Edhe opozita u bë si sindikatat …

771
Kolë NIKOLLAJ
Të gjithë ne jemi dëshmitar të një deklarate të nxituar dhe të pastudiuar të Kryeministrit Rama para disa kohësh, drejtuar biznesit Italian që ata të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë se “këtu nuk ka sindikata”. Këto ditë po ndodh i njëjti fenomen por i kaluar nga binarët social dhe shoqëror në binarët politik. Realisht për këtë fenomen shoqëria jonë duhet të shqetësohet. Ka tre ditë që në opinionin publik po diskutohet me zell dhe ky opinion po zien nga kureshtja për politikat e reja qeveritare të 4 viteve të ardhshme pasi për hir të realitetit në fushatë elektorale asgjë nuk u tha për këto. Fatkeqësisht opozita politike duket si e vetë përjashtuar ose e përgjumur e jashtë loje duke vazhduar avazin e saj të vjetër me “opozitë digjitale” me akuza boshe si “Qeveri e makutërisë”, “e Noriegës”, “e korrupsionit”, “e drogës”, bile edhe deklarata qesharake në facebook që: “kjo qeveri do te bjerë nga revoltat popullore”. Deklarata të tilla janë foshnjarake për stadin aktual të zhvillimit politik, ekonomik, e social ku ndodhet Shqipëria. “Republika e Re” gjatë fushatës elektorale na ngopi me programe sociale dhe ekonomike, me ekspertë e gjithollogë, të ri e të vjetër, vendas e të huaj. Sigurisht që ne si publik po presim që këto ditë këto programe të ballafaqoheshin me rrugën e re të drejtuar tashmë nga Qeveria Rama me timonin e saj të vetëm në duar. Pavarësisht nga kritikat që vetë Kryeministri Rama ka shfaqur kohët e fundit në formën e një vetëkontrolli dhe vetëkritike të punës së qeverisë së tij 4 vjeçare sidomos në Hipoteka, Shëndetësi, Diplomaci, Polici, etj. unë po përpiqem t’i quaj “të suksesshme” reformat e Qeverisë Rama 1 si në administratën publike, në arsim, në shëndetësi, në diplomaci etj. pasi lidhjet tona, për hir të se vërtetës, me këto institucione kanë qenë formale dhe jo institucionale e partneritetit të barabartë siç e përcakton ligji. Duke marrë shkas nga sa më sipër për momentin po ndalojmë vetëm tek Ministria përgjegjëse për punësimin (Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë) e cila në përputhje me legjislacionin tonë dhe atë ndërkombëtar është dhe përgjegjëse për veprimtarinë me sindikatat. Kjo Ministri ka poseduar rreth 1/3 e buxhetit të shtetit dhe ka qenë Ministria kryesore për realizimin dhe implementimin e të gjithë programit qeverisës pasi nëpërmjet kësaj Ministrie qeveria lidhet me më shumë se 1 milion familje (pensione, asistenca sociale, shpërblime të tjera, përkujdesje, të persekutuar, rinia, gruaja, etj.)

Kompetencat e kësaj Ministrie shtriheshin në të gjitha çështjet e punës dhe të punësimit, të kujdesit e të përfshirjes sociale të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të ish të përndjekurve politik, të grupeve vulnerabël, të personave me aftësi të kufizuar, të barazisë gjinore, të rinisë, të arsimit dhe formimit profesional, etj. 

Të shpërndash dhe të transferosh të gjitha këto kompetenca dhe funksione tek Ministria e Financave dhe Ekonomisë është njësoj sikur “ujkut t’i varësh mëlçitë në qafë”. Ky veprim dhe vendim, jo vetëm që duket si i pamundur praktikisht, por është në konflikt të hapur interesi (do sillja në vëmendje veprimin e Qeverisë Berisha kur kaloi ISSH në varësi të Ministrisë së Financave se çfarë kritikash dhe sugjerimesh mori nga institucionet ndërkombëtare). Qeveria duket sikur po u hedh hi syve publikut, duke futur këtë Ministri nën sqetullat e financave dhe ekonomisë, pasi i njëjti institucion do bëjë planifikimet financimet dhe, po i njëjti institucion do kontrollojë shpenzimet buxhetore. Kësaj në mënyrë folklorike i thonë “lala-kros, lala-kros, vetë shkruaj e vetë vulos”. Është e pavend dhe hileqare dhe fshehja e termit “përfshirje sociale” duke u mjaftuar vetëm me kujdesin social, i cili i kalon Ministrisë së Shëndetësisë. Transferimi duket mekanik dhe i thatë pa arsye, sigurisht dhe abuzues i pensioneve, asistencave sociale e pagesave te tjera kalimtare e kompensuese që të menaxhohen dhe kryhen nga Ministria e Shëndetësisë e cila gjatë këtij mandati ka pasur një përvojë jo shumë pozitive me partneritetin publik – privat dhe koncensionimin e shumë shërbimeve publike, vaj medet nëse dhe këto pagesa e shërbime do të kenë të njëjtin përfundim atë të 3P.

U deshën 4 vite punë e përpjekje që të tre aktorët së bashku Qeveria, Sindikatat dhe Punëdhënësit të bashkëpunojnë dhe të mbështetën nga strukturat ndërkombëtare si UNDP, ILO, BE, BB, FMN etj. që përfshirja sociale, kujdesi shoqëror dhe çështjet e punësimit të vendoseshin në standarde evropiane. U ndryshua “Kodi i Punës”, u miratua “Strategjia kombëtare për punësim dhe aftësi 2014 – 2020”. U krye pas 20 vitesh reformimi dhe ristrukturimi i sistemit të pensioneve. U miratuan dokumente politikë për politikat e sigurisë dhe të shëndetit në punë, u miratua Strategjia kombëtare e mbrojtjes sociale, u hartuan dhe u miratuan Plan-veprime kombëtare për LGBT, për integrimin e romëve, egjiptianëve e pakicave të tjera kombëtare, u miratua Plan-veprimi për rininë, gruan, punën e fëmijëve etj. U miratua ligji dhe u krye gjithë reformimi i sistemit të AFP-së duke e kthyer atë në një sistem dual të përputhshëm me standardet e BE e veçanërisht me atë të vendeve gjermanishtfolëse si me të suksesshmet ne Evropë.

Sindikatat janë krenare që kanë bashkëpunuar dhe kanë mbështetur Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të kryer gjatë 4 viteve gjithë këtë transformim rrënjësor i cili ka qenë shoqëruar dhe i orientuar në kahen sociale, në përmbushje të kritereve filozofike dhe ideologjike të majta.

Ne e kemi vlerësuar kontributin e qeverisjes së majtë gjatë 4 viteve, e cila ka pasur ne thelb të saj përfshirjen dhe mbrojtjen sociale. Sot si një rrufe në qiell të pastër, me një të rënë të lapsit, pa asnjë diskutim publik, bile dhe të padiskutuar e premtuar gjatë fushatës elektorale vendosemi përpara politikës së faktit të kryer duke marrë një vendim politik nga Qeveria për shkrirjen e kësaj ministrie dhe kalimin e saj nën sqetullat e financave, ekonomisë, shëndetësisë etj. Ky vendim merret pa parashikuar vështirësitë, kohën dhe mënyrat ligjore të transferimit të funksioneve, të drejtave dhe të detyrimeve, të kompetencave ligjore e materiale, të hallkave buxhetore, të miratuara apo në proces buxhetimi etj. Ne mendojmë se ndërmarrja e veprimeve të tilla të pastudiuara do të krijojnë probleme, ndoshta dhe të parikuperueshme në punën dhe në bashkëpunimin tonë me Qeverinë si partner konstruktiv. Kjo dëmton shumë marrëdhëniet e punës dhe të punësimit në tërësi për të cilat sot ka nevojë më shumë se kurrë vendi ynë. Kjo do të dëmtojë dialogun social dhe do të krijojë një amulli në zbatimet ligjore aktuale dhe një deformim të legjislacionit të punës apo të Konventave e standardeve të ILO-s e direktivave të BE për marrëdhëniet me sindikatat, kontraktimin kolektiv e ushtrimin e dialogut social të pavarur.

Dhënia e prioritetit politik të qeverisjes tek financat, kapitali dhe ekonomia në kurriz të punësimit, të punëtorëve, të punës në tërësi, të përkujdesjes e të përfshirjes sociale kurrë, nuk mund të jetë prioritet, as synim i një qeverisjeje të majtë.

Pikërisht këtu ne mendojmë se ndoshta “fle lepuri i PD”. PD nuk kundërshton këto reforma, ose për arsye se nuk i kupton dhe është e papërgatitur, ose mendon se Qeveria po sjell ujë në programin e saj qeverisës. Gjithsesi ne mendojmë se është e para. Ne mendojmë se të dy palët janë të gabuara pasi “18 maj” ndodhi në rrethana të caktuara dhe nuk mund të ndodhë vazhdimisht, pavarësisht se kush fitoi e kush humbi.

Gjithsesi KSSH si një formacion sindikal më i organizuar e më efektivi në Shqipëri garanton se do të bëjë të gjitha përpjekjet institucionale dhe ligjore, që me rrugë dhe mjete demokratike të jetë, jo vetëm një avokat besnik i punëtorisë shqiptare, por mbi të gjitha një supervizor i rreptë i programit qeverisës duke ndëshkuar çdo devijim apo abuzim që kryhet në dëm të punëtorëve dhe të shtresave të tjera sociale. 

Ne duke përdorur të gjitha mjetet sindikaliste që ligji na garanton, sigurisht që do të japim dhe alternativa zgjidhjeje pa ndikime politike, por me përgatitje profesionale dhe gjithmonë në përmbushje të misionit tonë si mbrojtës të interesave social ekonomie të punëtorëve.
President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë
Sigal