Eduard HALIMI, Ministër i Drejtësisë / Sistemi ynë i drejtësisë po bëhet çdo ditë edhe më transparent

541
Sigal

Inaugurohet rikonstruksioni i Gjykatës së Apelit dhe Gjykata Administrative e Apelit të Tiranës

Jemi në një ditë të mirë për drejtësinë, ku inaugurojmë rikonstruksionin e Gjykatës së Apelit Tiranë dhe Gjykatën Administrative të Apelit të Tiranës. E thamë se do ndërtonim deri në fund të vitit, por vendosmëria e kryetarit të saj bëri që të jemi gati 1.5 muaj para afatit. Kjo është gjykata me e rëndësishme në vend, dhe domosdo duhej ndërhyrë për të përmirësuar kushtet e punës së gjyqtarëve, por dhe të drejtën e qytetarëve për të marrë këtë shërbim jashtëzakonisht të rëndësishëm për ta. Nëpërmjet këtij investimi drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit bëhet e mundur:

-Krijimi i sallave të reja

-Krijimi sallës për marrëdhënien me publikun

-Dixhitalizimi për herë të parë i shortit në prani të publikut, për ta bërë transparent sistemin.

-Instalimi i sistemit audio

-Instalimi për herë të parë i sistemit video.

E drejta e qytetarëve për akses është e drejtë e tyre themelore, e cila me këtë inaugurim, merr një rëndësi të jashtëzakonshme.

Dixhitalizimi, rrit transparencën, rrit përgjegjësinë, bën më të lehtë monitorimin, redukton korrupsionin, por dhe rrit besimin e qytetarëve tek drejtësia. Shumë qytetarë mendojnë se sistemi është i korruptuar, por të gjithë së bashku duhet të bindim ata se kjo nuk është e vërtetë. Dhe më mirë se me anë të trasparencës ndaj tyre ne nuk mund ta bëjmë atë. I themi atyre se kanë akses të plotë të shohin dhe dëgjojnë çdo germë që flitet dhe shkruhet në gjykatë. Ne kemi ndjekur këtë rrugë për përmirësimin e sistemit gjyqësor, së bashku me trajnimin profesional. Të tjerë mendojnë se sistemi përmirësohet duke e anatemuar atë. Kjo gjykatë është sulmuar shpesh dhe ashpër, dhe si ministër apo dhe si jurist jam ndier keq për kolegët kur kjo ka ndodhur. Por ata që i sulmuan gjyqtarët duhet t’i kërkojnë falje se vendimet e tyre, i morën si udhërrëfyes për ndryshimet ligjore që ju bënë sistemit, dhe kjo tregon se ata e kishin gabim dhe ju kishit të drejtë.

Para pak ditësh, KLD miratoi rishpërndarjen e gjyqtarëve, në gjithë Republikën, një reformë e rëndësishme, e cila është përshëndetur nga BE, por dhe nga gjithë gjyqtarët. Kjo reformë do të sjellë ndryshime të rëndësishme edhe për ketë gjykatë, duke rritur numrin e gjyqtarëve në mënyre që qytetarët të marrin nga kjo gjykatë vendimet në një kohë shumë më të shkurtër, por edhe ju të keni më shumë kohë për të arsyetuar vendimet, duke përmirësuar cilësinë e tyre, në mënyrë që të përmbushim edhe shqetësimet e qytetarëve por edhe shqetësimet e BE. Ne duhet të përmbushim pritshmëritë e BE-së për Shqipërinë, sepse marrja e statusit duhet të jetë një proces bazuar në meritë. Ndaj dhe ne përuruam edhe godinën e GJAADM. Gjykata administrative do ketë 7 gjyqtarë, ajo do ketë dy salla për çdo trup gjykues, zyrë për çdo gjyqtar si dhe sistem audio dhe video për çdo seancë gjyqësorë. Reformimi i sistemit të drejtësisë është një proces i gjatë, i vështire e kompleks. Ne po ecim me ndërtimin e gjykatave, po ecim me reformimin e sistemit me objektiv, transparencën dhe përgjegjshmërinë, me prioritet eficencën e sistemit. Unë gjykoj se duhet të përkrahim drejtësinë, dhe jo ta sulmojmë atë, të përkrahim reformat, dhe jo të anatemojmë sistemin, të nxisim përgjegjshmërinë, dhe jo të jemi kritizerë të gjithçkaje. Nëse e shajmë çdo dite sistemin, mendo se çfarë do të bëjnë qytetarët, dhe cili është mesazhi që ne u japim atyre për besim më shume tek sistemi. Aktoret vetë duhet të lëvizin dhe të tregojnë vullnet për të ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhet sistemi. Kjo na bën të gjithëve krenarë, juve dhe ne, sepse së pari u themi qytetarëve dhe publikut se ne, atë që e themi e bëjmë, jemi njerëz të fjalës së mbajtur, thamë se do ndërtonim gjykatën administrative dhe e bëmë, thamë se do bënim transparent, nëpërmjet portaleve, sallave, regjistrimit audio dhe video dhe e bëmë, thamë se do bënim rishpërndarjen e gjyqtarëve sipas ngarkesës dhe e bëmë. Nga ana tjetër i themi publikut se ju si aktorë jeni njerëz të reformave dhe lëvizni çdo ditë, për të ndryshuam gjendjen e status quo-së por edhe për të bindur publikun se ne duam të reformojmë sistemin, se ne duam transparencën, se ne jemi gati tu themi të kontrollojnë çdo grimcë të punës sonë, dhe sistemi ynë i drejtësisë po bëhet çdo ditë edhe më transparent edhe më i besueshëm.