Edmond PANARITI/ Drithërat, mielli dhe buka e përditshme, meritojnë vëmendjen tonë më të madhe

823
Sigal

*Minister i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave

 Është për t’u përshëndetur shqetësimi në vazhdimësi i ngritur në gazetën “Telegraf”, për çështje të sigurisë ushqimore në përgjithësi dhe veçanërisht për problemet e ngritura për cilësinë dhe sigurinë e drithërave dhe të miellit. Më lejoni t’iu falenderoj për këtë dhe mendoj se ngritja e problemeve të tilla nga ju, është për ne jo vetëm një ndihmesë, por edhe një moment refleksioni dhe nxitjeje, për të bërë më shumë që të garantojmë ushqim të sigurtë, i cili për fat të keq prejardhjen jo gjithnjë e ka nga prodhues dhe vende të sigurta.

Shqipëria, nuk ka sipërfaqe të mjaftueshme për të garantuar plotësimin e nevojave të saj me drithëra buke për njerëz dhe me drithëra për ushqim për kafshë. Për rrjedhojë ajo importon dhe do të vazhdojë të importojë drithëra dhe miell nga jashtë. Harta e këtyre importeve është e gjerë duke filluar që nga import të miellit të cilësisë së lartë nga vende si, Gjermania dhe Belgjika por edhe importe drithërash dhe mielli nga vende jo të hapësirës së BE-se si Serbia e vende të tjera. Marrëveshja e tregëtisë së lirë nuk lejon kufizime apo pengesa në importe drithërash dhe mielli nëse ato plotësojnë normat dhe standartet e cilësisë dhe sigurisë, prandaj ne mbetemi nën presionin e një harte të gjerë importuesish të cilët udhehiqen nga konjukturat e kërkesës dhe të ofertës. Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit mbikqyr të gjithë importet e drithërave dhe të miellit si dhe ka për detyrë të gjurmojë prodhimin dhe shpërndarjen e drithit dhe të miellit të prodhuar në vend si dhe përpunimin e tij në punishte dhe fabrika të licensuara. Përveç certifikatave të origjinës të cilat shoqërojnë drithërat dhe miellin e importit, ministria nëpërmjet ISUV, kryen analiza periodike të mostrave të importeve mbështetur mbi koeficientet e analizave të riskut. Koeficienti i riskut është më i lartë për vende që nuk i përkasin Bashkimit Europian, si Serbia, Rusia dhe Ukraina. Në këto vende jo domosdoshmërisht respektohen dhe zbatohen standartet Europiane të sigurisë dhe për rrjedhojë pasiguria është më e lartë. Madje nga këto vende, veçanërisht nga Rusia dhe Ukraina do të kërkohet dhe do të  kryhen edhe analiza të radioaktivitetit të drithërave, gjë që nuk është e nevojshme për hapësirën BE. Këto analiza mund të kryhen edhe në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Në mostrat me prejardhje nga këto vende, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) kryen analiza të specializuara veçanërisht për praninë e aflatoksinës B1 dhe B2, të cilat janë toksina që mund të prodhohen nga myqe që ndotin drithërat e ruajtura në magazina me lagështi. Natyrisht mbi bazën e vlerësimit të rrezikut dhe njoftimeve nga sistemi “alert” i sigurisë ushqimore të BE-së dhe FAO-s në analizojmë mostra drithërash dhe mielli dhe për përmbajtje të insekiticideve apo metaleve të rënda sa herë që ky system na jep alarmin për rreziqe të mundeshme. Edhe si pjesë e përgjegjësive tona ligjore por edhe nisur edhe nga shqetësimi plotësisht i motivuar i ngritur në gazetën tuaj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me urdhërin tim, mori dhe analizoi një sasi të konsiderueshme të miellit dhe drithërave të importit por dhe të vendit për praninë e ndotjeve por në veçanti të aflatoksinës B1 e cila njihet si një lëndë kancerogjene dhe që për më tepër është dhe e qëndrueshme edhe pas trajtimit dhe përpunimit termik me pjekje. Metodat e përdorura nga ISUV janë të certifikuara dhe të validuara ndërkombëtarisht dhe për rrjedhojë plotësisht të besueshme.  Analizat e kryera nuk konstatuan asnjë gjurmë të aflatoksinave apo ndotjeve të tjera. Nderkohe që vëmendja jonë, është tashmë e përqendruar edhe te standartet e perpunimit të drithërave dhe të miellit në fabrika dhe punishte të autorizuara dhe që zbatojnë rigorozisht të gjitha kriteret teknologjike dhe normat e përpunimit. Unë vetë inspektova disa qendra të përpunimit të miellit për bukë, brumatriçe për të ndjekur personalisht nga afër gjithë procesin e përpunimit. Në takime me prodhuesit, insistova që të mos përdoren përbërës apo siç quhen ndryshe “additive”apo shtesa ushqimore, të cilat nxitin proceset oksidative dhe veçanërisht ato të formimit të glutenit në gatimin e miellit. Kërkova që të hiqet dorë nga përdorimi i fluorateve dhe bromateve si lidhës të brumit dhe kërkova që kjo të kryhet me metoda të natyreshme. Ne nuk do të hezitojmë që ti penalizojmë të gjithë ata që përdorin jashtë kritereve agjente të tillë, por edhe ngjyrues dhe konservues në përgatitjen e brumit dhe të bukës. Ndërkohë që për të nxitur proceset oksidative dhe formuese të glutenit në përgatitjen e miellit për bukë unë do të kërkoj dhe nxit përdorimin e tretësirave vitaminike veçanërisht të vitaminës C. Nuk do të lejojmë përdorimin vend dhe pa vend të etiketimeve të tilla, si bukë integrale, bukë fshati, bukë bio apo bukë me katër drithëra pa e kontrolluar rigorozisht, llojin e drithave, rrezen e miellit, karta teknologjike dhe ato të origjinës së kontrolluar dhe të certifikuar. Por vëmendja jonë do të jetë e përqëndruar tek buka popullore, ajo e prodhimit masiv, prodhimi i së cilës duhet gjurmuar me imtesi që nga grumbullimi dhe ruajtja e drithit në magazinë deri  tek bluajtja në miell e krunde, e më pas prodhimi e magazinimi i miellit. Nuk do të lejohet bluarja në mullinj e mokra të pa licensuara dhe të pa kontrolluara. Kam kërkuar dhe bashkëpunim me organet e rendit për ndalimin dhe kallëzimin në prokurori të pikave të paligjeshme të blojës dhe magazinimit si dhe të furrave të paligjshme që gatuajnë brume dhe pjekin bukë. Kontroll do të ushtrohet dhe deri në vajrat vegjetale të përdorur në procesin e pjekjes. Vetëm kjo mënyrë mbikqyrjeje dhe kontrolli do të na mundësojë garantimin e sigurisë dhe cilësisë së bukës së përditeshme.