhe një sistem dixhital për menaxhimin me module të reja është në finalizim, kemi ndërtuar një sistem gjyqësor tërësisht dixhital, me seanca gjyqësore tërësisht elektronike, me sistem audio dhe shume shpejt video, sistem tërësisht dixhital të përpunimit të dosjeve, portal online për gjyqtarë e qytetarë, duke e bërë realitet angazhimin tone. Fjalët kyçe që kanë përshkuar masat reformatore kanë qenë përgjegjshmëria, efikasiteti dhe lufta kundër korrupsionit përmes rritjes së transparencës. Por në të gjithë këtë panoramë aktori më kryesor është pushteti gjyqësor, reformimi i të cilit është një çështje me interes kombëtar dhe që rëndon si detyrim jo vetëm tek qeveria, jo vetëm tek parlamenti, por edhe tek vetë pushteti gjyqësor. Ne të gjithë jemi dëshmitarë se, deri më tani reformat e nisura me këmbëngulje, vullnet të hekurt dhe besim të plotë, kanë rezultuar të suksesshme. Tashmë gjendemi përpara fakteve të kryera, ku çdo pjesë e sistemit gjyqësor është përfshirë në reformimin e vetvetes, në ndërgjegjësimin e rolit të tij dhe në marrjen përsipër të detyrave që i takojnë. Kemi arritur të përmirësojmë eficencën në sistemin gjyqësor ku fjala kyçe është ‘meritokracia’, nëpërmjet marrjes së vendimeve shumë të rëndësishme në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe asistencën e shkëlqyer të Misionit Euralius, vendime këto shumë të pritura për vite me radhë nga gjyqtarët. Mbështetur vetëm në vullnetin dhe meritat profesionale të gjyqtarëve kemi nisur punën për rishpërndarjen e gjyqtarëve nga gjykatat me ngarkesë më ulët në gjykatat me ngarkesë të lartë, me fokus uljen e numrit të gjyqtarëve në gjykatat e shkallës së parë dhe rritjen në gjykatat e apelit, të cilat për hir të së vërtetës vuajnë nga mbingarkesa e tepërt e çështjeve ende të pashqyrtuara, nga tejzgjatje në ekstrem të kohës së gjykimit dhe nga zvarritje të theksuara të proceseve gjyqësore që shoqërohen me lodhje të qytetareve dhe mungesë të dhënies së drejtësisë. Por rishpërndarja synon dhe vendosjen në funksionim të gjykatave administrative, reformë e cila shpresoj të jetë eficente sa me shpejt që parlamenti të miratojë Ligjin për Gjykatën e Lartë. Opinioni i BE e cilëson reformën e rishpërndarjes së gjyqtarëve, si një reformë të domosdoshme dhe nxit institucionet të përfundojnë sa më parë këtë reformë. Synimi ynë është që brenda muajit të fillojë riorganizimi i ri i gjykatave, i cili do t’i japë një frymëmarrje të re sistemit gjyqësor dhe një fizionomi të re secilës gjykatë. Për herë të parë në këto 20 vjet do të flasim për reformimin e një pjesë shumë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Misioni Euralius në bashkëpunim me MD, lancon një ndër reformat më të rëndësishme të sistemit gjyqësor, e cila përbën një ndër reformat më të rëndësishme, reforma në modernizimin dhe konsolidimit të administratës gjyqësore. Kjo reformë absolutisht e rëndësishme adreson edhe gjetjet e Komisionit Evropian, sipas të cilit mungesa e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për administratën gjyqësore në përputhje me standardet evropiane, me gjykata dhe staf gjyqësor të organizuar në mënyrë të qartë, pengon transparencën dhe efiçencën në aktivitetet e gjykatave. Më së fundi administratës gjyqësore po i jepet statusi që meriton, i cili e mbron, e përforcon dhe e garanton në ushtrimin e veprimtarisë së përditshme në gjykatë, si barriera e parë e përplasjes së publikut me gjykatën. Është mese e kuptueshme që të gjitha këto janë ngushtësisht të lidhura në radhë të parë me konsolidimin e profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë por edhe me rritjen e besueshmërisë së këtij operatori tek sytë dhe mentaliteti i qytetarëve, të cilët përgjigjen e parë të halleve të tyre e kërkojnë nga administrata gjyqësore. Reforma mban në konsideratë tipologjinë e organizimit të pushtetit gjyqësor, ku çdo gjykatë drejtohet me kompetenca të plota administrative nga Kryetari i Gjykatës. Rregullat e reja pritet të krijojnë një fushë intensive bashkëpunimi, nën parimin e roleve dhe përgjegjësive të ndara, midis kryetarit dhe kancelarit të gjykatës. Përcaktimi i përgjegjësive merr rëndësi parësore sepse i shërben rritjes së efektivitetit dhe përmirësimit të ndjeshëm të shërbimeve ndaj qytetarëve. Kryetarët e organizatave, liderët e gjykatave do të duhen të analizojnë reformën jo mbi gjendjen në të cilën ndodhet, por mbi modelet dhe standardet europiane. Ne duhet të ndërtojmë një administratë gjyqësore, jo mbi bazën e asaj që na duket më mirë për momentin, por mbi bazën e standardeve europiane dhe mbi bazën e modeleve europiane. Ndaj dhe hartimin e draftit ia besova Misionit Euralius, i bindur se ata dhe ekspertiza e tyre është jo vetëm më e mira në Shqipëri, por i bindur gjithashtu se ata nuk do të na sillnin një draft bazuar mbi modelet më të mira, larg eksperimenteve dhe praktikave eksperimentale, larg një modeli lindor të funksionimit të administratës. Shqipëria është duke përjetuar momente të rëndësishme historike në drejtim të aspiratës të saj europiane. Opinioni i bërë publik disa javë më parë nga Komisioni Europian, është padyshim një vlerësim për reformat e ndërmarra gjatë këtyre viteve, por shërben edhe si një nxitje për të vijuar thellimin e tyre, në funksion të përafrimit të legjislacionin shqiptar me atë të vendeve më të përparuara të Bashkimit Europian. BE kërkon miratimin e ligjeve me 3/5 dhe këto ligje ashtu si dhe ky që po prezantohet sot. Ato janë ligje që i ndihmojnë në konsolidimin e sistemit të drejtësisë. Ato ndihmojnë qytetarët, votuesit tanë në parlament, janë ligje që përmirësojnë jetën e tyre dhe që afrojnë Shqipërinë me standardet europiane. Reforma e drejtësisë është një proces i gjatë dhe i vështirë. Një vit më parë të paktë do të ishin ata që do të besonin se ne mund të arrinim të bënim të gjitha këto reforma, ligje, projekte. Por të gjitha këto reforma ndoshta do të ishin shumë të vështira dhe të vonuara për t’u realizuar nëse nuk do të kishim mbështetjen dhe asistencën e pakursyer të ekspertëve më të mirë europianë, pjesë e ekipit të Misionit Euralius.